BERAT- Pa bërë akoma 100 ditë në krye të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka firmosur përjashtimin e përhershëm të 13 efektivëve nga struktura. Rrumbullaku, mesa duket, është i vendosur që me dorë të hekurt të pastroj policinë nga “element” kriminal, për të cilët, në çdo njoftim përjashtimi insiston se “nuk përfaqësojnë strukturën prej 12 mijë policësh që punojnë më përkushtim në të gjithë vendin”. Pas gjashtë përjashtimesh në mënyrë të ndarë me njëri-tjetrin, ku më të bujshmit ishin ata të ish-shefit të komisariatit të Pukës, Pjerin Lazri apo ish-efektivit të Policisë Rrugore, Florenc Bicerri, që u kap me drogë në Stamboll, të martën Rrumbullaku shigjetoi jo pak Drejtorinë Vendore të Policisë së Beratit.
Me firmën e tij u përjashtua përjetësisht nga Policia e Shtetit 7 punonjës policie, të rangut të lartë drejtues. Të përjashtuar janë Baki Musaku, Shef Sektori për Krimet në Policinë e Beratit, Sokol Lazaj, Shef i Komisariatit të Policisë Berat, Ardit Hasanbegaj, Shef i Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat, Artan Musaj, Shef i Stacionit të Policisë Dimal, Miço Rakazija, Specialist për Krimet, në Stacionin e Policisë Dimal, Vladimir Toska dhe Gazmend Sulaj, të dy ndihmës-specialist për policimin në Komunitet, në Stacionin e Policisë Dimal.
Por, ndëshkimit nuk i shpëtoi edhe drejtori i Policisë së Beratit, Edmond Tarkaj, i cili tashmë është i shkarkuar nga kjo detyrë, ulet një gradë më poshtë nga ajo që kishte “Drejtues i Parë” për 6 muaj dhe transferohet në Akademinë e Sigurisë. Në vend të tij në Policinë e Beratit u emërua Kastriot Skënderi, i cili deri më tani mbante postin e këshilltarin të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Është vendosur ulja në gradë, për një periudhë 6-mujore për zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, vërejtje me paralajmërim për 8 punonjës të tjerë policie dhe shtyrje afati të gradimit, me 2 vjet, për 2 punonjës policie.
Të gjitha këto ndëshkime u bënë pas gjetjes së një sere kanabisi në qarkun e Beratit ku të punësuara ishin 95 gra nga veriu i vendit. Sera në fshatin Drenovicë u zbulua gjatë një operacioni anti-drogë më 10 nëntor dhe ishin të ndara në 4 pjesë, secila me një sipërfaqe prej 2 dynym. Në kontrollin e realizuar nga policia është arritur të kapet një sasi prej 870 kg kanabis. Policia sekuestroi edhe 700 arka të mbushura me bimë narkotike kanabis në proces përpunimi.