E hënë, 23 Nëntor, 2026

Spartak Ngjela: Rikthimi i amerikanëve në SPAK s’është rastësi, si po tentojnë të shpëtojnë nga prangat të korruptuarit “VIP” në Tiranë,  ja surprizat e Edi Ramës në qeverinë e re

Share

Avokati i njohur, Spartak Ngjela shprehet se rikthimi i amerikanëve në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) nuk është rastësi dhe lidhet me nevojën për të çliruar shoqërinë shqiptare nga korrupsioni. Ai thotë se Partia Socialiste dhe Edi Rama sundojnë pa kundërshtar real, pasi Sali Berisha e ka kthyer PD-në në një parti monotone dhe të dështuar, ku lidershipi është i frikësuar dhe i konsumuar. Në intervistën për “Top News”, Ngjela u shpreh se Rama qeveris në rutinë, pa surpriza, ndërsa SPAK ecën ngadalë sepse i mungon forca ekzekutive. Për kabinetin e ri, Ngjela nënvizon se Rama nuk ka prirje të thërrasë figura të afta dhe me përvojë perëndimore, për shkak të kompleksit të inferioritetit, ndërsa sa i përket mundësisë që Basha të përfshihet në qeveri, ai mendon se ky nuk do ta bëjë një hap të tillë pasi pret largimin e Berishës për të marrë drejtimin e PD-së.

–Z. Ngjela keni një parashikim në lidhje me krijimin e qeverisë së re. Si e sheh? Cilat do të jenë lëvizjet e Ramës?

Në gjendjen siç është Partia Socialiste me Ramën sot, është e gjitha monotoni, sepse nuk ka kundërshtar. Kundërshtari i Ramës, që është Saliu, nuk e pranon popullin, po e pranon Rama. Pse? E ka në favor. E keni parë që s’bëjnë luftë kundër tij fare? Rama e di që e ka në favor. I duhet një opozitë e tillë. Fiton gjithmonë. Demokracia është votë. S’kanë vota. Po pse s’kanë vota? S’i lë Saliu. Do të thotë janë ato trazirat e brendshme që kanë pasur, që ky ka hequr gjithë lidershipin kryesor të Partisë Demokratike. Këta që kanë mbetur e kanë frikën organike. Ashtu e kishte edhe komunizmi në kohën e Hoxhës.  Është njëlloj si partitë e diktaturave brenda saj. Do ketë lider atje apo s’do ketë lider? Këtë do ta shikojmë. Po pyetja bëhet: Do e lë Saliu? E dyta, pyetja bëhet: Çfarë është Partia Demokratike? Nuk është parti, është njëshi absolut. Domethënë, njëshi ka pushtuar gjithë partinë dhe ku është dëmi? Dëmi është i partisë, se nuk vjen dot në pushtet. Pse nuk vjen në pushtet? S’ka vota Saliu. Midis atyre që e dëmtojnë shumë Saliun është edhe fakti që është “non grata” në Amerikë. Janë të gjitha këto. Vij konvergjojnë në një pikë: te votat. Por ka partinë. Partia në rast se ka një lider tjetër merr zgjedhjet.  Politika  njësoj si çdo aspekt tjetër i jetës, ka konsum. Dhe konsumimi vjen në lidhje me elektoratin. Nuk konsumohet partia. Konsumohet partia në funksion të liderit. Është konsumuar lideri. S’ka vota, por ka partinë. Dhe pse e mban partinë? Për interesin e tij privat.

-Ju si mendoni, duke e njohur mënyrën se si bën politikë Rama, pavarësisht se është i paparashikueshëm hera-herës, cilat do të jenë zgjedhjet e tij? Duke qenë se prioriteti i tij është edhe integrimi?

