Juristi i njohur, Romeo Kara ka zbuluar detaje tronditëse mbi ngjarjet që kanë shoqëruar të shkuarën dhe periudhën e fundit të ish-presidentit Ilir Meta në politikën shqiptare. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, juristi Kara tregon se Ilir Meta ka pranuar nga burgu provën që trondit pozitat e tij, teksa zbulon se Dritan Prifti dhe Kastriot Isamailaj kanë qenë armiq, pasi sipas tij, ish-ministri i dekonspiroi skemat korruptive. Po ashtu, ai zbulon si Sali Berisha dhe Tom Doshi u afruan me kundërshtarët e ish-presidentit për ta goditur. Ndërkohë juristi Kara theksoi se ka zero shanse që sh-kryeministrit Sali Berisha t’i hiqet “non-grata” nga administrata Trump, duke i prerë kështu shpresat kreut të Partisë Demokratike, ndërsa vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë prioritet luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.
-Zoti Kara, ka zëra se do t’i hiqet “non-grata” ish-kryeministrit Sali Berisha nga administrata Trump. Sa shanse ka kjo të ndodhë?
Zero shanse. Shkurt dhe qartë: Trumpi u votua nga populli amerikan për të ulur kostot e jetesës që u shtuan këto vitet e fundit, kryesisht nga donacionet për Ukrainën dhe disiplinimin e emigracionit të paligjshëm, ndërsa lidhur me Ballkanin Perëndimor, administrata Trump do të vazhdojë mbështetjen për anëtarësimin në BE dhe stabilizimin e rajonit. Pra, nuk do të kemi ndonjë ndryshim të kursit të politikës amerikane të shfaqur gjatë 34 viteve të fundit lidhur me rajonin dhe sidomos qëndrimin e saj lidhur me reformën për drejtësi. Përgjatë administratave të kaluara Obama, Trump dhe Biden kemi pasur të njëjtin qëndrim ndaj korrupsionit dhe establishmentit të vjetër politik, kështu që pretendimet rreth “kryetekorruptuarit” Sali Berisha janë lugë bosh që i ofrohen të dëshpëruarve rreth tij, mbajtje rreth fijes së barit dhe ëndrra të një nate vere. Nuk besoj se ish-ambasadorja Kim ka vepruar me kokën e saj dhe në kundërshtim me administratën e parë Trump që e emëroi atë. Pra, çështja Berisha është dhe do të vazhdojë të jetë “Case Closed” për Amerikën.
-Ka një debat sa i takon arrestimit të Ilir Metës, sipas jush a e shkeli policia ligjin?
Debat i ngritur mbi ligësinë dhe në kundërshtim me çdo etikë apo argument ligjor. Kush e njeh ligjin për Policinë e Shtetit do ta kuptojë dhe miratojë menjëherë këtë që unë do të them tani: Policia, në varësi të llojit të ndalimit apo arrestimit që kryen, mjafton të ketë shenjat dalluese dhe të bëjë edhe një njoftim me zë të lartë “Policia” edhe pa paraqitur dokument identifikues. Le të ma kundërshtojnë të gjithë avokatët famshëm të Metës këtë argumentim ligjor që po them.
-Tedi Blushi, në një konferencë për media, është shprehur se gjatë arrestimit mund të ketë pasur dhe një tentativë për ta eliminuar fizikisht presidentin e Partisë së Lirisë. Sekretari i Përgjithshëm i PL-së ndër të tjera u bëri thirrje drejtuesve të burgjeve të tregojnë shumë kujdes. Keni një koment?
Ky është një prononcim tejet idiotesk i jaranit të Ilir Metës, pasi kemi filmime të qarta të cilat janë të pakundërshtueshme lidhur me përpjekjet vetëm për të kryer arrestimin dhe asgjë më tepër se kaq. Eliminimet nuk bëhen në vende të tilla, me kaq shumë njerëz të përfshirë dhe në forma të tilla. Është shumë vonë për Metën dhe jaranin e tij që të vetëheroizohen, pasi Meta dhe banda e tij kanë vjedhur dhe grabitur sa kanë mundur pasuritë publike në një mënyrë të pashembullt. Sidoqoftë, këto deklarime kanë pasur edhe një qëllim tjetër: që të shmangin vëmendjen e publikut nga thelbi i shkakut për të cilin u krye arrestimi, korrupsioni, pastrimi i parave dhe mjaft krime të tjera shoqërues.
-Ish-presidenti Ilir Meta në një intervistë të fundit, në përpjekje për t’u shfajësuar nga akuzat e Prokurorisë së Posaçme për aferën “CEZ-DIA” u shpreh se dëshmitë që janë përdorur nga SPAK janë të pavlefshme. Meta përmendi edhe të ndjerin Dritan Prifti, për të cilin tha se Vojsava Ismailaj, gruan e Kastriotit, është futur që në atë kohë nga ish-ministri për të dëshmuar kundër tij. Keni një koment?
Po, po, Ilir Meta ka shumë të drejtë, sepse sipas ndershmërisë së tij të hajdutit, dëshmitë kundër tij janë të gjitha të pavlefshme, dëshmitarët janë të padëshirueshëm për të dëshmuar rreth tij dhe vetëm pasuria e pamasë dhe e paanë brenda dhe jashtë Shqipërisë është e ndershme dhe e vlefshme. Lidhur me Dritan Priftin, ju siguroj se ai ka qenë për shumë kohë i padëshirueshëm për familjen Ismailaj, pasi sipas tyre, ai ishte personi që i ekspozoi ata për herë të parë në intervistën e tij në ‘Top Channel’ në fund të vitit 2010 dhe dekonspiroi profilin “low” të mbajtur nga Ismailaj deri në atë moment. Për mua, ka qenë pikërisht Ismailaj dhe kontrata e tij e mbledhjes së detyrimeve që u bë mollë sherri për Metën dhe Priftin dhe ndarjen përfundimtare të tyre. Prifti ka pasur një tjetër kompani në konsideratë për t’u marrë me atë proces, kompaninë TEO ALB, gjë të cilën ia ka shprehur me email edhe Jozef Hejsekut, ish-kryetarit të bordit të drejtuesve të CEZ-Shpërndarje. A ka pasur një ndarje dhe kontradikta midis Ismailajt dhe Metës pas arrestimit të Ismailajt në maj 2015, pasi Ismailaj mund të kishte bërë presion për të ndihmuar Metën të dilte nga burgu dhe t’i riktheheshin atij rreth 5 milionë dollarë të sekuestruara? Besoj se po, dhe kanë qenë pikërisht këto kontradikta që mund t’i kenë afruar kundërshtarët e Metës në atë kohë me Ismailajn, përfshirë këtu edhe Doshin me Berishën. Sidoqoftë, Ilir Meta bën pa dashje një pohim shumë të rëndësishëm: Intervista e Vojsava Ismailajt është autentike dhe shumë rënduese për pozitat e tij dhe rikonfirmon plotësisht dyshimet e mia të shprehura në kallëzimin tim.
Intervistoi: Rigels Seliman