Juristi i njohur, Romeo Kara ka komentuara situa politike në vend, ndërsa ka folur mbi një zhvillim të rëndësishëm që pritet të vijë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), duke paralajmëruar se Sali Berisha mund të përballet me një dënim prej 20 vitesh burg për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave sa i takon aferës “Partizani”. Gjatw njw interviste pwr gazetën “SOT”, ai thekson se ky lajm “bombastik” është një sinjal për të gjithë ata që shkelin ligjin dhe se duhet të jetë një moment reflektimi për politikën shqiptare. Sipas Karës, veprimet destabilizuese që po përgatiten nga deputetët e opozitës, për të mbrojtur interesat personale të Berishës dhe grupit të tij, rrezikojnë seriozisht stabilitetin e vendit. Juristi Kara gjithashtu thekson se deputetët e Partisë Demokratike që shkaktuan kaos në Kuvend dhe dogjën karriget duhet të ndiqen penalisht, duke theksuar se veprimet e tyre janë të papranueshme dhe dëmtojnë demokracinë. Po ashtu, gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, zoti Kara apelon për një reagim të fortë nga institucionet ligjzbatuese, për të ndaluar këtë spiral dhune dhe për të mbrojtur rendin dhe ligjin. Në këtë kontekst, ai kërkon mbështetje nga qytetarët për të ruajtur një shoqëri të drejtë dhe të barabartë, duke rikthyer besimin në institucionet e drejtësisë.
-Zoti Kara, Ilir Proda është emëruar drejtorin ri i Policisë së Shtetit? Mendoni se Z.Proda do të sjellë ndonjë ndryshim në mënyrën e funksionimit të policisë dhe a do të pastrohet policia nga elementët e korruptuar dhe të inkriminuar siç është premtuar nga ministri Ervin Hoxha?
Vlen të theksohet se ky propozim vjen pas një procesi përzgjedhës, ku për herë të parë pati një lloj konkurrimi midis një numri jo të vogël kandidatësh. Personalisht, kam kohë që kam ngritur zërin për të bërë një reformë dekriminalizuese në polici, pasi fatkeqësisht kemi kohë që jo vetëm me perceptime publike, por edhe me fakte e prova, një numër jo i vogël i kësaj strukture është kriminalizuar, duke demotivuar ata që janë për zbatimin e ligjit dhe motivuar shkelësit e tij. Shkuarja deri në fund të operacionit Metamorfoza do të kishte zbardhur shumë aspekte të këtij shqetësimi, duke marrë parasysh që as 6% e mesazheve në dispozicion nuk janë zbardhur dhe trajtuar nga organet tona ligjzbatuese. Detyra numër një sot në lidhje me policinë është certifikimi i sigurisë së saj, gjë për të cilën duhet ose një reformë e menjëhershme si në rastin e Azerbajxhanit, ose vite të tera ringritjeje graduale. Mesa shoh, varianti i Azerbajxhanit nuk do të aplikohet pasi atij varianti do t’i paraprinte krijimi me urgjencë i një xhandarmerie e cila do të punonte si Task Force deri në ringritjen nga e para të të gjithë strukturës policore. Uroj që shpejt të kuptohet se ne kemi nevojë për një strukturë të re policore dhe jo një retushim të kësaj strukture që kemi, fatkeqësisht e kriminalizuar deri në kupolën e saj.
-Sali Berisha është marrë zyrtarisht nën hetim nga SPAK për aferën “Partizani”. Sipas jush, a rrezikohen pozitat e Berishës nga ky hetim dhe sa vite burg rrezikon ai?
Hetimi ka konkluduar në një akuzë zyrtare, gjë që do të thotë sipas vetë organit të akuzës se Sali Berisha e ka konsumuar veprën penale të korrupsionit pasiv në bashkëpunim përtej dyshimit të arsyeshëm, gjë që më krijon bindjen e plotë se ai do të marrë një dënim jo të lehtë nga GJKKO, sidomos kur marrim parasysh se akuza mund të rëndohet edhe me akuzën për pastrimin e produkteve të veprës penale, gjë që na bën të mendojmë se dënimi i tij lidhur me këtë aferë do të jetë diku te 20 vite burgim.
-PD ka thirrur protestë më 7 tetor. Sipas zyrtarëve të lartë demokratë, pritet të ketë një pjesëmarrje të madhe. A mendoni se ekziston rreziku që kjo të çojë në mosbindje civile, siç paralajmëron Sali Berisha?
