Juristi i njohur, Romeo Kara, i cili është një nga kallëzuesit e parë të Ilir Metës në Prokuroin e Posaçme (SPAK), ka komentuar zhvillimet më të fundit të procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit, i cili ka nisur në Gjykatën e Posaçme (GJKKO). Në një intervistë për gazetën “SOT”, Kara analizon strategjinë e mbrojtjes së Metës dhe Monika Kryemadhit, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të goditur provat kryesore të dosjes. Sipas tij, objektivi i mbrojtjes nuk është vetëm fitimi i betejës procedurale, por edhe rrëzimi i bazës së akuzave të ngritura nga SPAK.
Ai ndalet veçanërisht te dosja CEZ-DIA, për të cilën shprehet se përmban elemente të rëndësishme që, sipas vlerësimit të tij, nuk mund të anashkalohen gjatë shqyrtimit gjyqësor. Kara komenton gjithashtu deklaratat e Monika Kryemadhit në sallën e gjyqit, duke argumentuar se ato janë pjesë e një strategjie të përbashkët mbrojtjeje.
Sipas tij, procesi nuk duhet të kufizohet vetëm te të pandehurit aktualë, por duhet të shtrihet te i gjithë zinxhiri i personave që, sipas tij, kanë pasur rol në aferën “CEZ-DIA”. Ai shpreh pritshmërinë që drejtësia të zhvillojë hetime më të gjera dhe të analizojë përgjegjësitë e të gjithë aktorëve të përfshirë. Në intervistë, z. Kara e cilëson këtë çështje si një provë të rëndësishme për sistemin e ri të drejtësisë dhe për luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta. Sipas tij, vendimmarrja e gjykatës do të ketë ndikim jo vetëm për këtë proces, por edhe për mënyrën se si do të trajtohen në të ardhmen dosje të ngjashme.
– Z. Kara, mbrojtja e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit po kërkon të shpallen të papërdorshme një pjesë e provave kryesore të SPAK. Nga përvoja juaj me këtë çështje, mendoni se kemi të bëjmë me një strategji normale procedurale apo me një përpjekje për të rrëzuar të gjithë dosjen? Sa i fortë mendoni se është pozicioni i SPAK përballë këtyre pretendimeve?
Nuk ka dyshim se është një strategji e mbrojtjes me qëllim jo vetëm për të luajtur fort proceduralisht, por edhe për të goditur thelbin: rrëzimin e fakteve penale pa hyrë mundësisht thellë në shqyrtimin gjyqësor të tyre. Rrëzimi i provave natyrshëm lidhet me cenimin e ekzistencës së faktit penal, lidhjes shkak-pasojë dhe sjelljes me faj, nëpërmjet përfshirjes së vullnetshme të të akuzuarve.
Mbrojtja vazhdon t’i qëndrojë narrativës së mbajtur në publik: “Zero fakte, zero prova”, edhe pse fakti penal kryesor është kryer dhe askush nuk mund ta mohojë: vendimin e ERE-s në dhjetor 2010, kur me uljen e çmimit të shitjes së energjisë elektrike nga KESH-i tek CEZ-i, u dëmtua të paktën me 35 milionë euro në vit buxheti i Shtetit Shqiptar. Kontrata DIA-CEZ është lidhur në funksion të këtij pazari dhe besoj se faktet dhe provat që lidhin Metën me Ismailajn, për sa më sipër, janë të pamohueshme, pasi janë provuar lidhjet e tyre dhe udhëtimet e tyre të përbashkëta, krahas dëshmive të dhëna në arbitrazh, të cilat provojnë servirjen pranë CEZ-it të Ismailajt si mik të afërt me Metën, Berishën dhe ERE-n.
– Monika Kryemadhi deklaroi në sallën e gjyqit se përgjegjësinë për marrëdhëniet me disa persona e mban ajo dhe se Ilir Meta nuk ka lidhje. A e shihni këtë si një përpjekje për të shkarkuar përgjegjësinë penale nga Meta dhe, sipas jush, a mund të ndikojë një deklarim i tillë në vlerësimin e provave nga gjykata?
Është thjesht një lojë dhe strategji e të dyve në raport me procesin penal dhe asgjë më tepër. Me sa unë kuptoj, Monika, si grua, ka vendosur të marrë përsipër dy akuza. Akuzën e tretë, atë DIA-CEZ, pretendojnë se do ta rrëzojnë dhe kështu të favorizohet Meta. Nëse kjo do të realizohej, padyshim që Meta më pas do të ishte sërish një suport politik i fortë për të mbrojtur Monikën. Pra, fillimisht Monika vetësakrifikohet për Metën, ndërsa më pas Meta do të luajë më fort pasi të rifitojë terren në politikë.
– Ju keni qenë ndër kallëzuesit e parë të Ilir Metës në SPAK. Duke parë zhvillimet e fundit në GJKKO dhe linjën e mbrojtjes që po ndiqet, a besoni se kjo çështje po i afrohet një vendimi që mund të krijojë precedent në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë? Çfarë prisni konkretisht nga SPAK dhe gjykata në vijim?
Unë kam pritur hetime më gjithëpërfshirëse dhe me më shumë të akuzuar e të arrestuar, pasi jam i bindur për fajësinë e komisionerëve të ERE-s, drejtuesve të CEZ-it dhe Ismailajt. Këta konkretisht i mungojnë bankës së të akuzuarve. Tani ngelet të shohim se si do të zhvillohet shqyrtimi gjyqësor i fakteve dhe provave. Padyshim që po jepet një precedent i fortë për luftën kundër korrupsionit. Sidoqoftë, ne kemi nevojë për ritme më të shpejta dhe hetime më gjithëpërfshirëse. Në kaq vite, i gjithë establishmenti politik, ose të paktën përfaqësuesit kryesorë të tij, duhet të kishin kaluar në sitën e SPAK-ut. Nuk ka provë më të madhe se pasuritë e tyre të pajustifikueshme, së bashku me shpenzimet stratosferike që bëjnë ata, familjarët e tyre, si dhe njerëzit pas tyre. Fatkeqësisht, akoma nuk jemi aty ku duhet!
Intervistoi: Rigels Seliman
