Kreu i nismës “Thurje”, Endri Shabani, i cili është një ndër politikanët e rinj që ka guxuar të shkundë klasën aktuale politike, duke denoncuar çdo padrejtësi që iu është bërë qytetarëve shqiptarë në këto 30 e ca kusur vite demokraci nga pushtetarët e korruptuar dhe inkriminuar, shpreh bindjen se Shqipëria është në prag të mbylljes së një epoke politike. Sot që flasim laku po ngushtohet gjithnjë e më shumë në “qafën” e abuzuesve me pushtetin, bashkëpunëtorëve dhe mbështetësve kryesorë të krimit të organizuar dhe trafikut në Shqipëri. Të veshur me pushtet, për gati 30 vite me radhë, ata, pra pushtetarët e korruptuar e inkriminuar të çdo lloj force politike, kanë qenë në krye të të gjithë punëve të pista që janë bërë në këtë vend, duke marrë dhe statusin e të pandëshkueshmëve. Por falë SPAK dhe mbështetjes së vyer të ndërkombëtarëve, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po jepen sinjale se mbijetesa e tyre, mes pushtetit, parave të krimit e trafiqeve, pritet të marrë fund dhe se kushdo që është përfshirë në zullume do të përballet me drejtësinë e re. Personazhe “VIP”, Ilir Meta, Sali Berisha, ish-ministra e ministra socialistë janë duke u hetuar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërkohë që sa i takon këtyre zhvillime të rëndësishme dhe jovetëm ka folur edhe zoti Shabani. Ky i fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT” paralajmëron lajme “bombë” për Berishën, Metën dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tyre që kanë shkaktuar grabitje masive, teksa gjithashtu zbulon arsyet se pse kryeministri Edi Rama nuk i lëshon ish-ministrat Frida Krifca dhe Ilir Beqaj edhe pse janë nën hetim.
-Zoti Shabani, si e shihni rastin e Frida Krifcës me abuzimet me fondet e BE? Ju keni bërë një denoncim në SPAK, çfarë përmban kallëzimi dhe a kanë prova prokurorët specialë për të nisur arrestimet? Kush janë “kokat” e tjera të përfshirë në këtë situatë?
Ky është një rast tipik ku tregon se shqiptarët janë tradhtuar nga qeveria e tyre. Këto fonde kanë ardhur për të ndihmuar fermerët shqiptarë, për të ndihmuar peshkatarët shqiptarë, të cilët sot përballen me një konkurrencë shpesh të padrejtë me fermerët apo peshkatarët e rajonit, apo edhe vende të tjera të mëdha. Qeveria jonë, në vend që t’i ndihmojë ata, i merr paratë që janë për ta dhe ua jep oligarkëve dhe grupeve kriminale, të cilët na paraqiten si biznesmenë që po zhvillojnë turizmin. Ky rast tregon përse ky vend nuk është sot ende në Bashkimin Evropian, ashtu si vendet e tjera të vogla, të cilat kanë një histori të ngjashme me tonën, apo janë po kaq të mëdha sa Shqipëria. Dhe ky vend nuk është sot në Bashkimin Evropian, jo sepse nuk duan shqiptarët, jo sepse nuk do Bashkimi Evropian, por sepse është kapur prej fyti nga një grup I vogël njerëzish të korruptuar.
-Së fundmi në media është zbuluar se kryeministri Edi Rama pasi e shkarkoi Frida Krifcën, e ka marrë sërish në kabinetin e tij si këshilltare? Çfarë interesash fshihen në këtë mes duke ditur se ajo është nën hetim nga SPAK?
Nuk di të them përse ka ndodhur kjo, por besoj se kjo tregon që Rama nuk është shumë i shqetësuar për korrupsionin e kabinetit të tij. Nëse do ishte e vërtetë që kabineti i tij “ha dardha pas shpinës së tij” ky rast, apo rasti i ish ministrit Beqaj, tregon se në fakt dardhat i hanë bashkë, por dhëmbët i mpihen vetëm atyre që kapen nga SPAK-u.
