Edhe pse në Tiranë mazhoranca e konsideron të mbyllur çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku në raport me kërkesën e SPAK për arrestim, në Bruksel, në Bruksel hetimet ndaj ish nr. 2 të qeverisë i shikojnë me kujdes. Komisionerja për Zgjerim Marta Kos tha se Brukseli po e monitoron me vëmendje këtë temë.
Duke folur në samitin “Evropa konkurruese” të POLITICO, për Kos SPAK po bën një punë të shkëlqyer.
“Ka edhe disa raste, dhe ju keni përmendur rastin e Ballukut të cilin po e monitorojmë me shumë kujdes. Ju e dini, SPAK-u, agjencia e antikorrupsionit në Shqipëri po bën një punë të shkëlqyer, dhe është në njëfarë mënyrë normale që ata të zbulojnë raste. E rëndësishmja është të shihet që nëse këto çështje ekzistojnë, cilat janë reagimet, dhe këtë ne gjithashtu po e monitorojmë”,- tha Kos.
Teksa ende po fliste për Shqipërinë gjatë intervistës, zyrtarja e lartë e Bashkimit Europian tha se eliminimi i korrupsionit në një vend, nuk varet vetëm nga ligjet anti-korrupsion që miratohen, por edhe nga mendësia e popullit në raport me fenomenin.
“Një tjetër çështje me antikorrupsionin e cila është tipike do të thosha për të gjithë vendet kandidate, është se mund të kesh legjislacionin më të mirë për të luftuar korrupsionin, por nëse korrupsioni pranohet në atë vend, atëherë juve keni një problem tjetër. Kështu që të gjitha këto vende po kalojnë nëpër procesin e ndryshimit të mendësisë në raport me korrupsionin dhe kjo kërkon kohë”,- tha Kos.
Deklaratat e Kos për korrupsionin nxitën edhe reagimin e kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi. Ai shkruan ndër të tjera se qëndrimi i Komisioneres Kos është i pabesueshëm pasi sipas tij reagimi bën bashkëpërgjegjës për korrupsionin e Edi Ramës shoqërinë shqiptare.
Në samitin e zhvilluar në Bruksel, Komisionerja Kos hodhi idenë se vetë BE-ja duhet të gjejë rrugë të reja për të anëtarësuar vende të tjera, dhe për të gjithë shtetet që nuk bien dakord u bëri thirrje për të propozuar idetë e tyre.
