E shtunë, 18 Prill, 2026

Spartak Braho paralajmëron zhvillime të forta, nga “tërmeti” që do të shkaktojë kreu i ri i SPAK te pushtetarët e korruptuar, te dëshmia që ka fundosur Sali Berishën për “21 janarin”, pritet arrestimi i kreut të PD për vrasjet në bulevard

Share

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, njëherësh ish-kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho ka folur për ngjarjet e 21 Janarit 2011, të ndodhura 15 vite më parë. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, z. Braho zbulon “asin nën mëngë” që disponon Prokuroria e Posaçme (SPAK) për hetimet në vazhdim. Vrasja e katër protestuesve, sipas Brahos, nuk është një ngjarje e izoluar, por një dosje e mbyllur provash që mund të çojë drejt përgjegjësisë së lartë politike. Sipas tij, urdhëruesit dhe përgjegjësit kryesorë të Gardës duhet të japin llogari para drejtësisë. Ndërkohë ish-deputeti Braho paralajmëron se kjo çështje mund të çojë deri në arrestimin e kreut të PD, Sali Berishës. Nga ana tjetër, Braho ka folur edhe për situatën në të cilën ndodhet kryeministri Edi Rama, duke kritikuar ndërhyrjet e tij në fushën e drejtësisë. Ai thekson se Rama ka synime të qarta për ta pasur sistemin nën vartësi, gjë që e quan një megalomani të rrezikshme. Braho komentoi gjithashtu raportet e tij me kreun e SPAK, Klodian Braho, duke sqaruar se lidhja mes tyre është vetëm krahinore dhe profesionale. Madje ai thekson se kreu i SPAK është një profesionit që nuk ngurron t’i vërë prangat edhe babit të vetë nëse shkel ligjin.

-Zoti Braho, jemi disa ditë para 15-vjetorit të ngjarjeve të “21 Janarit”, ku gjatë protestës së opozitës në vitin 2011 u vranë katër qytetarë nga Garda e Republikës. Si e vlerësoni ju këtë ngjarje tragjike dhe a mendoni se ka përgjegjës konkretë për vrasjet dhe për manipulimin apo zhdukjen e provave?

 ‘21 Janari’ mbetet një nga ngjarjet më të rënda dhe më të turpshme për pasojat që solli. Në shumë aspekte, ajo kujton ngjarjet e vitit 1997, kur vendi u përfshi nga kaosi dhe, pavarësisht mbi 2000 viktimave, drejtësia nuk arriti të nxjerrë përgjegjësit para ligjit. Edhe atëherë, përgjegjësinë kryesore e mbante mazhoranca qeverisëse dhe drejtuesi i saj, Sali Berisha. Ngjarjet e ’97-ës janë interpretuar ndryshe nga palët politike: njëra i cilëson si kryengritje të armatosur të së majtës ekstreme, ndërsa pala tjetër i sheh si pasojë të drejtpërdrejtë të qeverisjes së keqe dhe veprimeve antiligjore. Ajo periudhë çoi në shembjen e shtetit, hapjen e depove të armëve dhe shpërndarjen e tyre me qëllim, duke e zhytur vendin në anarki. Ndryshe nga viti ’97, “21 Janari” ishte një protestë e organizuar nga Partia Socialiste dhe kishte objektivat e saj politike. Megjithatë, menaxhimi i protestës kërkonte shumë më tepër përgjegjësi dhe kujdes. Katër viktimat e asaj dite ishin pasojë e drejtpërdrejtë e urdhrave dhe veprimeve kriminale të drejtuesve të Gardës së Republikës, të cilët vepronin nën urdhra të tjerë më të lartë. Sali Berisha ka përgjegjësi për këtë çështje.

-Për cilën nga çështjet mendoni se do të ketë zhvillime më të shpejta: “21 Janarin”, ku ka pasur lëvizje të shumta hetimore, apo çështjen “Partizani”, e cila duket më e ngadaltë?

Pa dyshim që ‘21 Janari’ i mbulon të gjitha çështjet e tjera. Në terminologjinë juridike thuhet se kjo çështje “i thith” të tjerat, pra i tejkalon për nga rëndësia dhe pesha penale. Shoh se Berisha është mjaft i ngarkuar nga kjo dosje. Shpresoj dhe mendoj se brenda tremujorit të parë të vitit do të ketë një zgjidhje përfundimtare për të. Parashikimi im, i bazuar në vëzhgime dhe informacione që disponoj, është se Berisha do të përfundojë në burg brenda këtij tre mujori.