Sali Berisha gjithmonë e ka kryer me sukses procesin e destabilizimit të vendit këto 34 vite demokraci. Tashmë destabilizimi i vendit nuk varet më nga dëshira e tij e përjetshme diabolike që mbetet e pandryshuar, por nga reagimi i organeve të drejtësisë dhe atyre ligjzbatuese. Këtë javë u dogjën me frymëzimin e tij karriget përpara Kuvendit dhe u tentua të goditej me dërrasë në kokë kryetarja e Kuvendit. Pra, u konsuamuan disa vepra penale, të cilat po nuk u trajtuan me efikasitet ligjor, do të përbëjnë një frymëzim për ta rënduar më tej situatën, duke rënduar për të disatën herë në histori shpatullat e shqiptarëve me pasojat e halleve personale të Sali Berishës dhe bandës së tij me status politik, të quajtur PD.
– Si e shihni incidentet e dhunës dhe djegies së karrigeve në Parlament nga deputetë e Partisë Demokratike? Mendoni se këto akte mund të çojnë në ndjekje penale për ata deputetë?
Padyshim që po. Janë akte të kryera në publik, shumë të rrezikshme për mesazhin destabilizues që përcjellin dhe për më tepër të kryera me vetëdije dhe parapërgatitje të plotë. Fakti që një grup deputetësh konsumon disa vepra penale në solidaritet me njëri-tjetrin, nuk do të thotë se përballë tyre drejtësia duhet të heshtë. Ata kanë marrë mandatin si përfaqësues të popullit, por po veprojnë aty si ushtarë të Berishës dhe për më tepër të zhytur në paligjshmëri të përsëritur. Nuk jemi një popull primitiv që të përfaqësohemi nga rrugaçët në procesin ligjvënës. Do të mjaftonte ky fakt, për ta dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme, ku pakica të zgjidhte përfaqësuesit e saj të rinj dhe me këta kriminelë me mandat deputeti të merrej drejtësia. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë.
-Si e vlerësoni qeverisjen e Ramës deri tani? Cilat janë ato aspekte që mendoni se nuk funksionojnë siç duhet?
Ka humbur motivimi, meritokracia dhe në përgjithësi ligjshmëria. Akoma nuk po e kuptojnë se një erë e re po fryn. Përgjegjshmëria, devotshmëria, integriteti dhe profesionalizmi ekzistojnë vetëm si ide reklamuese në letër. Shpeshherë, punë të thjeshta nuk kryhen për shumë kohë, pasi mungon iniciativa nga poshtë dhe kur iu vjen urdhri nga lart, kryesisht nga kryeministri, ajo punë si për çudi bëhet në pak minuta. Besoj se duhet një ligj i ri për Administratën Publike, ku karriera dhe paga të varen nga meritokracia dhe sigurohen përjetësisht nga ligji dhe nga askush tjetër. Kush punon me idenë se nesër mund të mos gdhihet në vendin e tij të punës, më mirë mos punofshin kurrë.
-Pavarësisht se PS ka 3 mandate në pushtet, ajo vazhdon të kërkojë një mandat të katërt. Çfarë mendoni se e motivon këtë kërkesë?
E motivon vetë natyra njerëzore që kurrë nuk ngopet me pushtet. Shumë pak janë ata që kanë ide të qarta në dobi të vendit dhe që kanë brenda tyre motivime të tilla idesh, qofshin ato patriotike, klasore, fetare, shoqërore apo edhe krahinore kur bëhet fjalë për politikat lokale. Rënia e opozitës i motivon të angazhohen për një përballje tjetër tashmë jo aq të vështirë sa tri të mëparshmet. Disa i motivon ruajtja e privilegjeve të krijuara vetëm nga shfrytëzimi i pushtetit. Disa i motivon ruajtja e kësaj status quo-je ku normaliteti është bërë teori dhe çuditë zakon. Disa i motivon koncepti përbindësh se politika është biznesi më fitimprurës në Shqipëri. Besoj se shumë pak i motivon vuajtja, braktisja e vendit, humbja e shpresës, vrasja e ëndrrave, përmbysja e vlerave, minimumi jetik i pazgjidhur, oligarkia që ka bërë inekzistent tregun e lirë, mosvotimi i diasporës, etj, etj.
-Si e shihni raportin midis opozitës dhe qeverisë aktuale? A mendoni se është e mundur një dialog konstruktiv në këtë kontekst për t’u kthyer normaliteti dhe qetësia?
Kur duan, të dy palët e gjejnë gjuhën mes tyre. Votimi i fundit me 105 vota në Kuvend, fakton më së miri këtë që unë po them. Ne mbi të gjitha duam ecjen përpara sa më shpejt nëpërmjet realizimit të reformave sipas sugjerimeve të Brukselit, uljen e kostove të jetesës, miratimin e një minimumi real jetik ku 1/3 të shërbejë për ushqim, 1/3 për strehim dhe 1/3 për edukim, strehimin e çdo të pastrehë, implementimin e politikave sociale dhe sidomos shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurisë. Ne kërkojmë ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe aspak qetësinë e tyre. I kemi dërguar atje për të na shërbyer dhe jo për të na sunduar dhe për t’i adhuruar.
Intervistoi: Rigels Seliman