Shteti shqiptar humbet sërish përballë biznesmenit italian Francesco Becchetti, lidhur me mbylljen e televizionit të tij “Agon Channel” në 2015. Arbitrazhi ndërkombëtar (Qendra Ndërkombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve të Investimeve) vendosi në favor të Becchettit duke detyruar shtetin shqiptar të paguajë dëmshpërblim rreth 110 milionë euro ndaj. Pra, ky institucion juridik i lidhur me Bankën Botërore mbështeti vendimin e Gjykatës Europiane të Strasburgut në 24 prill 2019, që konsideroi të ligjshme padinë e sipërmarrësit italian ndaj shtetit shqiptar. Për rrjedhojë, Becchetti, partnerët dhe familjarët e tij do të përfitojnë në total 108 milionë euro si dhe do paguhen dhe shpenzimet e 2 arbitrazheve 600 mijë euro në Strasburg dhe 145 mijë dollarë për këtë të ICSID. Konkretisht, Beçhetti dëmshpërblehet 41 milionë euro, Mauro De Renzis 46.7 milion euro dhe Stefania Grigolo rreth 11.7 milionë euro. Në këtë mënyrë, Shqipërisë i krijohet një tjetër “gropë” e madhe në buxhet, pasi duhet të dëmshpërblejë për një shifër kolosale biznesmenin italian. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku refuzuan me kokëfortësi që shteti shqiptar të dëmshpërblejë sipërmarrësin italian, të cilin e ka dënuar me burg.
Faksimile nga vendimi i ICSID
“Gjykata e Revizionit vendosi: a. Rrëzimin e Aplikimit për Rivlerësim nga i Padituri, sipas rregullit 41(5) të ICSID të Rregullave të Arbitrazhit, si pa bazë ligjore; b. Refuzon kërkesën e paraqitësve të kërkesave për të ndarë të gjitha pagesat paraprake për palën përgjegjëse; c. Refuzon kërkesat e paditësve për siguri për kostot e këtyre procedurave të rishikimit dhe për shumat e duhura sipas çmimit; d. Refuzon kërkesën e palës përgjegjëse për të urdhëruar paditësit që të hyjnë në sugjerimin e palës përgjegjëse mekanizëm ruajtjeje; e. Urdhëron secilën palë të përballojë tarifat dhe shpenzimet e veta ligjore; dhe f. Urdhëron palën të përballojë shpenzimet e procedurës së rishikimit”, shkruhet në vendimin e Qendrës Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve të Investimeve në Bankën Botërore.
Rama: Histori e përsëritur, Becchetti nuk ka për të marrë gjë!
Pas publikimit të lajmit për vendimin e Arbitrazhit në favor të Francesco Becchettit, kryeministri Edi Rama e konsideroi këtë lajm si histori e përsëritur, që nxirret enkas në medias sa herë që fillojnë fushatat zgjedhore në Shqipëri. Ai theksoi se si zakonisht, Becchetti nuk do të dëmshpërblehet nga shteti shqiptar. “Para çdo fushate del që Beccheti i dënuar me 16 vjet burg për mashtrim, i mori Shqipërisë 100 mln €! Pastaj shokët e tij këtu humbin zgjedhjet dhe kur vjen fushata tjetër del që s’i ka marrë atëherë po i mori tani! Prapë kështu do ndodhë me shokët e mashtros! Deri fushatën tjetër!”, komentoi Rama në llogarinë e tij në “Twitter” për çështjen “Becchetti”.
Balluku: Asnjë shans të mbahet peng Shqipëria nga një kriminel si Becchetti
Në një linjë me shefin e saj, ishte dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku. Pas mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave, Balluku deklaroi se shtetet nuk e kanë detyrueshme të zbatojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare në dëm/favor të tyre. Ndaj, ajo e bëri të qartë se biznesmeni Becchetti nuk do t’i paguhet fatura e dëmshpërblimit 110 milionë euro nga shteti shqiptar. Ajo e cilësoi skandaloze që Shqipëria të mbahet peng nga një kriminel, siç e cilësoi Becchettin. “Më vjen keq që ndjej nota kënaqësie në vendimin e Arbitrazhit. Nuk jemi ajo forcë që dalim themi e del një vendim gjyqi që na e ndryshon. Shtetet kanë të drejtë të mos marrin parasysh vendimet e Eksidit (ICSID). Nuk ka shans që Shqipëria të merret peng nga një kriminel i këtij niveli”, iu përgjigj Balluku mediave lidhur me lajmin e fitores së sipërmarrësit Beçhetti ndaj shtetit shqiptar në Arbitrazhin e Bankës Botërore.
Shqiptarët do i paguajnë 110 milionë euro Francesco Becchettit për kapriçot e Edi Ramës, biznesmeni italian fiton gjyqin, qeveria paralajmëron se nuk do ta njohë vendimin e Arbitrazhit
Share
Te tjera
