E diel, 4 Tetor, 2026

Spartak Braho: Sali Berisha urdhëruesi i vrasjeve, si u fsheh Rama poshtë urës për të shpëtuar nga eliminimi në‘21 Janar’, informacioni tronditës që mori dhe plani i dështuar i Dritan Priftit që tregon se serverat s’fshihen dot

Share

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, njëherësh ish-kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho ka folur në lidhje me çështjen e “21 Janarit” dhe regjistrimeve të reja që kanë dalë në dritë lidhur me të. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, Braho deklaroi se këto regjistrime janë indicie për thellimin e organit të hetimit për të gjetur prova, teksa shtoi se vetë protesta e “21 janarit”, dukej sikur ishte e përgatitur për dhunë, pasi kishte një grup të pajisur me shkopinj e leva. Por megjithatëish-ligjvënësi Braho e ka konsideruar ngjarjen e “21 Janarit”, një përsëritje të ngjarjeve të vitit 1997, ku sipas tij, në të dyja rastet nuk u gjetën asnjëherë përgjegjësit kryesorë. Ish-deputeti Braho theksoi se viktimat e protestës së 21 Janarit, janë rrjedhojë e veprimeve kriminale të drejtuesve kryesorë të Gardës, urdhri i të cilëve u dha nga Sali Berisha. Ndërkohë, ai vijoi më tej duke thënë se kryeministri Rama gjatë tubimit të para 12 viteve nuk shkoi te dera e Kryeministrisë pasi mori një informacion se mund të qëllohej drejt turmës, ndërsa me tonë humoristike përmendi se “kishte frikë pasi është i gjatë dhe mund ta kapnin plumbat kollaj”.

-Zoti Braho, këtë të shtunë që shkoi politika përkujtoi ngjarjen e “21 Janarit”, ku 12 vite më parë gjatë protestës së opozitës u vranë nga Garda e Republikës katër protestues të pafajshëm. Cili është mendimi juaj për masakrën e “21 Janarit” dhe a ka një përgjegjës për vrasjen e katër protestuesve dhe prishjen e provave?

Natyrisht që ‘21 Janari’ është një ngjarje e shëmtuar për pasojat që solli. Ishte një përsëritje e ngjarjeve të ‘97 që për fat të keq, megjithëse u vranë mbi 2000 shqiptarë, nuk arriti të nxirrte përgjegjësit. Ndërkohë që përgjegjësinë kryesore e kishte mazhoranca e asaj kohe, udhëheqësi i saj, Sali Berisha. Por, njëra palë e quan kryengritje të armatosur të rebelëve të majtë apo e celulave ekstreme të së majtës, dhe pala tjetër që e konsideron atë një rrjedhojë të veprimeve antiligjore e një qeverisje të keqe. Kjo e çoi vendin në humnerën e piramidave, hapjen e depove, shkatërrimin e strukturave të shtetit, shpërndarjen e armëve me qëllim. Secila palë ka këndvështrimin e saj për këto ngjarje të dhimbshme të ‘97, që nuk pati katër viktima, por disa mijëra. “21 Janari”, si protestë e organizuar nga PS, pati synimet e saj. Në menaxhimin e kësaj proteste duhet të kishte pasur më shumë kujdes. Viktimat e kësaj proteste janë dhe ishin rrjedhojë e urdhrave dhe veprimeve kriminale të drejtuesve kryesorë të Gardës, të cilët kishin një urdhërues tjetër. Drejtësia duhet të thotë fjalën e saj dhe të zbardhë të vërtetën. Deri më tani, veprimet e organeve të drejtësisë, përfshi këtu prokurorinë dhe gjyqësorin janë shumë të vakta. Drejtësia duhet të zbulojë realisht dhe me seriozitet, autorët e atyre vrasjeve. Kërkesë kjo, e bërë dhe nga institucionet ndërkombëtare. Ndryshe gjërat do të mbeten në terr dhe do të ndodhë ajo që ndodhi me veprimet kriminale të Sali Berishës në ’97.

-Ndërkohë, kanë dal edhe disa përgjime lidhur me “21 janarin”, ku dëgjohet ish-kreu i Gardës që urdhëron vartësit e tij të qëllojnë mbi protestuesit. Si e shihni ju këtë zhvillim dhe si e kujtoni ju atë ditë?

Prova është tjetër, indicia është tjetër. Indicie janë këto përgjime. I japin mundësi organit të hetimit të thellohet nëse janë të vërteta dhe nëse pas tyre ka prova. Unë e përgëzoj Artan Hoxhën dhe gjithë median për jehonën e kësaj ngjarjeje tragjike. Unë kam shumë vërejtje edhe për organizimin e protestës. Duket sikur ishte përgatitur edhe një grup që do ushtronte dhunë, me shkopinj e leva.Saliu tha çadra pistoletë, por dhuna ishte prezente gjithsesi. Aty është plagosur rëndë një polic, kush e dhunoi atë? Jo tregon se ata protestues përveç se iu përgjigjën thirrjes për protestë ishin të pa instruktuar sepse pranë Ramës kishte një shtab për protestën që lejuan që disa persona të dilnin jashtë kontrollit, tentuan të fusin edhe një automjet atje. Rama duhet të thirrej medoemos në prokurori. Rama nuk shkoi te dera, qëndroi te bishti i urës se i erdhi një informacion që mund të qëllonin drejt turmës, ngaqë është dhe i gjatë e kapnin kollaj, trim i madh nuk është.Ceremonia është një demagogji, më duket tallje e një tragji-komedie të stërzgjatur, më duket tallje për familjet e viktimave që nuk dinë ende autorët e ngjarjes.

