Rrjeti i aferave korruptive të Sali Berishës dhe Ilir Metës po shtrëngohet gjithnjë e më shumë, ndërsa drejtësia po zbardh skandale që dikur dukeshin të paprekshme. Avokati i njohur, Romeo Kara paralajmëron gjatë një interviste për gazetën “SOT”, se ditët e ardhshme do të sjellin goditje të rënda për ish-kryeministrin dhe ish-presidentin, sidomos nëse kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK-ut), Altin Dumani, shkon deri në fund të hetimeve mbi pastrimin e parave të Argita Berishës me biznesmenin kontrovers Damir Fazlliç. Nga Porto Romano te miliona eurot e transferuara në llogari offshore, faktet janë aty dhe vetëm pritet që SPAK t’i konkretizojë me veprime penale. Ndërkohë, Berisha, në një përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar veten, po mobilizon protestat, por duket se mbështetja e tij po tkurret ndjeshëm. Nga ana tjetër, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi duket se janë kapur pas shpresës së fundit, pra Gjykatës së Lartë, për të shpëtuar nga masat e GJKKO-së, por gjasat janë të pakta që drejtësia të tërhiqet, thekson avokat Kara gjatë një interviste për gazetën “SOT”. Nëse SPAK dhe institucionet e reja të drejtësisë nuk ndalen nga presionet politike, ky nënvizon juristi Kara, mund të jetë fillimi i fundit për epokën e pandëshkueshmërisë së korrupsionit të lartë në Shqipëri.
– Zoti Kara, Sali Berisha ka thirrur sot protestë kundër qeverisë. A mendoni se qytetarët do t’i bashkohen thirrjes së tij apo edhe këtë herë do të dështojë protesta?
Në bindjen time, Berishës do t’i bashkohen vetëm familjarët e tij, militantët dhe ata që egoizmi për pushtet u ka errësuar sytë, duke e parë atë si trampolinë për qëllimet e tyre, të cilat përputhen me interesat e tij. Njerëzit e vetëdijshëm, ata që kanë vuajtur pasojat e keqqeverisjes së tij, padyshim jo vetëm që nuk i bashkohen, por ndihen të fyer dhe të ofenduar që drejtësia ende nuk është marrë seriozisht me të dhe se politika vazhdon të merret me temën “Berisha”. Ai thjesht kërkon të japë një provë force dhe të “ngrohë motorët” e detashmentit të tij elektoral, duke u futur gradualisht në lojën e zgjedhjeve. Duke mbledhur rreth vetes ndjekësit e tij, me ose pa shkak, ai si gjithmonë do të përcjellë mesazhe personale për forcën e tij dhe pasojat destabilizuese që mund të sjellë. Qëllimet e tjera deri tani i ka realizuar përmes pazareve politike, prandaj nuk ka asnjë motiv të vërtetë për të organizuar protesta. Mos harrojmë se, si Kodi Zgjedhor ashtu edhe Amnistia Penale, u realizuan tërësisht përmes marrëveshjeve politike dhe jo me protesta. Një protestë pa moral nuk ka kuptim, dhe pikërisht kjo i mungon tërësisht atij, duke bllokuar në të njëjtën kohë edhe frymën e vërtetë opozitare.
– Tashmë SPAK ka hapur hetimet për lidhjet korruptive të Sali Berishës me Damir Fazlliç. Altin Dumani po heton akuzat për pastrim parash, miliona euro nga offshore drejt studios së familjes Berisha, aferën e tokave në Porto Romano dhe përfitimin e 1.1 milionë eurove. Si e komentoni këtë lëvizje të SPAK? A ka prova që mund të tronditin pozitat e Berishës, apo kreu i PD-së i ka zhdukur?
Këto hetime duhej të kishin nisur shumë vite më parë, pa pasur fare nevojë për ndonjë kallëzim penal. SPAK-u duhej të kishte nisur investigimin me iniciativën e tij për të gjithë kryepushtetarët e këtyre 34 viteve të abuzimit. Le të shpresojmë që SPAK-u do të arrijë t’i zbardhë këto afera, sepse besoj plotësisht se bëhet fjalë për një zinxhir korrupsioni. E gjithë qeverisja e Berishës ka qenë një aferë e madhe. Nëse do të ketë vullnet dhe dëshirë të vërtetë për të çuar deri në fund hetimet, padyshim që do të zbulohen të tjera skandale. Aferat e Berishës nuk kanë fund.
– Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë për masat që GJKKO ka vendosur ndaj tyre. Si e shihni këtë lëvizje të tyre?
Njësoj si lëvizjet e Sali Berishës, asgjë më shumë. Po shfrytëzojnë të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, me shpresën se do të gjejnë shpëtim në Gjykatën e Strasburgut. Nuk mendoj se Gjykata e Lartë do të ndryshojë ndonjë gjë apo do të bjerë pre e presioneve të Metës dhe mbështetësve të tij. Për më tepër, me sa shoh, atij po i pëlqen shumë të qëndrojë sa më gjatë aty ku është.
Intervistoi: Rigels Seliman
