Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), ku u vlerësua bashkëpunimi i suksesshëm me Universitetin BOKU të Vjenës.
Ministri tha se, numri i regjistrimeve në UBT, në 9 programet e përbashkëta me BOKU ka shënuar një rritje mbi 20%.
Sipas tij, ky është një tregues ky i rëndësishëm i interesit në rritje për studimet e profilizuara në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
“Këto programe, që ofrojnë diplomë të dyfishtë dhe eksperiencë ndërkombëtare, janë rezultat i përpjekjeve për ta afruar arsimin me nevojat e tregut të punës dhe për të kthyer UBT-në në një qendër ekselence në rajon”, vlerësoi Salla.
“Ky është një hap konkret drejt modernizimit të arsimit bujqësor dhe përgatitjes së brezit të ri për sfidat e Bujqësisë 2030,” u shpreh ministri gjatë fjalës së tij.
Përmes marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet MBZHR dhe UBT, studentët do të kenë mundësi për zhvillim profesional përmes praktikave dhe programeve të punësimit në sektorin bujqësor, duke kontribuar në transformimin e bujqësisë shqiptare në një sektor modern, të qëndrueshëm dhe konkurrues në tregjet europiane.
Ministri uroi të gjithë studentët për një vit të suksesshëm akademik, duke theksuar rolin e tyre në rrugëtimin e pakthyeshëm të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
