E diel, 20 Prill, 2025

Romeo Kara: Ja materialet kompromentuese të aferës “CEZ-DIA që do të fundosin Metën e Berishën, lidhjet e tyre me Ismailajn dhe vizitat e mistershme në Çeki, pritet të arrestohen politikanë të rangjeve më të larta, në Pragë dhe Tiranë

Share

Ish-juristi i OSHEE dhe një ndër ekspertët më të mirë të jurisprudencës, Romeo Kara, në një intervistë për gazetën SOT, ka zbardhur detaje të reja sa i takon dosjes së dy aferave të mëdha të korrupsionit në Shqipëri, privatizimi i OSSH nga CEZ Shpërndarje dhe marrëveshja CEZ-DIA për mbledhjen e borxheve. Ai ka treguar me detaje se si Berisha bëri shkelje me privatizimin e OSSH, sot OSHEE. Por sipas zotit Kara, afera më e madhe është padyshim ajo CEZ-DIA, ku sipas tij, janë të përfshirë Berisha e Meta, por ky i fundit sipas tij, ka rol më të rëndësishëm. Prerë dhe qartë në intervistën për gazetën “SOT”, juristi i njohur, tregon madje edhe materialet kompromentuese të aferës “CEZ-DIA që do të fundosin Metën e Berishën, si dhe lidhjet e tyre me Ismailajn dhe vizitat e mistershme në Çeki, që siç thotë ai, pritet të çojnë në arrestimin e politikanëve të rangjeve më të larta, në Pragë dhe Tiranë.

-Zoti Kara, ish-presidenti Ilir Meta ka takuar së fundmi ambasadorin çek në Tiranë, zotin Karel Urban.  Takimet e tij me çekët së fundmi kanë qenë të shpeshta, mendoni se Ilir Meta është alarmuar nga zbardhja e skandalit “CEZ-DIA”, pasi ajo ishte kompani çeke dhe ata kanë të dhënat e çdo marrëveshje?

Perceptimi im është ky: çështja DIA-CEZ nuk është çështje korrupsioni vetëm e brendshme jona, por edhe çeke. Ajo vjen si rrjedhojë e aferës së parë korruptive, atë të privatizimit së OSSH-së, (sot OSHEE), nga CEZ-Group, në vitet 2008-9. Pra, ajo ka përfshirë fillimisht pikërisht dy korporata shtetërore energjetike, CEZ-in e Çekisë dhe OSSH-në e Shqipërisë. Duke qene se, kjo krushqi u lidh e u bekua me korrupsion, pushtetarët e të dy palëve, kanë menduar ta vazhdojnë bashkëpunimin e tyre në këtë rrafsh edhe përgjatë aktivitetit të korporatës, pas momentit të privatizimit. Pas zgjedhjeve të vitit 2009, PD-së iu shtua në qeverisje edhe faktori LSI me Metën në krye, te cilit iu dha në administrim edhe METE, përfshirë sektorin energjetik së bashku me të. Në fund të vitit 2009 dhe në fillim të vitit 2010, njerëzit pranë Metës, një prej tyre Ismailaj, u aktivizuan duke përgatitur dhe zbatuar një plan të qartë, për të realizuar aferën e dytë më të madhe të korrupsionit në sektorin energjetik, atë të kontratës lidhur me mbledhjen e 460 milionë eurove të borxheve të këqija, të mbartura që nga viti 2007 të OSSH-së, tashmë të shndërruar në CEZ-Shpërndarje. E gjithë kjo kontratë, ka qënë nën hyqmin e politikës në të dyja krahët dhe kjo është pranuar nga vetë ish drejtuesi cek i CEZ-Shpërndarje, Jozef Heksek në dëshminë e tij, kur deklaron se, ata hynë në këtë marrëveshje me Ismailajn, pasi ai ishte ofruar nga vetë politika e lartë shqiptare, nëpërmjet ambasadorit Tepshi, të cilit këtë mision ia kishte ngarkuar vetë Meta, në atë kohë ministër i jashtëm. Unë kam konstatuar se, nga pala ceke, janë përfshirë së paku, tre nga figurat më të larta të drejtimit të CEZ-Group, të cilët jo vetëm që kanë pasur ndikim të padiskutueshëm politik në Ceki, por, kanë pasur padyshim edhe ata vetë miratimin e politikës ceke, lidhur për sa më sipër. Politikanët e rangjeve më të larta, në Pragë dhe Tiranë, kanë rënë dakord, të manipulojnë të drejtat kontraktore, për të devijuar fitimet e një kompanie si CEZ-Shpërndarje, me aksionerë dy shtete, (shqiptare dhe çeke), tek pushtetarët e korruptuar, nëpërmjet një kontrate fiktive, me një kompani offshore e krijuar si SPV, (Special Purpose Vehicle), vetëm për këtë qëllim. Jam i sigurtë se, çdo vënie e ish drejtuesve të CEZ-it përpara drejtësisë, do të shkaktonte tërmet politik në Ceki dhe Shqipëri, pasi ata do të deklaronin pa asnje mëdyshje, politikanët pas tyre këtu edhe në Ceki. Nuk ka burra të tillë çekë, që të mbajnë burgun për llogari të pushtetarëve, prandaj ata kanë kohë që përpiqen ta shuajnë me çdo kusht këtë proces. Pra, duke parë realitetin në sy, them me bindje se, edhe pala çeke është e alarmuar po aq sa Meta. Edhe unë jam kontaktuar nga ish-ambasadorë çeke në Shqipëri, që më kanë kërkuar të tërhiqem, por, unë ua kam bërë të qartë dhe pa asnje ekuivok se, jo vetëm që nuk do të tërhiqem, por, kësaj çështjeje do t’i shkoj deri në fund. “Më dhimbset më shumë vendi im, se sa fytyra e ish-drejtuesve të CEZ-it, të cilët jo vetëm që bënë korrupsion dhe vodhën, por, u tallën aq shumë, sa ranë në nivelin e Ismailajt dhe Nuel Kalajt”-iu thashë. Nuk besoj se, kane diçka tjetër për të biseduar çekët me Metën, pikërisht në këto momente, kur ai nuk i hyn në punë as vetes së tij. Hapja e këtij procesi, së bashku me atë të privatizimit, patjetër që do t’i krijonin palës çeke edhe probleme të tjera në vendet e Europës Lindore, ku ata janë prezentë dhe kanë pasur probleme gjyqësore dhe arbitrazhi ndërkombëtar, të cilat me shumë vështirësi, kanë arritur t’i menaxhojnë deri më tani.

