Nga Rigels Seliman
Shpallja e Berishës non grata nga Mbretëria e Bashkuar ka rikthyer detyrimisht në vëmendje edhe një herë pyetjen kryesore që ka torturuar dhe keqpërdorur demokratët për thuajse një vit; A kishte të drejtë Lulzim Basha që e përjashtoi atë nga grupi parlamentar?
Po t’i rikthehemi pak historisë dhe të rishohim se çfarë ka ndodhur këto 10 muaj në vendin tonë dhe në PD do t’i japim një përgjigje të sinqertë që shumë nga njerëzit pranë Berishës i shmangen.
Kur Basha e përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar i PD ai tha se e bën këtë me keqardhje dhe se ishte i detyruar nga rrethanat. Por Berisha dhe surrogatët e tij sulmuan Bashën dhe deputetët e tjerë në PD pro vendimit të Bashës duke inkurajuar një kryqëzatë kundër tij. Ai përdori me pisllëk një mërzi të madhe që kishte prekur thellë demokratët nga humbja e zgjedhjeve të 25 prillit duke ia veshur arsyet e humbjes Bashës.
Si demagog, Berisha iu drejtua demokratëve duke u dhënë fjalën që sapo ai të marrë PD-në edhe një herë do t’i hiqet non grata. Deputetët e Foltores si Paloka, Bylykbashi, Spaho me shokë dolën në media duke deklaruar se shumë politikanë janë shpallur non grata nga SHBA për t’u pajtuar prapë me të. Shembuj qesharakë nga bota u gjetën për t’ia atashuar Berishës, aq sa surrogatët mediatikë të të fundit sollën dhe talebanët si një mundësi.
Ndërsa turmës i hidhej benzina e zjarrit duke e atashuar nismën e deputetëve të PD me lidhjet e tyre me Soros. Sa herë që tema përpiqej të arsyetohej aq më shumë histeria kolektive e drejtuar nga Berisha dhe ushtruar nga deputetët e Foltores dhe surrogatët mediatikë të Berishës sulmonin më fortë me gjoja demokraci.
Këtyre gënjeshtrave duket se u erdhi një goditje e fortë para disa ditësh kur i deleguari special i Mbretërisë së Bashkuar me titull aristokratik, Sir Stewart Peach, deklaroi qartë se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë politikat ndëshkuese ndaj personave të korruptuar që minojnë drejtësinë. Ai deklaroi se janë 21 zyrtarë mes të tyre dhe politikanë që janë ndëshkuar me non grata nga Mbretëria e Bashkuar.
Kjo në fakt ishte goditje sepse e gjithë retorika gënjeshtare e drejtuar nga Sali Berisha rrotullohej rreth faktit që SHBA e kishte shpallur non grata sepse Blinken ka lidhje me Soros. Por shpallja non grata nga një vend që qeveriset prej 2011 prej partisë Konservatore dhe që prej 2019 prej një super konservatori si Johnson ia prishi planet.
Tanimë përballë qytetarëve po dalin të vërteta që kohë më parë arsyeja dhe mendja e deputetëve të PD u përpoq t’ia tregonte demokratëve por këto të fundit u keqpërdorën nga Sali Berisha që ka hallin e tij personal dhe për të cilin ai do të shkatërrojë PD-në dhe jetën e çdo shqiptari.
Akuzat se këtë non grata e ka kryer Soros bien poshtë duke pasur parasysh se Berisha është akuzuar se ka favorizuar Damir Fazlliç, një biznesmen kontroversial për të cilin ka investigime dhe hetime nga Prokuroria për vjedhje dhe abuzim. Në fakt Mbretëria e Bashkuar ka deklaruar që Berisha ka shkatërruar drejtësinë për këtë individ.
Një tjetër akuzë është ajo e bashkëpunimin me grupe të strukturuara kriminale, një akuzë që sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, e ka thënë nga oborri i Partisë Demokratike.
Pra, akuzat për Sali Berishën dhe njerëzit e tij qendrojnë plotësisht dhe nuk janë as sajesë e Soros dhe as shpikje të rëndomta që prekin dinjitetin e Sali Berishës. Ato janë akuza që duhet të mos marrin peng as opozitën dhe as PD-në e mbi të gjitha janë akuza të përsëritura dhe serioze që tregojnë se vendimmarrja e kryer në 9 shtator 2021 qe shumë korrekte dhe e ndershme.
Deputetët e PD që kanë qëndruar kësaj bindje dhe duke pasur kundër një turmë të keqpërdorur nga një hallexhi që nuk i do demokratët por vetëm do t’i djegë për hallin e tij duhen përgëzuar.
Prandaj sot ka ardhur koha që gjithsecili nga demokratët të pyesë drejtë për drejtë këdo nga pala tjetër; A kishte të drejtë Basha që e hoqi Berishën në 9 shtator mbas gjithë kësaj që po shohim?
A kishte të drejtë Basha, Alibeaj, Tabaku, Bardhi dhe të tjerë që e mbrojtën këtë mendim ndonëse të sulmuar dhe poshtëruar publikisht nga një turmë që ia ndërseu Berisha?
Përgjigja e këtyre pyetjeve është në të vërtetë shpjegimi i krizës reale që ka sot PD, një krizë e sajuar nga Sali Berisha dhe një tufë deputetësh që kanë vendosur të vetësakrifikohen dhe që po marrin në qafë demokratët dhe Shqipërinë. Dhe me të drejtë ai që njeh historinë, e di shumë mirë se Sali Berisha ëshë zhytur kokë e këmbë në krim dhe korrupsion gjatë këtyre 30 e kusur vite demokraci.
Pra 2 “Non Gratat” e Berishës, janë kambana alarmi se pas tij e kanë rradhën kryeminstri Edi Rama dhe presidenti në ikje, kreu i ri të LSI, Ilir Meta, binom ky i shytur gjithashtu në afera korruptive dhe kriminale!
Rama-Meta-Berisha janë bashkë prej 30 vitesh dhe bëjnë kot sikur zihen!