“Rama nuk zgjedh. Rama e kap qeverinë në inkoshiencë.  Që s’e ka të qartë. Nuk e ka arsye. Nuk e arsyeton dot. Domethënë, kryeministrat që janë absolut zakonisht kthehen në absolutizëm sepse s’kanë arsye të shëndoshë, por kanë dogmën, atë pjesën e pakët, që i duhet kur janë në shtet, që i duhet shtetit, edhe kur janë në parti, që i duhet partisë. Qeveria Rama 4 nuk do të ketë surpriza, është monotoni. Në politikë ka një rregull. Një qeveri që rri gjatë në pushtet, ose ka forcë të madhe kreative që çorienton opinionin, jo vetëm opinionin publik, por dhe opinionin e mendjes, ose është rutinë, rri në vend. Çfarë ndodh në Shqipëri? Gjithë këtë situatë e sjell Partia Demokratike që ka një lider që s’pranon opinionin. Dhe çfarë ndodh? E ka kthyer Partinë Socialiste dhe Ramën në absolutizëm. E kini parasysh një gjë: absolutizmi nuk është… nuk është një gjë e rrallë. Është koncept dhe ndjesi njerëzore. Vjen nga familja patriarkale. Absolutizëm kishte patriarku në histori. Pastaj patriarku kaloi në shtet. Ose anarkitë absolute ishin në moment patriarkal.

-Sa do të ndikojë SPAK, puna e SPAK, hetimet që po kryhen nga SPAK në zgjedhjet që do të bëjë Rama?

SPAK i ka marrë masat, por ka ngelur në vend. Ecën ngadalë. Pse? Nuk dimë ç’të themi. Shpesh këta të tremburit lënë të kalojnë afatet që këta të përfitojnë nëpërmjet parashkrimit. Kjo ndodh nëpër tirani shpesh. Atëherë, për në Shqipëri? Këta këtë po kërkojnë. Sado i fortë të jetë ndikimi amerikan, nuk ka forcë ekzekutive. I korruptorit, do forcë ekzekutive. Kjo është gjithë loja. S’ka forcë ekzekutive. Forcën ekzekutive e kanë këta. E ka Parlamenti, Parlamenti hesht. Duhet të kishim që të eliminohej komplet ky korrupsioni në Shqipëri, SPAK duhej të kishte ecur përpara në konceptin legjislativ. SPAK është ai që ka dalë. Duhet të kishte mbështetje më të madhe dhe duhet të kishte ekspertizë më të madhe. Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar. Flasim për kohën, tani për segmentin kohor, duhet të jetë sa më shpejt. Pyetja është se a do ta shpëtojë pushteti gjyqësor Shqipërinë nga korrupsioni? Kjo varet nga SPAK. SPAK-un nuk e kemi drejtuar ne. E drejtoj ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët kur erdhi Trumpi u larguan. Tani janë kthyer prapë. Atëherë kemi shpresë që do ta çlirojnë shoqërinë shqiptare nga korrupsioni. 

-Mendoni që Rama do të zgjedhë emra të rinj për të qeverisur, të panjohur, pa kontribut të madh politik?

Do bënte mirë. Po nuk e ka në mendje. E ka Rama këtë lloj optike? Unë them s’e ka. Nuk thërresin këta njerëzit që kanë shkëlqyer në Perëndim, në shkolla perëndimore. Nuk e thërresin. Nga vjen? Nuk është e gjitha dëshirë për pushtet. Është kompleks inferioriteti. Është shumë i rrezikshëm kompleksi i inferioritetit në politikë. Ai e shikon që është superior dhe e godet. Nuk e godet me koshiencë, e godet me inkoshiencë. Është instinktive se është lufta, është beteja që ka me të aftin. Lufta midis të aftit dhe të paaftit në funksion të pushtetit.

-Është komentuar gjerësisht, sidomos në platforma sociale, edhe përfshirja e zotit Basha në kabinetin e ardhshëm qeveritar. E shihni të mundur këtë lëvizje?

Në qoftë se e ka menduar, është e hollë.  Do që të godasë PD-në. Po a do ta pranojë Basha? Ka pranuar Basha?  Unë mendoj se Basha nuk do ta bëjë një lëvizje të tillë. Se Bashës nuk i ka ikur motivi politik për të marrë PD-në. E do partinë dhe pret largimin e Saliut. Ç’do ndodhë me Saliun? Shenjat janë që do dënohet edhe katër muaj. Sikur të dënohet, ikën nga politika. Atëherë ky fakt, i cili kthehet në fenomen e ngarkon emocionalisht Bashën që të ketë akoma shpresë. Pse? Se jam i bindur që ka edhe ai ende njerëzit dhe vetë në Partinë Demokratike.

Te tjera

Lajme te tjera