-Ju jeni dëshmitar kyç i kësaj çështje. Mund të na thoni çfarë ka ndodhur në të vërtetë me aferën e CEZ dhe DIA dhe cilët zyrtarë janë të përfshirë?

Shkurtimisht, për të mos bezdisur lexuesit po ritheksoj: Në dakordësi të plotë, pushtetarët shqiptarë të kohës dhe drejtuesit e CEZ-it, planifikuan që borxhi prej 460 milionë eurosh, që konsumatorët e energjisë i kishin operatorit të shpërndarjes prej vitit 2007, të mblidhej në dukje nga një kompani private, e cila do të përfitonte 50% të borxhit të mbledhur, duke bërë të mundur me pas, kanalizimin e këtyre parave, në xhepat e pushtetarëve pas tyre. Pra, fillimisht ishte përllogaritur, që fitimi i kësaj kompanie të mbirë nga hiçi, do të ishte së paku 230 milionë euro. Gjasat ishin që të prodhohej më pas artificialisht vazhdimisht një borxh i keq, i cili gjithashtu do të kanalizohej në xhepat e pushtetarëve. Kësaj kompanie, ishte planifikuar t’i jepeshin kontrata të tjera shërbimi si, ajo e përfaqësimit të përgjithshëm ligjor, faturimit etj, duke i lënë CEZ-it de facto, vetëm çelësat e kashtës në dorë.

-Cilat janë shkeljet që ju keni zbuluar dhe çfarë roli ka pasur ish-kryeministri Berisha në këtë mes?

