Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj i ftoi fermerët të aplikojnë në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025, pasi mbeten vetëm pesë ditë deri në mbylljen e aplikimeve.
“Aplikoni online përmes portalit e-Albania dhe përfitoni mbështetje për: blegtorinë, bletarinë, farat dhe fidanët, bimët mjekësore, aromatike, fermat organike, certifikimin Global Gap, si edhe naftën për punimet e mekanizuara në bujqësi”, u shpreh Denaj.
Thirrja për aplikime, në tetë masat mbështetëse të Skemës Kombëtare në Bujqësi 2025, u çel më 14 prill 2025 dhe do të vijojë të jetë e hapur deri më 30 maj 2025.
Qeveria përmes Skemës Kombëtare në Bujqësi adreson subvencione të drejtpërdrejta për fermerët dhe blegtorët duke i mbështetur ata në uljen e kostove dhe nxitjen e potencialit të prodhimit bujqësor vendas, që është mjaft i kërkuar nga tregu vendas si dhe për eksport.
Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural financoi 67 133 fermerë në shkallë vendi, përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2024. Nga të cilët 52 195 fermerë përfituan mbështetje për naftë, 3 503 fermerë u financuan për tufën bazë të matrikulluar gjedhë, 5 089 për tufën bazë të matrikulluar të imta, 4 056 për bletarinë, 105 për fermat organike, 3 fermerë për certifikimin Global Gap, 1406 fermerë për fara, fidanë dhe inpute të tjera dhe 75 fermerë u financuan për bimët mjekësore – aromatike.
Pagesat u realizuan në masën 100%, me një fond total prej 5,2 miliardë lekësh.