E diel, 2 Gusht, 2026

Rikandidimi i harresës, “parodisti” Nallbati dhe lista e PD që s’i mungon askujt

Share

Partia Demokratike në qarkun Korçë sa i takon zgjedhjeve të 11 majit garon me një listë që nuk ngjall debat, por të qeshura. Në një garë ku PS ka nxjerrë një ekip të organizuar, me njerëz që të paktën mbajnë aparencën e seriozitetit, PD ka zgjedhur të luajë rolin e spektatorit që vetë ngatërron skenën me sallën. Në krye të listës ndodhet Ivi Kaso, që duket sikur është dërguar në Korçë nga Google Maps, pasi nuk ka asnjë lidhje reale me zonën. Ai përfaqëson llojin e kandidatit që flet mirë për çdo gjë, përveç realitetit të qytetarëve që pretendon të përfaqësojë. Po i tillë është kur politika fillon të ngatërrohet me “Zoom” dhe mbaron me zero kontakte me tokën. Më pas vjen Belindjon Nallbati – deputeti i heshtur që e kaloi mandatin në Kuvend si një sfond dekorativ dhe si parodist. Dikur kryetar bashkie në Bilisht, sot rikandidon për të ruajtur atë që e quan “zonë të tijën”. Në të vërtetë, as qytetarët nuk e mbajnë mend për ndonjë arritje, përveç ndonjë fotoje ku ka prerë ndonjë shirit. Nallbati është kandidati që nuk thotë asgjë, nuk bën asgjë, por gjithsesi është gjithmonë aty. Një monument i përhershëm i status quo-së. Pastaj vijon lista e PD me emra që edhe Google kërkon t’i gjejë me ndihmë. Figura të zbehura, emra të konsumuar, njerëz që as vetë demokratët e zonës nuk i dallojnë dot pa fletë informuese. Kjo është një listë që nuk sfidon qeverinë, por durimin e qytetarëve. Një përzierje teknokratësh të importuar dhe funksionarësh të konsumuar, që bashkë nuk formojnë një ekip – por një inventar. Ndërkohë, PS ka ngritur një strukturë me kandidatë që – duam apo s’duam – dinë të komunikojnë, të lëvizin dhe të organizohen. Kanë rrjet, kanë fuqi organizative, dhe mbi të gjitha – duken më të përgatitur. PD në këtë garë ngjan si ekipi B në një ndeshje të nivelit të parë: pa trajner, pa strategji, me lojtarë që mezi dinë në ç’fushë po luajnë.Në fund të ditës, kjo listë është një thirrje për reflektim – jo për votë. Është një mënyrë e pakuptimtë për të thënë: “s’kemi më, merreni këtë që kemi.” Por Korça dhe gjithë qarku meritojnë më shumë se kaq. Dhe votuesit nuk janë statuja – ata dinë të dallojnë dështimin të mbështjellë me flamur partie.

Te tjera

Lajme te tjera