E shtunë, 26 Shtator, 2026

Sot festa e Sulltan Nevruzit, Baba Mondi: Përmes paqes arrihet çdo gjë! Uron edhe politika në Tiranë

Share

Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë ringjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

Nga kremtimi i festës në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj ka dhënë mesazhin e tij duke thënë se përmes paqes, dashurisë dhe mirësisë arrihet cdo gjë duke iu referuar luftës në Ukrainë.

“Në këtë ditë lind shpresa. Shpresojmë për të ardhme më të mirë, paqësore e të begatë”, tha Baba Mondi.

Ndërsa kreu i qeverisë, Edi Rama e ka nisur me urimin për besimtarët bektashinj duke i uruar që pranvera të çelë në zemrën e tyre. Një mesazh e pati edhe Ilir Meta, i cili tha se nuk mund të festohet pranvera pa të rinjtë, ndaj duhet të punojnë që t’i sigurojnë të ardhme të mirë në vend. Ndërsa Sali Berisha nuk e kurseu këtë ditë akuzën për Edi Ramën duke thënë se uron harmoni dhe pa monizmin e narkoshtetin e ‘Sulltan Salep Surrelit’.

Në kremtimin e festës, të pranishëm ishin edhe kryetari i KMSH Bujar Spahiu, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ambasadorja e SHBA Yuri Kim, ambasadori ukrainas Volodymyr Shkurov, ambasadorja e Izraelit Galit Peleg si dhe përfaqësues të opozitës si Ina Zhupa, Belind Këllici, Silva Caka, Ilir Alimehmeti dhe Tomorr Alizoti. Në këtë ditë feste, u inaugurua edhe busti i Imam Aliut.

Sot festa e Sulltan Nevruzit, Nikolla: Ditë e hareshme, simbolizon gjallërimin e natyrës dhe të njeriut

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, urim me rastin e festës së Sulltan Nevruzit: Festival i gjallërimit të natyrës dhe gëzimit të njerëzve.

“Sulltan Nevruzi, kjo ditë e hareshme, është shndërruar vit pas viti në një festival që përshëndet dhe simbolizon gjallërimin e natyrës dhe të njeriut.
Është festa e besimtarëve bektashinj, por edhe e njerëzve që u bashkohem atyre dhe që  gëzojnë ardhjen e stinës së re, lindjen e ngrohtësisë, ndriçimin e dritës, ringjalljen e shpresës, triumfin e të mirës, forcën e besimit, shpërthimin e gëzimit, lumturinë që rrjedh prej paqes e harmonisë.

Gëzuar të gjithëve që e kremtojnë Sulltan Nevruzin, kudo ku ndodhen!”, shkruan Nikolla.

Veliaj uron për Festën e Sulltan Nevruzit: Paçi mbarësi, begati dhe shumë harmoni në familjen tuaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, uron gjithë besimtarët bektashinj për Festën e Sulltan Nevruzit, e cila njihet si dita e fisnikërisë dhe e ringjalljes së madhe.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj shkruan: “Gëzuar festën e Sulltan Nevruzit të gjithë Komunitetit Bektashian! Paçi mbarësi, begati dhe shumë harmoni në familjen tuaj!”.

Rama uron besimtarët për festën e Sulltan Nevruzit: Pranvera të çelë në zemrat tuaja si vetë kuptimi i kësaj dite

Kryeministri, Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët për festën e Sulltan Nevruzit që festohet ditën e sotme.

Nëpërmjet një postimi në facebook, Rama e konsideron datën 22 mars si një ditë të bekuar që simbolizon edhe vetë nisjen e stinës së pranverës.

“Mirëmëngjes dhe në festën e Sulltan Nevruzit, uroj që pranvera të çelë në zemrat tuaja si vetë kuptimi i kësaj dite të bekuar”-shkruan Rama.

