E mërkurë, 22 Janar, 2025

Shfaqet makina misterioze në masakrën e “Fushë-Krujës”, policia rikthehet në vendin e krimit dhe shoqëron disa të dyshuar, 3 milionë lekë shpërblim për çdo informacion, ja pistat e hetimit

Share

Zbardhen të tjera detaje nga vrasja e trefishtë në “Fushë-Krujë” që tronditi opinionin publik. 3 milionë lekë ofron Policia e Shtetit, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë drejt arrestimit të autorëve. D. Vata, 30 vjeç, B. Martinaj 23-vjeç, kushërinj si dhe shoku i tyre B. Hoxha, të tre nga Kurbini, u ekzekutuan një ditë më parë, në një atentat të mirëorganizuar teksa po udhëtonin me një mjet Volksvagen Passat nga Fushë-Kruja në drejtim të Laçit. Dyshohet se ndaj tyre u derdhën rreth 60 plumba nga 3 persona që i dolën mjetit të viktimave përballë, ndërsa një i katërt, drejtonte makinën e autorëve. Një makinë e dytë  tip “Volkswagen” është gjetur mëngjesin e djeshëm  e shkrumbuar në fshatin Ahmetaj pranë Aeroportit të Rinasit. Nuk dihet ende zyrtarisht nëse automjeti i djegur ka lidhje me ngjarjen në Fushë-Krujë, por dyshimet janë se është një mjet i dytë i përdorur nga autorët. Policia ka shoqëruar në polici disa persona që mund të kenë dijeni në lidhje me atentatin, ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka kërkuar që hetimet të jenë të shpejta dhe efektive. Nano ka kërkuar mbledhje të kamerave në një territor të gjerë si dhe vijimin e krehjes se zonës me dronë.

Makina e dyshimtë që sinjalizoi autorët

Pas kasaphanës në mbikalimin e Fushë-Krujës, autorët dogjën në Larushkë automjetin me targa të vjedhura, brenda të cilit u gjetën një automatik dhe dy kallashnikovë. Nga kqyrja e kamerave të sigurisë, një makinë e dyshimtë dallohet që i ndjek që nga Rinasi, dhe hetuesit besojnë se është e informatorëve. Pra një makinë që i ndoqi nga pas të rinjtë, sinjalizoi autorët e tjerë t’i dilnin para e t’i prisnin mbi urë. E njëjta makinë dyshohet se i largoi katër autorët pasi dogjën automjetin. Policia po punon për survejimin e kamerave në një rreze shumë të gjerë për të shkuar drejt identifikimit të autorëve. Ekspertët e kriminalistikës mbërritën sërish në vendin e ngjarjes, me shpresën se do të fiksojnë prova të tjera që mund të shërbejnë për zbardhjen. Në këtë atentat, mekanizmi i përdorur është i njëjti me atë të ekzekutimit të shokut të Ervis Martinajt në 13 nëntor 2021 në zonën e Astirit, ngjarje e mbetur e pazbardhur sot e kësaj dite. Sipas ekspertit të sigurisë Artan Rexhepi kjo tregon se mund të jetë kryer nga e njëjta dorë qitësish. Rexhepi nënkuptoi se po goditet grupi i Ervis Martinajt. Të tre viktimat ishin me precedent të theksuar kriminal, pjesë e grupit të Ervis Martinajt. Hetuesit dyshojnë se epiqendër e këtij atentati ka qenë vetëm kushëriri i tij, pasi pjesa më e madhe e plumbave është qëlluar në drejtim të tij.

Si ndodhi atentati me tre të vrarë në mbikalimin e Fushë-Krujës

D. Vata, 30 vjeç, B. Martinaj 23-vjeç, kushërinj si dhe shoku i tyre B. Hoxha, të tre nga Kurbini, teksa po udhëtonin me një mjet Volksvagen Passat nga Fushë-Kruja në drejtim të Laçit, u ekzekutuan nga një atentat i mirë organizuar. Ndaj tyre u hap zjarr nga një makinë tjetër po Volksvagen. Sipas të dhënave të marra në vendin e ngjarjes, por edhe sipas burimeve policore, besohet se ndaj tyre u derdhën rreth 60 plumba nga persona që i dolën mjetit të viktimave përballë, ndërsa një i katërt drejtonte makinën e autorëve. Viktimat e ishin me precedent kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, pjesëtarë te grupit kriminal të Ervis Martinajt. D.Vata mundi të dalë nga makina, por autorët që ishin ende në vendngjarje janë kthyer dhe kanë qëlluar ndaj tij me një tjetër breshëri, duke u siguruar që 30-vjeçari të mos mbijetonte e duke e lënë të vdekur në mes të rrugës. Dy të tjerët, Hoxha dhe Martinaj mbetën të bllokuar brenda mjetit që shpërtheu në flakë, duke djegur plotësisht trupat e tyre. Ndërkohë mjeti Volksagen Passat, i cili dyshohet se u përdor nga autorët u gjet i djegur në fshatin Larushk, shumë pranë Fushë-Krujës, ndërsa brenda tij u gjetën 1 armë automatike MP5 dhe 2 kallashnikovë. Targa e mjetit rezulton e vjedhur.

Te tjera

Lajme te tjera