-Në kuadër të hetimeve për “21 Janarin” në SPAK janë thirrur si dëshmitarë figura të rëndësishme politike si Bamir Topi dhe Ilir Meta. A mendoni se kjo e ka shtrënguar më shumë lakun rreth Sali Berishës?

Kam biseduar personalisht me zotin Topi dhe dëshmia e tij është e qartë dhe konkrete. Ajo plotëson të gjithë kuadrin institucional të asaj periudhe, duke qenë se ai ishte President i Republikës. Mos të harrojmë përplasjen e fortë që ai pati me Berishën, i cili e quajti publikisht “puçist”. Sa i përket zotit Meta, nuk jam në dijeni të detajeve të dëshmisë së tij, por nuk besoj se ka thënë diçka të re apo thelbësore që ta rëndojë më tej hetimin. Meta nuk ndodhet në një pozicion të tillë që ta dëmtojë Berishën.

-Ju keni deklaruar se ditën e “21 Janarit” keni qenë me Ilir Metën dhe jo në shesh. Si mund t’i shërbejë hetimit dëshmia e tij, duke pasur parasysh se protesta u zhvillua edhe si reagim ndaj videos Meta–Prifti?

Nuk mendoj se dëshmia e zotit Meta ka ndonjë peshë të veçantë në këtë fazë. Çështja është praktikisht e ezauruar dhe akuza tashmë është e plotë, sidomos pas ndërhyrjeve dhe qëndrimeve të institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Sa i përket moshës së Berishës, ajo nuk përbën pengesë për drejtësinë. Historia na tregon se edhe Pinoçeti u vu përballë drejtësisë në moshë shumë të thyer, rreth 90 vjeç, për krime të rënda si vrasje dhe grusht shteti.

-A ka ndonjë episod nga ngjarjet e “21 Janarit” që nuk e keni bërë publik më parë?

Po, mbaj mend një episod domethënës. Ditën e “21 Janarit”, Lulzim Basha, në atë kohë Ministër i Brendshëm, e telefonoi Ilir Metën. Ai i tha se fisheku i gjetur në trupin e një prej viktimave nuk i përkiste Gardës së Republikës. Meta iu përgjigj: “Kam Spartakun këtu, pyete atë se i di këto punë”. Basha më tha se fisheku ishte i kalibrit 9.2 mm. Unë i sqarova se pikërisht ky kalibër përdoret nga Garda e Republikës, pasi armatimi i tyre, i ardhur nga Turqia, funksionon me këtë municion. I thashë të verifikonte mirë informacionin, pasi ishte Ministër i Brendshëm. Më vonë, Basha më telefonoi sërish dhe pranoi se kisha të drejtë.

-A mund ta rëndojë dëshmia e Lulzim Bashës pozitën e Sali Berishës?

Nuk janë vendimtare vetëm deklarimet e Bashës. Materiali provues është i bollshëm dhe i konsoliduar. Veçanërisht, transkriptimet e përgjimeve janë ato që e mbyllin përfundimisht kuadrin e provueshmërisë.

-Po për serverin që u fshi? Është thënë se të dhënat janë rikuperuar nga autoritetet amerikane…

Tentativa për të fshirë serverët ishte një veprim i pamenduar. Serverët nuk fshihen kurrë plotësisht; gjithmonë mbetet një gjurmë, një “qelizë” që mund të rikuperohet. Ekspertët amerikanë arritën t’i rikuperonin të dhënat dhe sot ato janë pjesë e provave kryesore që SPAK ka në dosjen kundër Berishës.

-Pse është zvarritur kaq shumë ky hetim ndër vite?

Kjo është e pafalshme. Këtu nis përgjegjësia e drejtuesve të Partisë Socialiste, të cilët kanë luajtur më shumë me simbolikën, me “karafilat e kuq” dhe përkujtimet, sesa me drejtësinë reale. Krimet e Berishës kanë qenë të njohura dhe të pranishme prej vitesh. Në vitin 1998, pas grushtit të shtetit, unë propozova ngritjen e akuzave ndaj tij dhe iu hoq imuniteti, por ai nuk u paraqit kurrë në prokurori.

-Ju përmendët edhe rolin e Spartak Ngjelës në këtë proces…

Po. Në kohën kur Spartak Ngjela ishte Ministër i Drejtësisë, ai hartoi një projekt-amnisti dhe, për pasojë, shumë nga akuzat ndaj Berishës u shuan ligjërisht. Në atë periudhë, unë dhe Spartaku ishim miq dhe shokë fakulteti.

-Kalojmë te krahu tjetër politik. Zv/kryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur dhe SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit. A mendoni se kryeministri Rama do ta “lëshojë” Ballukun?