Berisha uron bektashinjtë: Sulltan Novruzi tjetër të na gjejë për Sulltan Salep Surrelin

Ish-kryeministri Sali Berisha ka uruar besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Novruzit. Ai uron besimtarët duke u lutur që Sulltan Novruzi tjetër të na gjejë më mirë në paqe, harmoni dhe pa monizmin e narkoshtetin e Sulltan Salep Surrelit
“Të dashur miq, Bektashinjve shqiptarë ju uroj nga zemra gëzuar ditën e madhe dhe të bekuar, Sulltan Novruzin. Kjo ditë për bektashinjtë dhe mbarë besimtarët e Zotit, është ditë besimi, mbarësie dhe shprese.
Për të gjithë ne, ditë e lindjes, jetës dhe shpresës së pashuar! Le të urojmë që Sulltan Novruzi tjetër të na gjejë më mirë në paqe, harmoni dhe pa monizmin e narkoshtetin e Sulltan Salep Surrelit”, shkruan Berisha, që politizon kështu edhe festat fetare.

Mesazhi i Ilir Metës për festën e Sulltan Nevruzit: Pranverë pa të rinj nuk ka! Të arrijmë objektivat që të qëndrojnë këtu me besim për të ardhmen

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilri Meta ka dhënë mesazhin e tij për festën e Sulltan Nevruzit duke thënë se nuk ka pranverë pa të rinj. Sipas Metës, është e rëndësishme që të arrihen qëllimet në mënyrë që të rinjtë të gjejnë të ardhmen në Shqipëri, jo ta kërkojnë diku tjetër.

“Kënaqësi e veçante të uroj të gjithë besimtarët bektashianë dhe qytetarët shqiptarë në këtë ditë kaq të rëndësishme të ekuinoksit pranveror, në këtë ditë optimizmi pranveror, lindje dhe gjallërimi e vërtetë të bekuar, por edhe në këtë ditë të demokracisë se ne 22 marsin e kemi edhe ditë demokracie. Jam shumë i lumtur të shoh një pjesëmarrje si asnjëherë më parë në këtë festë të Sulltan Nevruzit në Kryegjyshatën Botërore. Ishte kënaqësi të përcillja urimet më të përzemërta Baba Mondit për të gjithë besimtarët bektashianë dhe popullin tonë që të jemi të bashkuar, optimist dhe të arrijmë objektivat që i bëjnë të rinjtë të qëndrojnë këtu me besim të plotë për të ardhmen. Pranverë pa të rinj nuk ka”, tha Meta.

Presidenti Begaj uron për festën e Sulltan Novruzit, takohet me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve: Shëndet, mbarësi e lumturi

Me rastin e ditës së Sulltan Novruzit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vizitoi sot Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku u takua me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Shenjtërinë e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Presidenti Begaj përfitoi nga rasti të shprehte një urim për të gjithë besimtarët bektashianë në përfundim të vizitës së tij. “Erdha sot të uroj besimtarët bektashinj për Festën e Sulltan Novruzit, ditën e lindjes së Imam Aliut, ditën e fisnikërisë bektashiane! Kënaqësi të takoja Kryegjyshin Botëror, në këtë ditë të rëndësishme!” tha Presidenti Begaj në deklaratën e tij për shtyp.
Kreu i Shtetit shtoi më tej: “Uroj të gjithë besimtarët bektashinj, shëndet, mbarësi, lumturi e paqe në familjet e tyre dhe kudo! Kjo ditë e veçantë përkon me stinën e pranverës, me ngjyrat, optimizmin dhe gjallërinë që ajo ka! Kështu që uroj të gjithë shqiptarët, të kenë pranverë në jetët e tyre, të kenë shëndet dhe lumturi!”
Presidenti Begaj së bashku me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Shenjtërinë e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, vizituan edhe statujën e Imam Aliut të përuruar ditën e sotme.

Alibeaj takohet me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve: Urime shqiptarëve për këtë festë të ringjalljes

Me rastin e festës së Sulltan Novruzit, kryetari i komanduar i PD-së, Enklejd Alibeaj ka takuar Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve e nga aty uroi të gjithë shqiptarët për më shumë mbarësi.

“Erdha sot sëbashku me kolegen time Bakiu për të uruar kryegjyshin botëror dhe me këtë rast të gjithë bektashinjtë dhe gjithë shqiptarët për këtë festë të ringjalljes, së optimizmit dhe për shpresën që shqiptarët aq shumë e kërkojnë dhe që ditë të bukura si kjo e sotmja të kenë gjatë gjithë vitit”, tha Alibeaj.

Te tjera

Lajme te tjera