Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar Edi Ramën për dhunën e rëndë të ushtruar ndaj protestuesve gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, ndërsa i ka bërë thirrje Prokurorisë të identifikojë dhe të vërë para ligjit autorët e plagosjeve. Në konferencën e sotme për mediat, Berisha deklaroi se PD do të thërrasë protesta të tjera kombëtare dhe u bëri thirrje demokratëve që të bashkohen me studentët. ‘Kryeqyteti i Shqipërisë përjetoi një ditë dhe natë terrori si kurrë ndonjëherë më parë’, u shpreh ai, ndërsa akuzoi policinë për dhunën ndaj protestuesve paqësorë, duke kanë përdorur armët në shkelje të rregullave.
Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha përmendi edhe rastet e protestuesve të plagosur që janë identifikuar deri më tani, mes tyre Erjon Vishkurti, i cili ka humbur syrin, si dhe qytetarë të tjerë që, sipas tij, pësuan dëmtime të rënda. ‘I bëj thirrje prokurorit, të vërë para ligjit këta punonjës që sillen si kafshë ndaj studentëve dhe qytetarëve. Të sekuestrojë menjëherë planin e përhapjes të Forcave të Rendit. Të identifikojë vrasësit me pagesë 2500 euro që u marrin nishan në syrin apo në ballin apo në gjoksin e protestuesve paqësorë’, u shpreh kryetari i PD-së.
Lideri i demokratëve, Sali Berisha falënderoi studentët dhe qytetarët që iu bashkuan protestës, duke e cilësuar qëndresën e tyre si të jashtëzakonshme. ‘Me çfarë heroizmi, me çfarë epike u përballën studentët dhe qytetarët e Tiranës, në përballjen më të gjatë, 9 orë dhëmbë për dhëmbë me banditët. 9 orë të pamposhtur’, deklaroi ai.
I pyetur nga gazetarët nëse Partia Demokratike do të vijojë organizimin e protestave, Berisha konfirmoi se opozita do të thërrasë protesta të tjera kombëtare. ‘Partia Demokratike pa diskutim që do të thërrasë protesta të tjera kombëtare si në mbështetje të studentëve ashtu dhe për kauzë direkt’, tha ai, duke u bërë thirrje demokratëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë që të bashkohen me studentët.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e cilësoi pjesëmarrjen në protestë si ‘impozante’ dhe deklaroi se Tirana nuk kishte parë më parë një masë kaq të revoltuar. ‘Nuk ka patur ndonjëherë kurrë në Tiranë një masë të tillë të revoltuar si kjo ditë.
Ishte, do ta pranojmë ne, ne kemi patur protesta të shkëlqyera, unë nuk mund të them, nuk mund të mohoj atë të 20 shkurtit të vitit ’91. Por ajo, siç e dini, pas orës 2 e 5 minuta u shndërrua në festën më të madhe që kanë bërë ndonjëherë shqiptarët. Lumenj të gëzimit të tyre për shembjen e kultit, e monumentit të Enver Hoxhës’, u shpreh Berisha.