-A ka ardhur fundi i një epoke politike pas goditjes që i bëri SPAK familjes “Berisha”?
Nuk ka asnjë dyshim që periudhës së pandëshkueshmërisë dhe të paprekshmëve në politikë i ka ardhur fundi. Kjo u konfirmuar nga familja Berisha dhe nga thirrja në SPAK e Ilir Metës, por edhe nga arrestimet e ministrave, deputetëve dhe kryebashkiakëve të mazhorancës qeverisëse. Mos harroni se një pjesë e mirë e çështjeve për të cilat sot po hetohen këta zyrtarë të lartë janë mbyllur nga drejtësia në të shkuarën.
-Pse Berisha nuk pranon të paraqitet para SPAK? Mendoni se e ka nisur gabim luftën me drejtësinë?
Sali Berisha është një politikan që e ka sulmuar gjithmonë drejtësinë, kështu që nuk ka se si të jetë ndryshe këtë herë që drejtësia po fiton guximin ta trajtojë atë si një qytetar i zakonshëm. Përsa i përket nëse kjo është një strategji e gabuar, mendoj që po, por siç thash është brenda pritshmërive.
-Si i shikoni pozitat e Ilir Metës pas goditjes së Berishës? A është i trembur nga drejtësia e re?
Mirë do bënte të ishte i trembur nga drejtësia, ashtu si çdo politikan i korruptuar që e kupton se ka ardhur dita për tu përballur me zullumet që ka bërë në dekada. Tani, sigurisht atij i pëlqen ta paraqesë veten e tij si politikan i fortë, nga ata që i ‘thyejnë në mes’ kundërshtarët, por ajo ka qenë në një epokë kur e kishte vënë drejtësinë përfund.
-Dosja e SPAK për aferën e ish-kompleksit Partizani ka nxjerrë në skenë dhe bashkëpunëtorët demokratë me funksione të larta në PD, si rasti i Oerd Bylykbashit që është përdorur nga Berisha për të shantazhuar ushtarakët, a mendoni se kjo është një nga arsyet që shumë deputetë nuk po e braktisin Berishën pasi janë zhytur bashkë me të në afera?
Nuk di të them përse deputetë të caktuar apo votues të PD-së vazhdojnë t’i shkojnë mbrapa dikujt që e ka perënduar karrierën e tij politike. Por e sigurtë është që çdo ditë e më pak ka njerëz që refuzojnë ta shohin realitetin në sy. Koha e Sali Berishës ka mbaruar! Dhe bashkë me të, po mbaron edhe koha e një klase politike që për 30 vjet ka qeverisur këtë vend siç i ka dashur qejfi, ka ndërtuar vila ndërkohë që ky popull është varfëruar çdo ditë e më shumë.
-A duhet të shtrihet vetingu pasuror në politikë? Gjyqtarët ikin nga faturat e dritave, po deputetët që kanë vila në bregdet, makina luksoze e dhjetëra apartamente?
Padyshim që të gjithë politikanët që kanë qeverisur në këto 30 vite duhet t’i nënshtrohen hetimit pasuror. Këta nuk kanë hezituar që të na shesin tangëllëk me paratë që na kanë vjedhur. Kanë ndërtuar vila luksoze, kanë blerë makina të shtrenjta, veshin ora dhe çanta mijëra euroshe, përballë një populli që ka rrogat më të ulëta në Evropë. Dhe të gjithën këtë e kanë bërë duke deklaruar vetëm rrogat e shtetit. Më thoni ju si mund të jetojë dikush në saraje miliona euroshe duke deklaruar vetëm rrogën si ministër apo kryeministër? Kështu që padyshim që duhet bërë hetim pasuror për këdo që ka menaxhuar fondet publike.
Intervistoi: Rigels Seliman