Pyetja është e thjeshtë. Çështja është në hetim dhe nuk ka më kthim pas. Qoftë në janar, shkurt apo mars, ajo do të shkojë për gjykim. Më pas do të jetë gjykata ajo që do të vendosë për fajësinë ose pafajësinë e saj.

-Opozita kërkon publikimin e provave të SPAK-ut për Ballukun, rreth 16 mijë faqe, duke argumentuar se kjo është në interes publik. Si e shihni këtë kërkesë?

Kjo është një ide e nxitur nga ajo që unë i quaj “pseudo-juristë”. Sekreti hetimor është i paprekshëm dhe nuk mund të shkelet me justifikimin e interesit publik. Kushdo që publikon ose nxjerr materiale të mbuluara nga sekreti hetimor, do të mbajë përgjegjësi penale sipas ligjit.

Në këtë situatë, sa mund të preket kryeministri Rama, moralisht apo penalisht? Opozita kërkon krijimin e një qeverie teknike…

Rama mund të ketë një barrë morale, por nuk jam i bindur se ka përgjegjësi penale. Ai disponon shumicën parlamentare me 83–84 deputetë dhe nuk ka asnjë arsye politike për të dhënë dorëheqjen. Kërkesat e opozitës për qeveri teknike janë më tepër deklarata politike, “shashka në ajër”. Çdo skenar për zgjedhje të reja varet ekskluzivisht nga vullneti politik i kryeministrit.

-Kreu i PD, Sali Berisha ka paralajmëruar se të ashtuquajturat “forca Delta” të opozitës mund të shkojnë në Surrel për të rrëzuar Ramën. Si e vlerësoni këtë deklaratë?

Këto janë thjesht fantazi politike. Forcat Delta aktivizohen vetëm me urdhër institucional dhe dekret të Presidentit të Republikës, jo me thirrje apo urdhra të Sali Berishës. Ai nuk ka asnjë kompetencë për të komanduar struktura shtetërore apo organe zbatuese.

-Të ndalemi te drejtësia. Cili është mendimi juaj për kreun e ri të SPAK-ut, Klodian Braho? Ka edhe kuriozitet publik për një lidhje të mundshme familjare mes jush…

Nuk kemi lidhje familjare. Na bashkon vetëm origjina krahinore, pasi të dy jemi nga Skrapari. Ai nuk është i afërmi im. Nga sa e njoh, është një profesionist rigoroz, nga ata njerëz që, edhe sikur babai i tij të ishte përpara ligjit, do t’i vinte prangat pa hezitim. Pres prej tij zbatim strikt të ligjit dhe respektim të orientimeve që SPAK ka marrë nga partnerët amerikanë.

-Sa i përket reformës në drejtësi, kush ka më shumë interes që ajo të ndryshohet ose të zhbëhet?

Deri tani, sulmuesi më i ashpër i reformës dhe i SPAK-ut ka qenë Sali Berisha, i cili e ka quajtur këtë institucion “organizatë kriminale”. Unë kam qenë anëtar i Komisionit të Reformës në Drejtësi dhe mund të them me bindje se ajo u realizua me mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar nga ndërkombëtarët. Vetëm ambasada amerikane na thërriste çdo dy javë për të ndjekur ecurinë e reformës.

-Ndërkohë, edhe një pyetje të fundit. Disa ditë më parë kryeministri Edi Rama shkoi në Francë dhe u takua, duke biseduar edhe me ministrin francez të Drejtësisë, për projektin e Kodit Penal. Keni ndonjë koment?

Çudi e madhe. Po ku merr vesh kryeministri ynë nga drejtësia? Pse i fut hundët dhe bën konkluzione për drejtësinë shqiptare!! Ku e ka ministrin shqiptar të Drejtësisë apo specialistët, ose të paktën ndonjë deputet të Komisionit të Ligjeve? Ai kujton se edhe Napoloni, që mbahet si reformator i Kodit Civil francez, e shkroi vetë Kodin. Por, meqë ky fakt historik i përket periudhës së Napoleonit dhe për rrjedhojë konsiderohet si Kodi Napoleon, edhe kryeministri ynë do të hyjë në histori si “reformator dhe autor i reformës në drejtësi”, duke u ngatërruar në gjëra që nuk i takojnë fare. Kuotohet se është vetëm synimi që e ka shfaqur deri tani: ta ketë nën vartësi sistemin e drejtësisë. Megallomani e qartë dhe synim i dëmshëm. Kryeministri, në vend që të merret me përmbytjet dhe hidrovoret, që gjysma nuk i punojnë dhe që janë punët e mëdha të drejtimit të shtetit, futet në çështje speciale e profesionale të drejtësisë, që nuk i njeh dhe që s’kanë lidhje me artin e pikturës.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera