E diel, 20 Prill, 2025

Shqipëria tenton të bëjë skuadrën e madhe, por miqësoren në “Air Albania” e fiton Italia, kuqezinjtë munden 3 me 1 nga axurrët

Share

Miqësorja e luksit mes Shqipërisë dhe Italisë e luajtur mbrëmë në stadiumin “Air Albania” të Tiranës, në prani të afro 20 mijë vetëve, u fitua nga “axurrët” me shifrat 3-1, ku përgjithësisht loja ishte spektakolare nga të dy ekipet, me shumë raste, me disa shtylla të goditura nga secila skuadër, por në fund një miqësore e fituar nga italianët me përvojën dhe staturën e tyre ndërkombëtare në futboll.

Pjesa e parë, vetëm 20 minuta kuqezi

Shqipëria e nisi mjaft mirë ndeshjen, ku Broja dhe Uzuni në 10 minutat e para ishin rrezik konstant për mbrojtjen italiane, duke krijuar raste dhe duke ndezur atmosferën në stadiumin “Air Albania”. Në minutën e 16-të stadium “merr flakë”, pasi Ardijan Ismajli shënon golin e parë të takimit, një supergol me kokë. Pas një goditjeje dënimi, Bajrami hedh krosimin në zonë, aty ku Ismajli kërcen saktë dhe dërgon topin në trekëndësh. Ky gol i dha shumë entuziazëm skuadrës që u hap shumë para, duke pretenduar të jetë e barabartë me një skuadër të madhe si Italia, por gaboi, pasi Italia, edhe pse është ekip që nuk është kualifikuar në Botëror, mbetet një nga përfaqësueset më të mëdha të botës. Italianët do të reflektonin shpejt dhe barazuan në minutën e 20-të me anë të Di Lorenzos, ku një krosim nga e majta e sulmit të tyre, e shfrytëzoi Di Lorenzo mjaft mirë, me një goditje me të parën dhe barazon shifrat 1-1. Nga ky moment ndeshja flet për italianët, që gjejnë golin e dytë dhe përmbysin rezultatin e ndeshjes në minutën e 25-të. Një aksion nga krahu i djathtë i italianëve, i shpejtë dhe i saktë si skemë, gjen zbuluar mbrojtjen tonë dhe Raspadori pason për Grifon që në një pozicion të favorshëm mposht Berishën. Ky gol e demoralizoi shumë ekipin tonë kuqezi, që u shthur në mesfushë dhe Italia e kontrolloi lojën në gjysmëfushën tonë dhe krijoi mjaft raste shënimi. Në minutën e 45-të italianët patën rastin më të mirë për ta trefishuar rezultatin, por gjuajtja e Zaniolos u ndal nga shtylla e majtë pingule e portës së Berishës. Dy minuta më parë Tonali la fushën i dëmtuar dhe doli me barelë. Pjesa e parë mbyllet 1-2 në favor të italianëve.

Pjesa e dytë

Pjesa e dytë nis me kuqezinjtë në sulm, ku në minutën e 48-të ishin pranë golit. Por goditja me kokë e Kumbullës u ndal nga portieri italian që largoi me vështirësi në shtyllën e djathtë. Broja dëmtohet në të 49- e në vend të tij futet Odise Roshi, që dje bëri 70 ndeshje me Kombëtaren. Në të 52’ Grifo trondit traversën me një goditje të fuqishme nga brenda zonës. Në minutën e 54-t kuqezinjtë bëjnë spektakël, ku protagonist është Uzuni, fillimisht me traversë e më pas me asist për Roshin, gjuajtja e të cilit u prit nga portieri italian. Më pas loja stabilizohet. Por një zënkë e Bares me Verratin e ndez sërish atmosferën. Në të 62’ Bajrami godet traversën, por përpjekja nuk arrin të konkretizohet me gol. Në ffillim të minutës 64-t, një aksion pa pretendime i italianëve shndërrohet në gol nga Grifo, që gjuajti fort e saktë nga brenda zonës. Rezultati shkon 3-1 në favor të italianëve. Në të 76’ kuqezinjtë afrohen sërish tek goli me Roshin, që e asistoi si duhet Lenjani, por portieri mik ishte në lartësinë e duhur. Minutat e fundit protagonist ishte Skuka i Partizanit që bën disa veprime e gjuajtje të bukura, por topi nuk u fut në rrjetë. Fitoi përfundimisht Italia 3-1 këtë miqësore, ndërsa trajneri reja duhet të përgatisë kuqezinjtë për ndeshjen me Armeninë më 19 nëntor, po në “Air Albania”.

Te tjera

Lajme te tjera