Kombëtarja shqiptare luan sot ndeshjen e parë të “EURO 2024”, një kompeticion ku arritëm të kualifikoheshim falë edhe punës së mirë të trajnerit brazilian Silvinjo
Më 2 janar të vitit 2023, braziliani u emërua në krye të kuqezinjve, duke zëvendësuar italianin Edi Reja. Silvinjo ishte mes shumë emrash që diskutoheshin, por pak dihet se si FSHF e zgjodhi për të drejtuar kombëtaren tonë.
Këtë sekret, e ka zbuluar kryeministri Edi Rama së fundmi, në një intervistë për median italianë “Tutto Sport”. Rama ka thënë se ka qenë këshilla e Romerto Mançinit, ish-futbollistit dhe trajnerit të kombëtares italiane, që solli Silvinjon në Shqipëri.
“Me De Biazin kemi ardhur për herë të parë në Kampionatin Europian. Reja arriti një tranzicion të vështirë, por grumbulloi më shumë pikë se të gjitha edicionet e tjera kualifikuese të Kombëtares shqiptare. Më mirë të mos flasim për Panuçin. Por unë do t’ju them një sekret. Këshilla e një tjetër italiani të madh ndikoi në zgjedhjen e Silvinjos, Roberto Mançinit. Futbolli italian ishte parajsa jonë kur ne jetonim në ferrin komunist. Zërat e Sandro Kiotit dhe Bruno Pizul patën një efekt të papërshkrueshëm te ne, duke mos u ndierë vetëm në këtë vrimë të zezë. Kur pamë Kupën e Botës në duart e Dino Zof, na u duk sikur ishte në duart tona.”– tha Rama.