Së pari, konstatuam dhe provuam përpara çdo gjykate mashtrimin në lidhje me krijimin e vetë kompanisë si dhe materialeve të përdorura prej saj, për të fituar besueshmërinë tek personat e papërfshirë në korrupsion, mashtrim, shpërdorim, vjedhje etj.Kjo kompani u krijua me urgjencë në korrik-gusht 2010, ndërkohë që hyri në një kontratë paraprake me CEZ-in në 1 shtator 2010, duke mos pasur as staf dhe as seli.Vetë drejtuesit e CEZ-it kanë ushtruar terror e dhunë, për të transferuar në këtë kompani punonjësit e CEZ-it në kundërshtim të plotë me Kodin e Punës.Përveç punonjësve, kësaj kompanie iu dhanë zyra nga ambientet e CEZ-it, të pajisura gjithashtu me kompjuterë të CEZ-i si dhe pagesa paraprake të përmuajshme prej 512 mije euro.Kjo kompani u pagua me urgjencë mbi 1.5 milionë euro në fund të vitit 2010 nga CEZ-i për punë të pakryera edhe sot që ne po flasim.Këto pagesa korrespondojnë me vizitat në Pragë të Ismailajt dhe Metës, ku ata janë takuar dhe dakordësuar për pazaret e tyre me drejtuesit e lartë të CEZ-it në Pragë.Menjëherë pas kësaj vizite, ERE u mblodh nën ndikimin e Metës dhe Berishës për të ndryshuar çmimin e shitjes së energjisë nga KESH-i tek CEZ-i, duke e ulur atë në favor të CEZ-it dhe në dëm të buxhetit të shtetit jo më pak se 30 milionë euro në vit.Ky fakt është pohuar edhe në intervistën, që bashkëshortja e Ismailajt, ka dhënë në shkurt 2916 ne Vjenë, kur ajo thekson rolin e Metës në favor të CEZ-it, duke ndërhyrë tek ERE, përkundrejt kërkesave për disa milionë euro në favor të tij.Tashmë është e qartë se, CEZ-i krijoi së bashku me pushtetarët shqiptarë një kompani offshore, e cila jo vetëm që nuk kishte asnjë përvojë në mbledhjen e borxheve, por, ajo nuk kishte as kapacitetin minimal për ta realizuar atë.Unë, së bashku me specialistët e kompanisë, kam verifikuar saktësisht se borxhet janë mbledhur nga vetë punonjësit e CEZ-it ndërkohë që u tentua nëpërmjet mashtrimit të deklaroheshin si të mbledhura nga DIA. Janë së paku mbi 100 mijë procesverbale, që vërtetojnë këtë pohim timin.  Çdo gjë lidhur me këtë kompani, ka qenë fake, mashtrim, abuzim dhe korrupsion i mirëkoordinuar edhe me politikat e ERE-s, lidhur me çmimet e rregulluara të energjisë. Fatmirësisht, ne mundem t’i shmangim disa nga pasojat e kësaj afere. Ku e shoh unë përfshirjen e Berishës në këtë afere? Së pari në dëshminë e tij Jozef Hejseku e ka deklaruar se, pala çeke hyri në kontakt me Ismailajn pikërisht sepse ai u konsiderua mik i Metës dhe i Berishës. Së dyti, ERE me siguri që vendimet e saj lidhur me çmimin e shitjes së energjisë i ka marrë në dakordësi të plotë edhe me Berishën. Kush ka punuar në sektorin energjetik në atë kohë, e di mire se, si funksiononte ERE dhe raportin e saj me Berishën. Nëse Berisha nuk ka gisht drejtpërdrejt, atëherë ai mban përgjegjësinë se, ka toleruar pazaret e Metës me ERE-n. Sidoqoftë, unë kam argumentuar se, ERE ka marre një sërë vendimesh nën ndikim korruptiv edhe më pas, në 2011 dhe 2012, duke koordinuar me tetë kompani të tjera të mbledhjeve te borxheve, të cilat zëvendësuan në këtë lloj afere DIA-n. Këto kompani më së shumti kanë qenë nën ndikimin direkt të Berishës, i cili edhe zyren sot e ka në ndërtesën e pronarit të njërës prej tyre.  Edhe mosveprimet me pasoja të dëmshme përbëjnë shkelje penale, sidomos kur presupozohet se, kryetari i qeverisë, është përgjegjësi kryesor i të gjithë qeverisë dhe jo vetëm i zyrës së tij. Më e pakta, Berisha ka rënë në heshtje në dakordësi me Metën dhe pazaret e tij. Nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së mëtejshme. SPAK-u duhet të kontrollojë mirë se, kush ka qenë në fund të vitit 2010 në Pragë, sidomos në Hotelin Mandarin në Mala Strana.

-A mendoni se SPAK do ta zbardhë këtë aferë?