-Sipas jush pse ndodhën vrasjet? Kush i urdhëroi?

Unë mendoj se çështja nga pikëpamja ligjore është e kopsitur, është e goditur edhe nocioni që përdori ministri i drejtësisë Manja, që jemi para një krimi shtetëror. 21 janari është hetuar jo plotësisht. Ato nuk ishin vrasje personale, por ishin vrasje që u bënë nga strukturat e shtetit, kur Manja thotë vrasje shtetërore ka parasysh që ai që duhet të mbajë përgjegjësi është Berisha.SPAK duhet të fillojë menjëherë hetimet nëse është organ serioz. Se si kanë dalë regjistrimet e di vetëm Artan Hoxha. Ardhja e Dumanit s’ka të bëjë fare me “21 janarin”, rëndësi ka që në një moment të caktuar gazetari pati kurajën t’i bënte publike këto regjistrime dhe për këtë e falënderoj. Asnjëherë nuk fshihen regjistrimet në server, ato ekzistojnë diku. Tentoi t’i fshinte Dritan Prifti por kur u ekspertua në Amerikë dolën shumë gjëra. Qeliza bazë aty mbetet, me programe të posaçme ato janë regjistruar diku, mund të fshihen në mënyrë sipërfaqësore, por arrijnë që të mbeten.Do shkojnë gjërat në vend, shtetin këtu e shpëton vetëm drejtësia, e cila ka munguar. Unë shpresoj te kjo drejtësi, në rastin e ‘21 janarit’ ka dhe një problem që është se regjistrimet e paraqitura janë në përbërjen e tyre me emra konkretë. Është Hysni Burgaj, Drejtor i Policisë në ato vite, Ndrea Prendi, është implikuar dhe Basha që bëri një tentativë për të devijuar hetimin pasi u angazhua atëherë një gazetar që kërkoi të bindte opinionin se ai që u vra te dera u vra nga turma. Krye skandali i veprimeve hetimore është që pas kryeprokurorja Ina Rama nxori 6 urdhra arresti dhe prokurorët me urdhra në dorë vajtën në dyert e Gardës i lanë mbrapa, nuk patën forcë. Ky rast nuk është hetuar, është ruajtur me autoritetin e shtetit. Kush ka autoritet të ndalojë urdhrat e prokurorisë.

-Keni një koment për arrestimin e ish-zyrtarit të FBI, Charles McGonigal, tëcilindrejtësia amerikane e akuzon McGonigal se ka marrë një shumë para nga një shtetas shqiptar, ndërsa është takuar edhe me kryeministrin Rama?

Këto janë marrëdhënie që diskreditojnë kryeministrin. Me këtë rreth akuzash, unë them se Rama duhet të mendohet mirë. Janë jashtëzakonisht të rënda. Ka një moral dhe sipas meje Rama duhet të masë vetë pozitën e vet dhe normalisht, rruga më normale do të jetë t’ia lërë radhën një socialisti tjetër të drejtojë qeverinë. Të dorëhiqet. Duhet ti hapë rrugë një socialisti tjetër. Sipas llogarive që behën nëse ato vërtetohen atij i bie të dënohet rreth 80 vjet burg. Por ajo që ka rëndësi dhe që na intrigon në këtë çështje është se një pjesë e veprimtarisë së tij shtrihet edhe në Shqipëri. Jo vetëm aq, por ai ka pasur kontakte me drejtues të shtetit shqiptar deri me kryeministrin Rama.Fjala është që ai ka ardhur për të kryer operacione tregtie, me ndihmën e një personi që quhet Agron Neza. Agron Neza është një tropojan, ish oficer sigurimi, është larguar në SHBA në 1991 dhe mesa duket personi “A” ka pasur një lidhje këtu që është personi “B”, një prej këshilltarëve të kryeministrit.Personi “B” është Dorjan Ducka, djali i tezes së një personi të njohur që është kryetar partie, është marrë me biznese vazhdimisht. Është i opozitës.Merr vesh ti ca bëhet këtu. Djali i tezës së një kryetari partie të opozitës është këshilltari i kryeministrit të mazhorancës. Thjesht çështje interesash.Rama shquhet për kontakte për takime me persona me background negativ. Rama këto takime i ka pasur në qendër. Juve ju kujtohet që ai doli në mbrojtje Vangjush Dakos, edhe pse ishte i shpallur non grata. Ai thotë është dhe mbetet miku im. Dako nuk ka qenë personalitet politika, ka qenë biznesmen i vendosur nga Rama, por që u shpall non grata për shkak të aktivitet kriminal të tij në bashkinë e Durrësit.Ky njeri dallohet, nuk është serioz. I konsideron të rregullta, por nuk janë as morale dhe prekin etikën e një drejtuesi shtetëror që duhet të jetë i kulluar.I papërgjegjshëm farë me këto deklarata, kujton se justifikon veten me një logjike fëminore. Rama të mos harrojë se akuzat e prokurorisë amerikane janë shumë të rënda për mikun e tij. Ato që janë të panjohura janë lobimi i tij për futjen e kompanive ruse në Shqipëri për kërkimin e naftës.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera