E diel, 2 Gusht, 2026

Rinia, prioritet në vepra, jo në letra

Share

-Reflektim i të dielës-

Nga Taulanda Jupi

Nuk na duhen shifra për të kuptuar se Shqipëria po zbrazet. Rrugët e Tiranës mbrëmjeve janë më të boshatisura se kurrë, auditorët e universiteteve po zbrazen nga studentët, ndërsa shkollat mbyllen njëra pas tjetrës. Ndërkohë, kompanitë private po kërkojnë punëtorë nga Afrika. Është një tablo që rrëfen zymtësisht tragjedinë tonë të ngadaltë: vendi po humb çdo ditë të ardhmen e tij.

Ata që e shndërruan Shqipërinë në makth për rininë shqiptare kanë ngritur teatrin e zakonshëm të fajësimit të njëri-tjetrit pa propozuar asnjë zgjidhje. Sepse asnjë ditë gjatë këtyre 35 viteve zbrazje të vendit, ata nuk kanë qenë të interesuar për begatinë dhe dinjitetin e shumicës. U ka mjaftuar pakica militante që jep gjithçka për partinë.

Të rinjtë tanë ndihen të tradhëtuar, të mënjanuar dhe të pashpresë. Në Shqipëri, modeli i suksesit është pasurimi ose promovimi i shpejtë përmes lidhjeve me krimin dhe politikanë të pushtetshëm.

Për njerëzit e ndershëm, kjo do të thotë asfiksim total. Pa i shërbyer pushtetit, të rinjtë e kanë pothuajse të pamundur të hapin një biznes a të avancojnë në karrierë. Në këto kushte, valixhja bëhet forma më efektive e revoltës. Jo vetëm për të pasur një punë më të mirë, por për të qenë larg presionit që shkel krenarinë e një të riu apo të reje.

Rinia duhet të jetë prioritet. Jo në letra, por me vepra. Na duhet t’i ndëshkojmë ata që e kanë bërë Shqipërinë të denjë vetëm për të ikur prej saj. Në një Shqipëri të drejtë e të mirë, askush nuk duhet të jetë krenar me pasurimin kriminal.

11 maji është mundësia e artë për të ndërtuar një tjetër model suksesi: modelin e të rinjve sipërmarrës që ia dalin falë dijes dhe kreativitetit, modelin e profesionistëve që çmohen për vlerën e shtuar që sjellin me ekspertizën e tyre, modelin e të rinjve që e kërkojnë të ardhmen në Shqipëri.

Te tjera

Lajme te tjera