E premte, 17 Janar, 2025

Sali Berisha xhindoset me apelimin e vendimit të Zhukrit dhe kërcënon gjykatën me pasoja nëse merr vendim kundër foltores

Share

Ish-kryeministri Sali Berisha sfidoi hapur sistemin e drejtësisë në vend duke deklaruar haptazi në një emision javën e kaluar se nuk do të njohë asnjë vendim gjykate që regjistron ndryshimet statutore të Kuvendit të 18 dhjetorit 2021, i cili u thirr nga ish-kreu i PD, Lulzim Basha. Ish-lideri historik i demokratëve paralajmëroi kryeministrin Edi Rama dhe çdo gjyqtar që nëse njeh Kuvendin dhe ndryshimet e statutit të PD të datës 18 dhjetor 2021, do të përballen me pasoja, por pa specifikuar konkretisht se çfarë. Berisha shtoi më tej se nëse gjykata vendos pro-Kuvendit të 18 dhjetorit, do të jetë një vendim antihistorik që godet pluralizmin politik në Shqipëri. “Mund të bëjë Edi Rama çdo gjë, po ajo nuk ka asnjë vlerë ama. Sigurisht që nuk mund të njihet. Sigurisht që unë njoh statutin që kam dërguar dhe që ka njohur gjykata dhe ai është statuti i PD. Nëse gjykata merr përsipër të zhbëjë pluralizmin politik në Shqipëri, ai është një vendim antihistorik me të cilin sigurisht do të përballet me pasojat, ai që organizon këtë. Nuk e njohim nëse gjykata miraton edhe Statutin e 18 dhjetorit. Kush është ajo forcë politike që njeh një ‘fake’?!”, tha Berisha.

“Foltorja” sulmon Alibeajn: I shkarkuar dhe pa legjitimitet


“Foltorja” reagoi pasditen e djeshme lidhur me kërkesën e kryetarit të komanduar të PD, Enkelejd Alibeaj në Gjykatën e Tiranës për të pushuar dhe rishqyrtuar çështjen e regjistrimit të ndryshimeve statutore të Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur nga Komisioni i Rithemelimit të PD. Nëpërmjet zëdhënëses së “Foltores”, Floriana Garo, Komisioni deklaroi se Alibeaj nuk mund të veprojë në emër të PD pasi është shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit dhe se në vend të tij është legjitimuar “Foltorja”. “Së pari, sqarojmë se askush nuk mund të ndërmarrë veprime në emër të PD. Kuvendi Kombëtar i PD dt.11 dhjetor 2021, ka mandatuar si të vetmin organ drejtues të PD Komisionin e Rithemelimit të Partisë. Gjithashtu, Kuvendi ka shkarkuar Z. Alibeaj si nënkryetar i Partisë Demokratike. Pra, nuk përfaqëson PD në asnjë marrëdhënie me të tretët”,  lexohet në fillim të deklaratës së “Foltores”. Njëkohësisht, Komisioni i Rithemelimit të PD shtoi një tjetër argument për paligjshmërinë e kërkesës së Alibeajt me pretendimin se sipas Kodit të Procedurës Civile, ai nuk rezulton as palë, as pjesëmarrës në seancën gjyqësore të 25 marsit kur gjyqtari Agron Zhukri regjistroi ndryshimet statutore të Kuvendit të 11 dhjetorit. Për “Foltoren”, Alibeaj rezulton person i palegjitimuar për të ankimuar vendimin për njohjen e ndryshimeve të statutit të PD nga Kuvendi i thirrur prej Komisionit të Rithemelimit të PD.  “Me ‘palë’ kuptohet i padituri dhe personi i tretë. Me ‘pjesëmarrës të tjerë’ kuptohet Avokati i Shtetit, i Popullit ose Prokurori atëherë kur ligji ua detyron pjesëmarrjen në një proces civil. Ankimuesi, në këtë rast, nuk ka qenë as palë e as pjesëmarrës në proces dhe nuk plotëson asnjë nga kriteret legjitimues për t’u ankuar. Ky gjykim është zhvilluar konform procedurës pa të paditur, pa persona të tretë dhe pa asnjë pjesëmarrës tjetër. Vetëm me “kërkues” Komisionin e Rithemelimit të PD”, shkruhet në deklaratën e “Foltores”. Në fund, Komisioni i Rithemelimit të PD kërkon që Gjykata e Tiranës të kthejë mbrapsht kërkesën e kreut të përkohshëm të PD, Enkelejd Alibeaj. Gjithashtu, “Foltorja” akuzoi Alibeajn së bashku me ish-kryetarin e PD, Lulzim Basha dhe kryeministrin Edi Rama se po mbajnë peng vulën e partisë kundër vullnetit të shumicës së demokratëve, të shprehur në 11 dhjetor 2021 dhe zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.  “Së fundmi, PD denoncon aktin Basha-Alibeaj  si përpjekje e dëshpëruar e Edi Ramës për të mbajtur peng vulën e PD kundër vullnetit të shumicës së demokratëve të shprehur qartë në kuvendin e tyre më 11 Dhjetor 2021 dhe të certifikuar në kutitë e votimit më dt. 6 mars 2022”, mbyllet deklarata e “Foltores” për kërkesën e Enkelejd Alibeajt për shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës në  25 mars.

Te tjera

Lajme te tjera