Rigels Seliman
Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Tiranës, Shkëlqim Hajdari komentoi situatën politike në vend. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, ai u ndal fillimisht te hetimet për “21 Janarin”, duke thënë se të gjithë kanë kërkuar një hetim të plotë të kësaj ngjarjeje, teksa zbuloi për herë të parë se bashkë me kreun aktual të SPAK-ut, Altin Dumani, kanë qenë pjesë e mbrojtjes së akuzave për këtë dosje në Apel. Sipas Hajdarit, fakti që po hetohet nga një prokuror që ka pasur dijeni për këtë dosje, është sinjal i mirë. Ndërkohë zoti Hajdari zbuloi se afera e “Gërdecit” po shkon drejt përfundimit të hetimeve dhe sipas tij, për 1 muaj do të ketë vendim për këtë çështje.
-Dy vizita të dy zyrtarëve të lartë amerikan në një kohë të shkurtër, Tod Robinson pati takim me kreun e SPAK dhe i tha vazhdoni sepse ne jemi me ju. Si i shihni?
Amerikanët qysh në fillim që është bërë reforma në drejtësi kanë qenë mbështetësit kryesor. Ata janë në të njëjtën linjë dhe rrugë parimore, ku mbështetja më e madhe është tek SPAK. Kur sekretari i shtetit bën një vizitë në agjencitë ligjzbatuese nivelet poshtë tij përveç takimeve politike do bëjnë takime edhe me përfaqësues me organet e drejtësisë.
-Ndihmës Sekretari Amerikan, Tod Robinson në një intervistë ka thënë se tregon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet DEA-s dhe FBI-së po ndihmojnë SPAK në kapjen e të korruptuarve?
Mua më bëhet qejfi që më në fund ka edhe deklarata të tilla për publikun, ndërsa unë edhe të tjerë e dimë me kohë se këtu nuk jemi thjesht në bashkëpunim me SHBA, por edhe Britaninë e Madhe. Ka bashkëpunim mes autoriteteve ligjzbatuese që drejtohen nga SPAK me FBI, DEA dhe shërbimet sekrete britanike. Janë njerëz konkret që punojnë dhe kështu që kjo duhet që të na shërbej për të kuptuar që investimi në funksion të demokracisë dhe luftës kundër korrupsionit është marr seriozisht nga SPAK.
-Besoni ju se këto vizita janë jo vetëm nxitje, por edhe një lloj drejtimi për ca hetime dhe arrestime të rëndësishme që duhen bërë për zyrtar të lartë?
Unë kam qenë prokurori dhe kam pas takime me disa agjenci dhe SHBA nuk merret me emra, janë të kujdesshëm. Nëse do të diskutosh për emra ata janë të kujdesshëm që të mos merren me emra pra të orientojnë hetimet që godit këtu dhe mos godit këtu. Ata flasin me heshtje edhe kur situata është e vështirë. Ata vijnë publikisht dhe ti kupton se po mbështesin një njeri apo një parti dhe flasin me deklarata publike. Ata nuk janë njerëz të skutave.
-SPAK ka çështje të rëndësishme në duar, ka marr hetimet për “21 janarin”, Nasip Naçon e kemi parë në dyert e SPAK?
Unë besoj se trupa e prokurorëve nëse do kishin disa kushte do kishin filluar më parë goditje. Edhe kur nuk ishte krijuar SPAK kanë shkuar zyrtar të lartë në gjyq. 21 janari është fitore sepse palët bien dakord që 21 janari nuk është hetuar plotësisht dhe duhet që të hetohet dhe ti vihet emri autorëve të vrasjeve. Unë nuk dua të them detaje nga dosja, sepse mund të jetë tradhtia më madhe që i bëjë vetes sepse e kam hetuar dhe është hapur tashmë. Altin Dumani ka qenë me mua pjesë e mbrojtjes së akuzave për 21 janarin në Prokurorinë e Apelit.
-“Gërdeci”, humbën jetën edhe fëmijë në oborrin e shtëpisë duke luajtur, është në proces gjykimi?
Gjykimi është normal, por është duke u zvarritur. Ajo është një ngjarje edhe më e rëndë se 21 janari sepse ishin më shumë të vrarë, kemi zyrtarë të lartë të përfshire dhe kjo është edhe një nga arsyet se kjo çështje nuk ka marr udhë. Mesa di janë duke u marr edhe dëshmitarët e fundit në pyetje dhe për një muaj ose 2 do të ketë një vendim për këtë çështje. Drejtësia ka 3 qëllime që personi të vuaj dënimin që ka dhënë gjykata, të jetë mjet parandalimi për zyrtarët e tjerë në vend dhe e 3 njerëzit që janë prekur nga vepra penale të gjejnë qetësi shpirtërore.
-Britania ka pranuar kërkesën e Berishës për shpalljen e tij “non-grata” që të jap detaje për akuzat?
Ligjin britanik nuk e njoh, por ata punojnë me precedent dhe gjyqtari të bënë gjëmën të kërkon dokumente top sekret nëse i do gjyqtari. Ai do të krijoj bindjen dhe nuk pyet se kë ka përpara. Mendoj se do ketë surpriza që ata nuk kanë dashur që ti bëjnë publike me parë dhe mund të bëhen.
-Berisha u bashkua me Bardhin, Basha ka aleancë me Spartak Ngjelën dhe me disa ish-deputet, çfarë është duke ndodhur?
Di të them se veprimi në funksion të një shteti të rregulluar nga pikëpamja e përfaqësimit tryeza e parë sot që s’ ka marr vëmendjen e duhur nga media është aktiviteti më i rëndësishëm që ka ndodhur që nga 2008. Në atë tryeze nuk ka qenë vetëm Lulzim Basha dhe Bamir Topi, por edhe përfaqësues të gjithë spektrit politik shqiptar përveç LSI dhe Partisë Republikane.
-Konsiderohet e zhbërë 2008, nga partitë e mëdha nuk ka asnjë iniciative për këtë?
Po kush janë partitë e mëdha, janë Berisha dhe kryeministri. Po kush e bëri 2008. Ata janë mirë janë tani, Berisha është në rregull dhe kryeministri është në rregull, nuk ka nevojë për ndryshime e ka qeverinë në kontroll, mban ato vota që ka edhe është në rregull. Opozita duhet që të ishte bërë bashkë që të thoshte hajde votojmë dhe bëjnë ca ndryshime me këtë reformë.
