Ish-kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho i është bashkuar debatit në kuadrin e 80-vjetorit të Çlirimit për qëndrimin ndaj Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Z.Braho është ndalur te polemikat rreth numrit të dëshmorëve, cilësimet për një “luftë civile” dhe rolin e Ambasadës Amerikane në Tiranë. Ai flet gjithashtu për ndikimin e Çelo Hoxhës dhe zgjedhjen e tij në krye të Institutit të Studimeve të Historisë, duke e cilësuar këtë një zgjedhje problematike dhe në kundërshtim me vlerat kombëtare. Z.Braho bën thirrje për mbrojtjen e trashëgimisë antifashiste si një nga arritjet më të mëdha të historisë shqiptare. Gjithashtu, ish-deputeti socialist gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, thekson se nuk ka dëshirë të bëj luftë me këta kundërshtarë politikë, por vetën t’i demaskojë prirjet dhe shpifjet e tyre për mohimin e vlerave universale të antifashizmit dhe parimeve të drejta që mbrojti koalicioni i madh antifashist, atëherë kur këta ballistë dhe fashistë të vërtetë sipas tij, sulmojnë me egërsi Luftën Nacionalçlirimtare si një nga faqet më të ndritura të historisë së kombit tonë.
-Zoti Braho, në kuadrin e 80-vjetorit të Çlirimit është hapur përsëri debati për qëndrimin ndaj Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, për korrigjimin e numrit të dëshmorëve të saj dhe të ashtuquajturën “luftë civile” si dhe qëndrimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë. Cili është mendimi juaj për këtë çështje dhe si e konsideroni zgjedhjen e Çelo Hoxhës në krye të këtij Instituti?
Po, këtyre çështjeve përsëri u janë kundërvënë Sali Berisha, Çelo Hoxha, Agron Tufa etj., duke përsëritur falsifikime të tjera ndaj tyre. Ndërkohë, pseudo-historiani dhe drejtori i Institutit të Studimeve të Historisë së Luftës Nacionalçlirimtare, Çelo Hoxha, është rizgjedhur drejtor i këtij Instituti. Për zgjedhjen e Çelo Hoxhës në krye të këtij Instituti, mendoj se është ndër zgjedhjet e gabuara që ka bërë ky palo Instituti. Kjo nuk vihej në dyshim, por që të vihej përsëri një ballist ekstremist si Çeloja, kjo ishte jo vetëm befasuese, por edhe në kundërshtim me ligjin. Mund të ishte zgjedhur në këtë post një historian i djathtë, fjala vjen Erald Kapri, i cili nuk ka ngarkesa të tilla negative. Por që pas “arratisjes” së Agron Tufës të vendosej një njeri problematik dhe i diskredituar si Çelo Hoxha, kjo ka dëmtuar shumë punën e këtij Institucioni, për shumë veprime dhe qëndrime ekstreme e të papranueshme që ka mbajtur historikisht e publikisht.
Për shembull, ishte pikërisht falsifikatori Çelo Hoxha që botoi dhe etiketoi një libër të botuar me fondet e shtetit, një libër i ngjashëm me dekalogun e Ballit Kombëtar, ku etiketon rreth 265 udhëheqës dhe drejtues të Luftës Antifashiste, formacioneve partizane, midis tyre heronj e dëshmorë, si kriminelë lufte, pikërisht të gjithë zinxhirin komandues të luftës partizane. Madje, sipas këtij falsifikatori, edhe dëshmori 15-vjeçar partizani, Heroi i Popullit Met Hasa, apo mbi 400 të internuarit në kampet e internimit në Shqipëri e Gjermani, s’ishin gjë tjetër veçse kriminelë lufte. Pse e bëri këtë gjë ky falsifikator? Sepse, si ballist dhe drejtues aktiv i Ballit Kombëtar, ai e urren Luftën Antifashiste. Ky pinjoll i paskrupullt me origjinë nga fshati Kolonjë i Gjirokastrës, duke qenë edhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Ballit Kombëtar, nuk është thjesht një neo-ballist apo neo-fashist i moderuar, nga ata që shohim në xhiro në disa vende të Evropës Perëndimore. Tenente Çelo Hoxha, i mbrujtur në magjen teorike të Mit’hat Frashërit, Uran Butkës etj, armiq të luftës për liri të popullit shqiptar, është kthyer në një zëdhënës të këtyre misionarëve antikombëtarë dhe antiperëndimorë. Për sa i përket debatit se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri nuk ishte asgjë tjetër veçse “luftë civile,” kësaj teze budallaqe i ka dalë boja dhe studiues seriozë e historianë të vërtetë, midis të cilëve edhe profesori Paskal Milo, i kanë vënë kapak. Lufta në Shqipëri midis formacioneve partizane dhe popullit në përgjithësi që e përkrahu atë, ishte luftë çlirimtare dhe antifashiste.
