Janë zbardhur detaje të reja nga dosja penale kundër ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shqiptar (SHISH), Vlora Hyseni, e cila është vënë në masën e “Arrestit në shtëpi” për akuzën e “Nxjerrjes së informacioneve sekrete” dhe “Përkrahjes së autorit të krimit”. Në aplikacionin “Signal” të sekuestruar në telefonin e të arrestuarit Ergys Agasi, është konstatuar një intensitet komunikimesh të tij me dy persona të tjerë Izraelitë, ku flasin për një plan arratisje të Vlora Hysenit me qëllim shmangien e një arrestimi të mundshëm nga SPAK.
Këto fakte kanë dalë dhe në vendimin e Gjykatës së Posaçme, ku arsyetohet se komunikimet e ndërmjetësuara nga Ergys Agasi me shtetas të huaj te identifikuar me pseudonimet “Shalev Israel” dhe “Srulik Einhorn Koces”, të cilët përmenden në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me drejtuesen e shërbimit sekret, tregojnë arsyeshëm praninë e një rrjeti ndërkombëtar në funksion të interesave të grupit kriminal, rrjet ky që rrit shkallen konkrete të rrezikut se Vlora Hyseni, po të mbetej në gjendje të lirë, do të kishte akses të privilegjuar ndaj kanaleve të largimit apo të fshehjes që janë jashtë kontrollit efektiv të organeve proceduese Shqiptare.
Agasi u tregonte dy izraelitëve për raportin e afërt me Hysenin. Në një mesazh të dërguar më 22 gusht, shtetasit izraelit të regjistruar në telefon si Shalev Israel, Agasi i shkruante: “E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret.” Ndërsa, në një tjetër komunikim më 6 gusht, përmes aplikacionit “Signal”, Agasi i shkruante izraelitit Srulik Einhorn Koces: “Jemi me fat që këtu e kanë kapur vetë amerikanët dhe e dinë sjelljen e tij dhe diçka tjetër, drejtoresha e shërbimit sekret do të takohet vetë me të dhe do t’i flasë për këtë punë, duke i sjellë prova që prokurori e ka bërë këtë për interesa të tjera.” Këtu nuk kuptohet se kujt i referohet Agasi si një njeri që amerikanët e dinë mirë sjelljen e tij, por duket qartë se sipas tij Vlora Hyseni do ta takojë dhe do t’i çojë prova kundër një prokurori që ka hapur një çështje për interesa të vetat. (nuk kuptohet nëse bëhet fjalë për Dumanin apo ndonjë prokuror tjetër të SPAK që kanë nën hetim Agasin).
Detajet
Srulik Einhorn Koces, i identifikuar me këtë pseudonim nga Prokuroria e Posaçme në dosjen kundër Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, rezulton se është një strateg komunikimi politik që ka shërbyer në disa fushata si këshilltar i kryeministrit Izraelit Benjamin Netanyahu dhe më vonë, i ish-presidentit serb Aleksandër Vuçiç. Emri i tij i vërtetë është Srulik Einhorn, por në qarqet mediatike dhe politike në Izrael, ai njihet edhe si Yisrael Einhorn. Është e paqartë se në çfarë rrethanash ky shtetas është njohur me Ergys Agasin, por sipas SPAK, ai ka shfaqur interes gjatë bisedave për çështje që lidhen me ish-kryespiunen Vlora Hyseni.
“Komunikimet e ndërmjetësuara nga Ergys Agasi me shtetas të huaj, (të identifikuar me pseudonimet Shalev Israel dhe Srulik Einhorn Koces), të cilët përmenden në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me drejtuesen e shërbimit sekret, tregojnë arsyeshëm praninë e një rrjeti ndërkombëtar në funksion të interesave të grupit kriminal, rrjet ky që rrit shkallën konkrete të rrezikut se Znj. Hyseni, po të mbetej në gjendje të lirë, do të kishte akses të privilegjuar ndaj kanaleve të largimit apo të fshehjes që janë jashtë kontrollit efektiv të organeve proceduese”, thuhet në një pjesë të dosjes për Vlora Hysenin, ku arsyetohet pse ajo nuk duhet të lihet në liri. Srulik Einhorn, të paktën deri në Maj 2026, ka shërbyer si këshilltar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç, ndërsa më parë, për disa vite ka qenë këshilltar i lartë i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Vendi i tij, Izraeli e konsideron të arratisur dhe kërkohet të arrestohet për skandalin e rrjedhjes së dokumenteve sekrete izraelite të vitit 2024 dhe aferën e lidhjeve me Katarin.
Einhorn e këshilloi Netanyahun në pesë fushata zgjedhore, nga viti 2019 deri në vitin 2022, ndërsa ka shërbyer si këshilltar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç që nga afërsisht viti 2020. Autoritetet izraelite kanë bërë përpjekje të mëparshme për të rrëzuar Srulik Einhorn në Serbi për përfshirjen e tij në çështjen e lidhjes së Katarit, megjithëse ato ishin të pasuksesshme, me Einhorn që u përpoq të negocionte një marrëveshje me Prokurorinë e Shtetit ku ai nuk do të arrestohej pas kthimit të tij në Izrael. Ai kërkoi që ai të merrej në pyetje në Serbi, gjë që Prokurori i Shtetit fillimisht e refuzoi, duke kërkuar në vend të kësaj ta arrestonte ose ekstradonte atë. Srulik Einhorn ngurronte të udhëtonte për në Izrael, kështu që autoritetet serbe dhe izraelite u koordinuan për të miratuar një “dëbim jashtë shtetit” për të.
Ai është gjithashtu i përfshirë ngushtë në skandalin e rrjedhjes së dokumenteve sekrete izraelite të vitit 2024, ku këshilltarët Jonatan Urich dhe Eli Feldstein morën informacion të klasifikuar (i cili fillimisht u zbulua nga Ari Rosenfeld, një oficer rezervë i IDF-së), dhe ia dhanë Einhorn, megjithëse ai nuk ishte i autorizuar ta merrte atë. Të tre këshilltarët e lartë të kryeministrit Benjamin Netanyahu, Einhorn, Urich dhe Ofer Golan u paditën në shkurt 2025 për akuzat e manipulimit të dëshmitarëve, ku dyshohet se ata bënë plane për të shantazhuar Shlomo Filbe , një dëshmitar kyç në gjyqin e Netanyahut për korrupsion, i quajtur Rasti 4000. Srulik Einhorn u mor në pyetje në korrik 2025 nga Ministria Serbe e Drejtësisë, me dy anëtarë të Njësisë së Hetimeve Ndërkombëtare të Krimit nga policia izraelite gjithashtu të pranishëm, në lidhje me përfshirjen në skandalin e rrjedhjes së dokumenteve sekrete izraelite të vitit 2024, si dhe në çështjen e lidhjes me Katarin. Që nga janari 2026, policia izraelite e konsideron Srulik Einhorn (njohur edhe si Yisrael Einhorn) një të arratisur nga drejtësia me një urdhër arresti në fuqi. Zyra e Prokurorit të Shtetit tregoi në mesin e prillit 2026 se nuk ishte në gjendje ta ekstradonte.
Masa e Vlora Hysenit
Kujtojmë se ish-kryespiunia e Shqipërisë, Vlora Hyseni i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Posaçme të Apelit, për lehtësim të masës së sigurisë. Ajo ndodhet aktualisht në “Arrest në shtëpi” dhe nga shkalla e dytë e drejtësisë, kërkon zbutje të masës. Mirëpo, dy prokurorët që përfaqësojnë akuzën, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, kërkuan më tepër kohë për të përgatitur dosjen e kundërshtimit të zbutjes së masës së sigurimit dhe, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e tyre, duke lënë në fuqi “Arrestin në shtëpi”. Referuar komunikatës zyrtare të SPAK, për Vlora Hysenin janë caktuar masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal. Nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal bëjnë fjalë për Përkrahje të autorit të krimit, në këtë rast Ergys Agasi, në mënyrë që ai t’i shpëtojë kërkimit, kapjes ose arrestimit, si dhe Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete, dhënia e informacioneve të konsideruara sekret ndaj personave të tretë, sërish në këtë rast Ergys Agasi. /gazeta sot/
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
