Rigels Seliman
Ish-kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, njëherësh ish-deputet i Partisë Socialiste, Spartak Braho ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa ka hedhur akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe zyrtarëve të lartë të PS. Gjatë një interviste, zoti Braho fillimisht ka folur për dosjen e “21 janarit” që tashmë do të merret nën hetim nga SPAK. Braho akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha si përgjegjës për vrasjet e 4 protestuesve, duke u shprehur se kreu i Rithemelimit do të merret i pandehur si pjesë e zinxhirit komandues që urdhëroi që Garda të hapte zjarr. Sipas ish-ligjvënësit, Berisha ka bërë presion që dosja e “21 janarit” të mos hetohej nga SPAK. Ish-deputeti Spartak Braho i pyetur për arrestimet dhe procedimet e fundit të SPAK-ut ndaj eksponentëve të Partisë Socialiste ai tha se Rama ka gabuar në emërimin e shumë prej tyre dhe cilësoi se në bindjen e tij “Balluku nuk është e pastër në punën që bën” dhe se “duhet të përgjigjet për pastërtinë e figurës së saj”. Braho theksoi Balluku është në prag të procedimit penal dhe se duhet të shkojë në SPAK dhe të japë llogari.
-Zoti Braho, ju keni fituar një gjyq me deputetët e Rithemelimit, për çfarë bëhet fjalë?
Bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur në datën 8 janar e vitit të kaluar, ku Berisha turri turmat e tij për të pushtuar selinë e PD. Unë dhashë një prononcim në media për atë protestë dhe thash se do të ketë dhunë dhe madje edhe tentativë për të dhunuar persona të veçantë që ishin vënë në rreth të kuq nga Berisha, bëhej fjalë për të goditur Alibeajn. Kjo si pëlqeu mesa duket ndonëse pas këtij parashikimi që bëra Berisha bashkë me disa deputet formuluan akuzë për shpifje ndaj meje dhe e çuan në SPAK. Gjykata nuk e legjitimoi që të ngrihej ajo akuzë, pasi nuk kishte element të shpifjes. Fabul juridikisht jo e goditur kështu që s’kam ndonjë ndjenjë gëzimi të madh që jam shpallur i pafajshëm, por për t’u hidhëruar nga pamjet që pamë në atë që ndodhi.
-Ka nisur shqyrtimi i Sali Berishës për shpalljen e tij “non-grata” në Britaninë e Madhe, si mendoni se do të shkoj?
Po ai gjyqi në Francë mbaroj? Këto janë lojërat e Sali Berishës, vendimi është marrë nga shtete të fuqishme. Berisha është i burgosur në ‘arrest shtëpie’ për shkak të moshës, ai do ta gëzoj edhe ca kohë lirinë e tij në atë kafazin e gardalinave.
-“21 janari” do të hetohet nga SPAK, mendohet se do gjenden prova të tjera pas kaq vitesh?
Ajo çështje nuk është vlerësuar me seriozitet. Është një turp për organet tona të drejtësisë edhe të atyre që ekzistonin para reformës në drejtësi. Berisha është 100% përgjegjës për ato vrasje, është pjesë e zinxhirit komandues që urdhëroi vrasjen e 21 janarit. Nëse doni një parashikim nga unë, Sali Berisha do merret i pandehur dhe të përgjigjet penalisht për ato vrasje. Pavarësisht pirueteve që bën, edhe e majta në këtë rast që nuk ka qenë aktive. Por edhe këmbënguljeve të Berishës për të bërë presion për të arritur tek ai fakt që çështja të mos i drejtohet për hetim SPAK-ut. Por SPAK-u është i detyruar të hetojë. Materiali është voluminoz, por mendoj se SPAK-u i ka të gjitha mundësitë për ta zbardhur ngjarjen.
-Beleri nuk e ka fituar lirinë pavarësisht kërkesave që ka bërë, mund të ndikoj ai në marrëdhëniet mes vendeve?
Nëse do përmendim qëndrim e qeverisë, Rama e ka dhënë qëndrimin e tij për Belerin. Për atë për të cilën ai u dënua do bëjë burgun sepse e meriton, madje ka gjëra të tjera që ai akoma nuk i ka shlyer. Autoritetet greke duket që të binden se kjo është çështje që i takon e drejtësisë shqiptare dhe ata nuk kanë pse ndërhyjnë. Segmente të caktuara të politikës greke e kanë pasur Belerin agjent të tyre, por si çdo spiun ai duhet të përgjigjet dhe të bëjë burgun.
-Greqia duket se po i bënë sfidë vendit, duke e kandiduar Belerin në parlamentin europian?
Sa kohë është i dënuar nuk lejohet, ta mbajnë deputetin e tyre sepse vërteton se e ka pasur një ushtar të bindur të saj. Kanë bërë presione pa baza, jo do pengojmë anëtarësimin. Beleri është vegëlë u përdor dhe nuk do të ketë ndikim në marrëdhëniet mes vendeve sepse kështu kanë qenë, grekët kanë qejf sherrin. Kanë filluar edhe mosmarrëveshjet me Turqinë.
–Në shtypin grek është sulmuar edhe gjyqtarja Irena Gjoka?
Janë shkrime të porositura. Ajo është një juriste e mirë dhe e njohur. Ato që boton shtypi grek janë broçkulla, nuk ka asnjë gjë të vërtetë.
-Nasip Naço është paraqitur në SPAK për “CEZ-DIA”, si e sheh?
Ai e di sepse është jurist me përvojë. Por është i detyruar që të jap shpjegime për atë periudhë që ka qenë ministër. Për këtë çështje edhe unë jam thirrur dhe kam dhënë shpjegime, por prokuroria të thërret dhe vijon hetimet e saja. Duhet pritur fjala e drejtësisë.
-Dhëndri i Donald Trump do të investojë në Sazan, është një lajm i mirë për vendin?
Në çdo investim që bëhet nga kompani serioze është lajm i mirë, por kur nuk ka transparencë, janë vendime që nuk janë marr në këshillim me opinionin. Sazani është një pjesë e rivierës shqiptare dhe do të mbetet shqiptar gjithë jetën.
-Si i shihni lajmet për eksponent të PS që shkojnë në dyert e SPAK?
Kryeministri ka bërë zgjedhje të gabuara në aktivizimin në qeverinë e tij të personave të veçantë, të cilët me oreksin e madh për të përfituar në rrugë korruptive, janë ngjyer keqazi. Mos të rendisim listën, por një zv/kryeministër iku, tjetra është në prag të procedimit penal. Ishte një lajm dje që Belinda Balluku është në hetim nga SPAK. Kam patur bindjen që kjo Balluku nuk është e pastër në punën e saj, aq më tepër që rrethi i ngushtë i saj, një pjesë janë të burgosur e arrestuar një pjesë do të shkojnë patjetër. Le të shkojë dhe Balluku, ta provojë një herë atë derë sepse duhet të përgjigjet për pastërtinë e figurës së saj. Por ajo që ka më shumë rëndësi është se përgjegjësia e tyre është personale, penale, politike por përgjegjësi ka dhe kryeministri. Kush i vuri këta? Kush i zgjodhi? Në politikën e emërimeve Rama ka gabuar, ka bërë emërime të nxituara për të zgjidhur ato ide që ai ka në kokën e tij. Në thelb janë stimuluar projektet dhe ka qenë një iniciativë e mirë, por nuk ka kontrolluar ata që ka vënë në zhvillimin e këtyre projekteve. Ata që ka në qeveri sot, shumica janë të përgojuar.
