Partia Demokratike ka akuzuar mazhorancën se po tenton të rikthejë modelin e reformës territoriale të vitit 2014, duke paralajmëruar se projekti i qeverisë do të thellojë shpopullimin dhe largimin e qytetarëve nga shërbimet publike.
Bashkëkryetari i grupit të punës së PD-së për reformën territoriale, deputeti Luçiano Boçi, tha se propozimi i socialistëve nuk është rezultat i një analize funksionale, por një vendim politik. ‘Është këngë e vjetër me muzikë të re. Është po e njëjta hartë që rrezikon të sjellë të njëjtat pasoja që sot i përjetojmë: diskriminim, mos-shërbim, mos-përfaqësim dhe mungesë autonomie’, deklaroi Boçi.
Sipas tij, reforma duhet të nisë nga qytetari dhe jo nga numri i bashkive. ‘Një reformë territoriale ka për qëllim të rrisë funksionalitetin e pushtetit vendor, t’i shërbejë më mirë qytetarit dhe të garantojë zhvillim të njëtrajtshëm të territorit’, tha ai.
Boçi kundërshtoi bashkimet e propozuara nga PS, duke marrë si shembuj Librazhdin me Prrenjasin, Memaliajn me Tepelenën dhe Elbasanin me Cërrikun e Belshin. Sipas tij, këto vendime nuk kanë bazë ekonomike apo identitare, por lidhen me interesa politike.
‘Qëllimi është më se politik. Nuk nisemi nga decentralizimi, por nga centralizimi për të prodhuar gjoja decentralizim’, u shpreh përfaqësuesi demokrat.
PD prezantoi gjithashtu projektin e saj për reformën territoriale, ku propozon rritjen e numrit të bashkive dhe rikthimin e kompetencave, financave dhe shërbimeve pranë qytetarëve.
Boçi kërkoi që vendimi për hartën e re territoriale të mos merret vetëm në Kuvend, por përmes referendumit. ‘Kjo reformë nuk mund të kalojë me vota në parlament. Duhet të jetë qytetari ai që vendos për modelin që i shërben më mirë interesit të tij’, deklaroi Luçiano Boçi.
