E diel, 25 Tetor, 2026

Berisha: Studentët triumfuan dje sepse faktuan se nuk ka dhunë dhe terror që mund t’i mposhtë ata. Rama u kthye në genin e babait të tij xhelat të komunizmit, por kjo revoltë do të fitojë

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët se protesta studentore do të triumfojë, ndërsa ka hedhur akuza ndaj Edi Ramës se është duke përdor dhunën policore për të shtypur revoltën e të rinjve. Ai e cilësoi protestën si një nga lëvizjet më atdhetare që ka njohur Shqipëria që nga viti 1990 dhe u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë mbështetjen ndaj studentëve. ‘Studentët triumfuan sepse ata u faktuan shqiptarëve, por edhe mbarë komunitetit ndërkombëtar se nuk ka dhunë, nuk ka terror, nuk ka kërcënim që mund t’i mposhtë ata’, deklaroi Berisha.

Sipas lideri të opozitës shqiptare Sali Berisha, të rinjtë po luftojnë kundër narkodiktaturës, me synimin për të qëndruar në Shqipëri dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre në vend. Berisha u shpreh se, protesta ka një karakter të fortë atdhetar, pasi studentët po kundërshtojnë largimin e shqiptarëve nga vendi. ‘Ka pasur shumë protesta nga viti 1990 gjer sot në rrugët dhe sheshet e Tiranës, por mund t’u them se kjo është protesta më atdhetare’, u shpreh ai.

Gjatë bashkëbisedimit, kryetari i PD-së, Sali Berisha lëshoi akuza në lidhje me përdorim e dhunës shtetërore nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Ai përmendi rastin e të riut nga Elbasani, Erion Vishkullit, i cili ka humbur syrin, si dhe atë të Antuen Milajt, që sipas tij ishte plagosur me plumb gome në bark. Në fjalën e tij, Berisha përmendi gjithashtu Lorenc Bezanin, Hivzi Bushatin dhe deputetin Gjin Gjoni, duke deklaruar se, ndaj tyre është ushtruar dhunë shtetërore. Ai dënoi edhe ato që i cilësoi si sulme ndaj gazetarëve Klevin Muka, Fatime Almusa, Violanda Peca, Ardit Hoxha dhe Freard Rista. ‘Kriminelë me uniformë të paguar, vrasës të paguar, shkrehin plumba mbi qytetarët në protestë’, deklaroi Berisha, duke kërkuar që përgjegjësit, sipas tij, të përballen me drejtësinë.

Lideri i demokratëve Sali Berisha lëshoi akuza ndaj Edi Ramës, se është duke përdorur policinë dhe dhunën shtetërore për të mbajtur karrigen e tij dhe mbajtur pushtetin, kundër të cilit janë ngritur shqiptarët në protesta. Ai u shpreh se, Rama është kthyer në ‘genin e babait të tij xhelat’. ‘Do përmbysim Edi Ramën’, deklaroi kreu i PD-së, duke përsëritur qëndrimin e opozitës për largimin e kryeministrit, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri sërish thirrje demokratëve dhe qytetarëve që të dalin dhe të mbështesin studentët që vijojnë protestat e tyre deri në arritjen e objektivave. ‘Thirrja ime për çdo demokrat e demokrate: Është koha e provës.   Koha e provës ndërgjegjes së secilit prej nesh.  Koha e provës të investimeve që kemi bërë, gjatë jetës dhe sakrificave që kemi bërë.  Sot më shumë se kurrë kjo ditë na thërret të mbështesim studentët, të mbrojmë studentët. Të jemi të gatshëm. T’i përgjigjemi narkodiktatorit në mënyrën që meriton ndaj çdo dhune ndaj studentëve.’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët.

Te tjera

Lajme te tjera