Në përvjetorin e 25-të të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, mes fjalimeve diplomatike dhe festimeve zyrtare, u artikulua qartë një mesazh kritik për qeverinë shqiptare: korrupsioni vazhdon të jetë pengesa kryesore për klimën e biznesit dhe investimet amerikane. E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, nuk e fshehu zhgënjimin për mungesën e progresit real në luftën kundër abuzimit me pushtetin dhe mungesës së transparencës në rregullat e lojës për bizneset.
Duke folur në një aktivitet ku u vlerësua roli i AmCham si urë lidhëse mes biznesit amerikan dhe atij shqiptar, VanHorn përmendi qartë se “Shqipëria ende përballet me sfida të mëdha për garantimin e konkurrencës së ndershme dhe përmirësimin e transparencës rregullatore”. Në një mënyrë të tërthortë por të kuptueshme, SHBA i dërgon një paralajmërim qeverisë: tregu shqiptar do të vazhdojë të mbetet joshës vetëm për klientelën dhe oligarkët nëse nuk zbatohen rregulla të qarta, të barabarta dhe të zbatueshme për të gjithë.
“Shqipëria vazhdon të punojë drejt një mjedisi më të përmirësuar biznesi, por ende mbeten disa sfida të rëndësishme. Garantimi i konkurrencës së ndershme, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit, dhe rritja e transparencës rregullatore janë thelbësore për të çliruar potencialin e plotë ekonomik të Shqipërisë. Krijimi i një “fushë loje të barabartë” mund të sigurojë që bizneset amerikane të veprojnë dhe të kenë sukses këtu, si dhe të tërheqë më shumë investime amerikane”, tha ajo.
Në një moment kur ekonomia shqiptare përpiqet të tregojë stabilitet, dhe qeveria promovon “reformat” në konferenca ndërkombëtare, SHBA e zbret debatin me këmbë në tokë: reformat e vërteta nuk maten me ligje në letër, por me zbatimin e tyre kundër korrupsionit, monopoleve dhe manipulimit të tregut nga pushteti politik. Ironikisht, ndërsa në sallë përmendej si shembull pozitiv ndonjë rregullore tatimore ose vendim për energjinë, thelbi i mesazhit ishte i qartë: pa pastrim të sistemit dhe pa ndëshkime për abuzuesit, Shqipëria nuk mund të jetë një treg i hapur për investitorët seriozë perëndimorë.
Fjala e plotë e Nancy VanHorn
Zoti President, Grant, Neritan, anëtarë të Dhomës Amerikane, të ftuar të nderuar, pjesëtarë të trupit diplomatik dhe miq – mirëmbrëma. Është nder të jem me ju sonte për të festuar 25-vjetorin e themelimit të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri.
Dhe ndërsa festojmë këtu sonte, më kujtohet diçka që ka thënë Presidenti Trump: “Më pëlqen të mendoj gjerë. Nëse doni të mendoni, është më mirë të mendoni ide të mëdha.” Dhe mendoj se kjo ndjenjë përmbledh në mënyrë të përsosur frymën e ambicies dhe të inovacionit që nxit bizneset amerikane dhe partneritetet e tyre në të gjithë botën. Duke folur për idetë e mëdha, 25 vjet më parë AmCham u themelua me një vizion të guximshëm – siç e përmendi Grant – për të shërbyer si një urë lidhëse mes komuniteteve të biznesit amerikan dhe atij shqiptar, dhe për të nxitur një mjedis që u mundëson kompanive të konkurrojnë ndershëm dhe të lulëzojnë.
Sot, Dhoma Amerikane përfaqëson më shumë se 250 kompani – mendoj se dëgjova 276, e jashtëzakonshme – dhe është bërë një nga zërat më të respektuar në peizazhin e biznesit në Shqipëri, duke mbështetur transparencë, përgjegjshmërinë dhe praktikat e ndershme të biznesit. Sepse kjo është edhe diçka tjetër për të cilën Presidenti Trump ka qenë shumë i qartë: Atij i pëlqejnë marrëveshjet e ndershme. Shqipëria vazhdon të punojë drejt një mjedisi më të përmirësuar biznesi, por ende mbeten disa sfida të rëndësishme. Garantimi i konkurrencës së ndershme, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit, dhe rritja e transparencës rregullatore janë thelbësore për të çliruar potencialin e plotë ekonomik të Shqipërisë. Krijimi i një “fushë loje të barabartë” mund të sigurojë që bizneset amerikane të veprojnë dhe të kenë sukses këtu, si dhe të tërheqë më shumë investime amerikane.
Udhëheqja e Dhomës Amerikane mbetet tepër e rëndësishme për çuarjen përpara të këtyre reformave dhe forcimin e zërit të komunitetit të biznesit. Gjatë vitit të kaluar, siç dëgjuam në video mesazh, kemi parë disa arritje të vërteta që dëshmojnë ndikimin e mbështetjes së Dhomës Amerikane. Për shembull, sistemi tatimor është bërë më i drejtë dhe më i balancuar falë ndryshimeve të rregulloreve të TVSH-së për shërbimet. Ndërsa rregullimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave për tarifat e projekteve të energjisë është një hap tjetër i madh përpara, duke hapur rrugën për më shumë investime dhe më shumë inovacion në sektorin e energjisë në Shqipëri. Këto janë vetëm disa shembuj të progresit domethënës që Dhoma Amerikane nxit çdo ditë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara është krenare që është partnere me ju në këto përpjekje.
Faleminderit për përkushtimin tuaj ndaj mirëqenies sonë të përbashkët dhe gëzuar për 25 vitet e ardhshme dhe më tej.