-Por si arriti të zgjidhej zoti Çelo Hoxha drejtor i këtij Instituti?
U zgjodh edhe me ndihmën e disa drejtuesve të Partisë Socialiste dhe grupit parlamentar të saj gjoja të moderuar, kur dihej se ky kalemxhi i Ballit Kombëtar është arrestuar që në vitin 2010 për falsifikim, lajm që është pohuar edhe nga Radio e Zërit të Amerikës, e transmetuar më 26 shkurt 2010, ku me masën e arrestit me burg u përfshinë edhe kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, shefi organizativ i saj, Tomorr Gostivari, dhe Çelo Hoxha. Sipas Prokurorisë, ata falsifikuan dokumentacionin dhe firmat e zotit Akil Rama. Të njëjtin lajm ka transmetuar edhe Radio Deutsche Welle. Këto fakte janë thënë dhe bërë të njohura edhe më parë, ndërsa pushteti në atë kohë, i drejtuar nga një neo-fashist si Sali Berisha, që kishte nën hyqmin e tij gjykatën, e përfituan për t’i shpëtuar kryerjes së dënimit. Po ashtu, edhe procedura e zgjedhjes së Çelo Hoxhës u krye me manipulim të votave vetë brenda Bordit të Institutit që bëri emërimin e tij. Pra, u bënë dhe u puqën në krye të këtij institucioni dy fashistë të vjetër, të kamufluar si përkrahës dhe drejtues të Partisë Demokratike. Ata janë vëllezër politikë siamezë ose, siç thotë populli, janë si “tenxherja me kapakun”. Ndodhi që vetë, ose me porosi të dikujt, Agron Tufa, si ish-drejtor i Institutit, u largua për të kërkuar “strehim politik” në Zvicër, por atij nuk i eci palaçollëku, ndaj u kthye me bisht ndër shale dhe vazhdon t’i bjerë burisë së shpifjeve tani në një drejtim tjetër, kundër veprimtarisë së Ambasadës Amerikane.
-Cili ishte qëllimi i “luftës” së Agron Tufës me Ambasadën Amerikane në Tiranë?
Mesa duket, ky njeri i dyshimtë, “i stërvitur” në rininë e tij në shkollat e Bashkimit Sovjetik apo Rusisë së sotme, ka marrë përsipër t’i fryjë burisë së shpifjeve dhe të bëjë gjoja “kritika” se Ambasada Amerikane apo vetë Departamenti i Shtetit Amerikan ka gabuar kur përshëndetën popullin shqiptar për 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë apo se kjo Ambasadë ka rekrutuar apo ka marrë në përbërje të stafit të saj mbi 30-40 punonjës, ish-sigurimsa, nëpunës, ushtarakë e punonjës të tjerë, duke afishuar me radhë në median e shkruar edhe emrat e tyre si njerëz të njollosur e përkrahës të komunistëve të para viteve ’90. Me pak fjalë, ky manipulator ka zbuluar “armiq” që kanë penetruar Ambasadën Amerikane dhe vetë drejtuesit e kësaj Ambasade kanë shitur interesat e SHBA-së te Rusia e të tjera marrëzira. Duke i përmendur këto fakte, nuk kam dëshirë të bëj luftë me këta kundërshtarë politikë, vetëm të demaskoj prirjet dhe shpifjet e tyre për mohimin e vlerave universale të antifashizmit dhe parimeve të drejta që mbrojti koalicioni i madh antifashist, atëherë kur këta ballistë dhe fashistë të vërtetë sulmojnë me egërsi Luftën Nacionalçlirimtare si një nga faqet më të ndritura të historisë së kombit tonë. Prandaj, “lufta” me këta zuzarë politikë ka për të vazhduar, dhe u them troç: ne do ta fitojmë, jo vetëm në përvjetorët e datave të rëndësishme të çlirimit të atdheut, por kurdoherë. Ne, bijtë e pasardhësit e partizanëve dhe të dëshmorëve të atdheut, do të merremi dhe do të mbrojmë ato me vendosmëri çdo ditë.
Intervistoi: Rigels Seliman