SPAK-u ka vetëm dy rrugë: O të zbardhë këtë aferë, o të nxijë përfundimisht fytyrën e tij. I vetëm dhe pa kompetencat që të jep ligji si prokuror, unë pothuaj e kam zbardhur tërësisht këtë aferë. Për kuriozitet, kam arritur të gjej edhe llojin, ngjyrën, targën dhe origjinën e makinës me të cilën agallarët e korrupsionit kanë bredhur nëpër Pragë në fund të vitit 2010. (Mercedes i zi, E Classe, me targë AOE 507, prodhim i vitit 2004, i blerë tek disa rusë në qytetin e Karlovy Varyt në Çeki. Kjo makinë, iu dhurua Qazim Tepshit, nga një biznesmen kosovar, që ka disa dyqane në Karlovy Vary, me qëllim, që agallarët të kishin privatësinë e duhur, duke mos udhëtuar me makinat zyrtare). Pra, nëse ekziston vullneti i duhur, patjetër që SPAK-u do të ketë sukses, por, deri më tani e shoh shumë të vonuar dhe të stepur. E pafalshme që kjo çështje ka pothuaj pesë vite në hetim.

-Sali Berisha është thirrur ne SPAK bashkë me dhëndrin dhe kupolën e tij të mbrojtjes për aferën e ish-Klubit Partizani. Mendoni se do ketë arrestime?

Patjetër që do të ketë arrestime dhe jo vetëm arrestime. Ne duhet të synojmë vendosjen e plotë të drejtësisë, vënien e sistemit në funksion, instalimin e ndëshkueshmërisë për korrupsionin dhe çdo vepër tjetër penale, dënimin e merituar të pushtetarëve të korruptuar, konfiskimin e plotë të pasurive të tyre dhe zhbërjen e çdo padrejtësie të kësaj politike 30 vjeçare antihumane dhe antishqiptare. Nëse sistemi i drejtësisë do të vazhdojë përjetësisht në pengmarrje, atëherë populli duhet ta vendosë drejtësinë fshatshe. Të robelëruar nën dhunën e hajdutëve të politikës dhe horrave vegla dhe ortakë të tyre, nuk mund të vazhdojmë më. Ky popull duhet ta kuptojë se, bjerrja morale sot ka arritur kulmin dhe nëse nuk do të përballemi me të, me siguri do të shkojmë drejt një shpërbërje te plotë.

Nuk jane të pakta rastet ne histori, kur popujt e shpërbërë moralisht, janë shpërbërë edhe fizikisht. Jemi përgjysmuar e tretur, ndërkohë që politikanët e të gjitha ngjyrave po trashen. Me çfarë kam parë e dëgjuar lidhur me aferën në fjalë, nuk e di çfarë pret tjetër SPAK-u që të veprojë.

-Arben Kraja se fundmi ka deklaruar se për Sali Berisha po hetohet edhe për Gërdecin, besoni se ka prova SPAK?

Nuk kam asnjë besim tek zotëria në fjalë, prandaj nuk po begenis fare të komentoj rreth përrallave te tij. Tre vjet në krye te SPAK-ut bëri një vrimë në ujë, ndërsa tani në fund po na bëhet interesant.

Si i komentoni thirrjet për revolta dhe masive dhe madje grevë të përgjithshme të dyshes Meta-Berisha?

Përgjithësisht të dy ata po thonë gjëra që unë dhe të tjerë i kemi thënë vite përpara tyre. P.sh unë jam prononcuar prej vitesh në publik, lidhur me instalimin e demokracisë së drejtpërdrejtë, e cila si bazë ka referendumet e përgjithshme dhe lokale. Mbas shume viteve, bëhet edhe Meta përkrahës i kësaj teze, por pikërisht atëherë kur po e shihte veten të rrezikuar, jashtë pazarit politik dhe përballë drejtësisë. Thënë më shkoqur, ai kërcënoi se, “o të jem unë në pazar siç ishim, ose unë inicioj demokracinë e drejtpërdrejtë”, e cila do rrëzojë sigurisht, të gjithë sistemin e pazarit të votave, që është garancia më e madhe e kësaj politike. Edhe Berisha ka shprehur pothuaj të njëjtën gjë, sidomos në lidhje me mosbindjen civile, disa kohë më parë. Thirrjet e tyre janë së pari kërcënime për të mos ndryshuar statuskuonë e kësaj politike regresive dhe përgatitje për destabilizim, në rast se avancohen hapat e drejtësisë në drejtim te tyre. Mjeti i vetëm i tyre për mbijetesë ka mbetur destabilizimi. Tashmë i njohim mirë ata dhe kjo gjë nuk na surprizën dhe as na emocionon, përkundrazi na motivon, për t’i anatemuar ata, si pengmarrës të fateve të këtij vendi dhe të këtij populli. Ata do të përballen patjetër me fatin e tyre, sado revolta dhe greva që të bëjnë. Kanë bërë revolta, kane thyer dhe kanë djegur, kanë bllokuar rrugë dhe bulevarde, por sërish kanë dështuar, pasi shumica e shqiptarëve kurrsesi nuk është me ta.  Ata u thinjen, u plakën e u kërrusën duke vjedhur, prandaj nuk ka më asnjë demagogji, që të na marrë mendjen e të bëhemi sërish kurbani i tyre.  Ata ëndërrojnë edhe të rrënohet përfundimisht ky vend, vetëm ata të mos përballen me drejtësinë, por, jemi më të shumtë ne, që ëndërrojmë të kundërtën e tyre. Ca ëndrra dalin e ca s’dalin, prandaj le të mos merremi shumë me çuditë e Metës dhe Berishës.  Premtuan se do të bënin çudinë në shtator, por, na “zhgënjyen” shumë. Mbase bëjnë ndonjë çudi tani që morën edhe garancinë e gërdallave të sindikatës që gjithashtu u plakën duke u pasuruar dhe duke tradhtuar interesat e punëtorëve.

-Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim dhe ish-presidenti Ilir Metaj duket se kanë bërë “paqe”, për shkak se kanë hedhur pas krahëve akuzat e artikuluara mes tyre para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021. Si ju duket kjo lëvizje e amerikanëve dhe zbutje e marrëdhënieve me radikalin Metaj? A po tenton SHBA të afrojë Metën, duke e mbajtur larg nga “non grata” Sali Berisha, për shkak se ky i fundit është izoluar nga ndërkombëtarët dhe askush nuk e njeh atë… .

E vlerësoj si lëvizje politike për interesa të momentit. Duke e njohur mirë Metën, besoj se, ai nuk ka asnjë pikë emocioni, për ta shitur Berishën dhe këdo tjetër, nëse këtë gjë do t’ia kërkojë interesi i tij dhe i jepet mundësia gjithashtu. Sidoqoftë, unë lexoj një mesazh amerikan në drejtim të Berishës dhe qeverisjes njëkohësisht. Do ta konsideroja këtë takim edhe si shprehje të pakënaqësisë ndaj qeverisjes. Arsyet reale mund të jenë disa, por, ajo për të cilin nuk kam shumë dyshim, është pikërisht mesazhi i mësipërm. Ndërkohë që kemi edhe një vizitë shumë të suksesshme të Veliajt në SHBA, deri në takime të nivelit të lartë si ai me Nancy Pelosin, gjë që flet për zhvillime shumëplanëshe. SHBA, për qëllime diversive apo jo, po lënë të kuptohet se, po punojnë edhe për alternativa të tjera.

-Pas paralajmërimeve të kreut te SPAK se po hetohen dosje “të nxehta”, mendoni se do të shkojnë pas hekurave “peshq të mëdhenj”?

SPAK-u atë detyrë ka, të hetojë dosje korrupsioni. Shumë nga dosjet po hetohen dhe shqyrtohen në media, ndërsa SPAK-u vetëm po iu vjen vërdallë. Fakti që nuk kemi një stepje përballë korrupsionit, që askush nuk e ka marrë seriozisht një ndëshkim të mundshëm, flet për mungesën e besimit dhe të vlerësimit për SPAK-un. SPAK-u flet për shifra sekuestrimesh, por edhe KLSH flet për shifra dëmesh dhe shifrat e KLSH-së janë shumë më të larta se ato të SPAK-ut. Kjo strukturë është krijuar për të hetuar dhe luftuar pikërisht korrupsionin në nivelin më të lartë, por, deri më tani nuk po arrin dot as tek niveli i mesëm. Shumë nga akuzat po i hidhen poshtë nga gjykata, gjë që flet për argumentim të mangët apo paaftësi për të hetuar gjyqtarët që punojnë për llogari te krimit dhe korrupsionit. Ky trevjeçar i parë i SPAK-ut na ka bërë me të drejtë mosbesues ndaj tij, prandaj le të mos flasim vetëm për suksese në të ardhmen. A do të ketë suksese në të ardhmen duke vazhduar të punohet si këto tre vite? Patjetër që jo. A varet i gjithe fati i drejtësisë së shumëpritur nga SPAK-u? Përsëri patjetër që jo. Drejtësia zhytet, por kurrë nuk mbytet, pasi garant i saj është vetë Zoti. Ne duhet ta kuptojmë se, pa përqafuar moralin hyjnor si popull, kurrë nuk do të ketë drejtësi tek ne.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera