Me urdhër të SPAK dhe anti-terrorit në policinë e Shtetit gjatë dy ditëve të fundit, janë shoqëruar rreth 20 persona ish anëtarë të MEK “Muxhahedinëve” në Shqipëri. Hetimi ka nisur pas dyshimeve se këta individë ishin në shërbim të autoriteteve iraniane për spiunazh. Gazeta “Sot” e paralajmëroi pak ditë më parë duke zbardhur deklaratën alarmante të ministrit të Inteligjencës së Republikës Islamike të Iranit, Hoxhat-ul-Islam Sejed Ismail Khatib, i cili kërcënoi për trazira në Manëz të Durrësit. Me urdhër të GjKKO-së dje janë kryer edhe disa kontrolle banesash, apartamente me qira dhe zyra ku qëndronin këta persona dhe kryenin aktivitete të ndryshme. Dyshohet se këta persona ishin të infiltruar nga regjimi i RAISIT, në Iran. Kontrollet në banesat e tyre janë kryer pas arrestimit të shtetasit iranian, Bijan Poolagrad, i cili është zbuluar se filmonte bazën e MEK, në Manzë. Nga këqyrja e celularit dhe mjeteve elektronike të tij, janë zbuluar kontakte të tjera, që dyshohen gjithashtu për spiunazh.
Si po përgatitej sulmi ndaj zyrtarëve të MEK në Manëz
Iraniani Bijan Poolagrad akuzohet nga SPAK si pjesë e një celule terroristësh, e cila po planifikonte të kryente sulme ndaj funksionarëve të lartë të opozitës iraniane, të cilët strehohen në kampin Ashfraf 3 në Manëz të Durrësit. Ish-banori i kampit të muxhahedinëve po përballet me drejtësinë shqiptare për disa akuza, si “kryerjes e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur “non grata”, “organizata terroriste”, apo “përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”. Mësohet se i pandehuri dyshohet se bashkëpunonte në punonjës të shërbimeve sekrete iraniane të njohur si Garda Revolucionare dhe merrte pagesa prej tyre. Në shkëmbim, ish-anëtari i grupimit muxhahedin kishte detyrë të fotografonte anëtarët e MEK dhe të evidentonte vendet që ata frekuentonin. Porositë dhe udhëzimet ai i merrte përmes aplikacionit Telegram dhe sipas hetimit po planifikohej vrasja e një figure të lartë të MEK.
Referuar dosjes hetimore rezulton se një anëtar i inteligjencës iraniane e udhëzonte të pandehurin të siguronte një armë kallashnikov në tregun e zi dhe të gjente persona të trajnuar që mund të kryenin vrasje. Hetimet për të pandehurin nisën fillimisht në Prokurorinë e Tiranës, referimit nga drejtoria e antiterrorist, që kishte siguruar kallëzimin e një vajze që pretendonte se Poolagrad, me të cilin kishte ndarë të njëjtën banesë për disa kohë, kishte përdorur telefonin e saj celular. Hetuesit zbuluan se i pandehuri kishte dërguar në adresë të disa personave nga Irani, të shpallur më vonë “nën grata” në vendin tonë, fotografi të kampit të muxhahedinëve në Manzë. I pandehuri, i cili mbahet nën arrest që në 2020, i ka kundërshtuar akuzat dhe pretendon pafajësinë. Ai do të vijojë përballjen e tij me drejtësinë me datë 7 korrik, ditë ku u shty seanca e radhës, pasi e para dështoi, për shkak të mungesës së përkthyesit.
Kërcënimi nga Teherani
Në Shqipëri, herë pas herë ka pasur disa qëndrime në media se strehimi i muxhahedinëve iranianë brenda territorit të vendit tonë mund të na ktheje në një vend të rrezikuar për shkak të konfliktit të vazhdueshëm të tyre me qeverinë iraniane. Ministri i Inteligjencës i Republikës Islamike të Iranit, Hoxhat-ul-Islam Sejed Ismail Khatib, me rastin e përkujtimit të martirëve të 7 Tir-it dhe Javës së Gjyqësorit, ka kërcënuar pak ditë më parë se terroristët që janë strehuar në territorin e Shqipërisë nuk do të jenë kurrë të sigurt nga zjarri i hakmarrjes për krimet e tyre. Ai tha se “ushtarët e panjohur të Imamit të Kohës në frontin e madh të luftës së pareshtur për mbrojtjen e atdheut do të përdorin të gjithë forcën e tyre për të mbrojtur të drejtat e popullit iranian dhe terroristët që janë strehuar në Shqipëri kurrë nuk do të munden t’i shpëtojnë zjarrit të hakmarrjes për krimet e tyre”. Sipas ministrit iranian të Informacionit, terroristët e MEK po vihen gjithnjë e më shumë në shërbim të liderëve të terrorizmit zyrtar dhe shtetëror, si ish-presidenti amerikan Donald Trump dhe zëvendësi i tij, Mike Pence dhe ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. Në këtë mesazh Khatib theksoi: “Këta kriminelë janë gjithnjë e më shumë të frikësuar nga hakmarrësit e gjakut të heroit të madh të Islamit, gjeneralit Kasem Soleimani”.
Marrëveshja e Shqipërisë me SHBA
Muxhahedinët iranianë ose Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK) është grupi kryesor opozitar ndaj regjimit të Iranit. Ata janë strehuar në vendin tonë në një kamp të ngritur në periferi të Tiranës pranë zonës së Manzës, që prej vitit 2013. Ishte një marrëveshje e qeverisë shqiptare, asokohe e drejtuar nga Sali Berisha, me SHBA-të për të strehuar në vendin tonë një numër prej rreth 300 muxhahedinësh me statusin e azilantit politik. Kjo marrëveshje erdhi fill pasi Uashingtoni e hoqi këtë organizatë nga lista e grupeve terroriste që veprojnë në botë. Ky grupim, i cili nga regjimi aktual i Iranit konsiderohet terrorist, është krijuar në vitin 1965 dhe nga pjesa më e madhe e botës perëndimore (përfshirë edhe Shqipëria) njihen si opozita iraniane në emigracion. Në fillimet e krijimit të tyre ata kanë qenë në opozitë me udhëheqësin e Iranit deri në vitet ‘70, Mohammad Reza Shah. Pas përmbysjes së regjimit të tij dhe triumfit të revolucionit islamik, kjo organizatë sërish mbeti në opozitë, pasi ishte kundër organizimit shtetëror që bëri lideri Ajetullahu Ruhollah Homeini. Në këtë situatë ku u shpallën të padëshiruar në vendin e tyre, ata u larguan nga Irani. Një pjesë emigruan në vendet perëndimore dhe një pjesë shumë e madhe u strehuan në Irak, ku ngritën kampin “Ashraf”. Pas konfliktit të SHBA-ve në Irak dhe hyrjes së ushtrisë amerikane në këtë vend për të rrëzuar regjimin e Sadam Husein, muxhahedinët iranianë dolën në krah të SHBA dhe ushtrive të NATO-s. Pasi ushtria e SHBA-ve mori në kontroll gjithë territorin, ky grupim filloi zhvendosjen nga kampi i krijuar në Irak. Në vitin e fundit të mandatit të tij si Kryeministër, Sali Berisha ra dakord me Sekretaren e Jashtme të SHBA-ve në vitin 2013, Hillari Klinton, që nga Iraku të mbërrinin në Tiranë 270 muxhahedinë. Këta të fundit morën të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe u trajtuan me statusin e azilantit politik.