E martë, 26 Maj, 2026

Regjistrimet në çerdhe dhe kopshte, drejtoresha Zhaneta Beqiri sqaron procedurat dhe risitë: Online vetëm për një njësi bashkiake

Share

Regjistrimet në çerdhe dhe kopshte kanë nisur dhe mbeten një proces shumë i rëndësishëm për mijëra familje në Tiranë.

Për të sqaruar procedurat, e ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” ishte drejtoresha e përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve të Tiranës, Zhaneta Beqiri.

Ajo bëri të ditur se aplikimi online, i cili u testua vitin e kaluar për të lehtësuar procesin për qytetarët, hasi në shumë problematika dhe nuk arriti rezultatin e synuar dhe për këtë arsye, “këtë vit platforma online do të përdoret vetëm në Njësinë Bashkiake nr. 2, e zgjedhur për shkak të numrit më të lartë të fëmijëve që frekuentojnë çerdhet dhe kopshtet,

Ndërsa theksoi se në të gjitha njësitë e tjera, aplikimet do të vijojnë në mënyrën tradicionale, pranë ambienteve të çerdheve dhe kopshteve.

Ajo bëri të ditur se kanë nisur aplikimet për kalimin e fëmijëve nga çerdhja në kopsht, ndërsa prindërit duhet të plotësojnë formularin dhe të dorëzojnë certifikatën familjare brenda afatit që mbyllet më 29 maj.

“Aktualisht po zhvillohet faza e parë e aplikimeve për fëmijët që kalojnë nga çerdhja në kopsht. Të gjithë prindërit e fëmijëve që deri më 15 shtator mbushin moshën 3 vjeç duhet të plotësojnë formularin përkatës pranë çerdhes ku frekuenton fëmija. Në formular duhet të përzgjidhet një nga kopshtet e njësisë administrative ku banon familja, pasi nuk është e mundur zgjedhja e lirë e objekteve jashtë njësisë. Formularit i bashkëngjitet edhe certifikata familjare, e cila vërteton vendbanimin aktual të prindërve. Kjo fazë aplikimesh mbyllet të premten”, sqaroi Beqiri.

Po ashtu drejtoresha e përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve të Tiranës, nënvizoi se nga 25 maji deri më 12 qershor janë të hapura aplikimet për pranimin e fëmijëve në çerdhe.

“Prej datës 25 maj deri më 12 qershor do të zhvillohen aplikimet për pranimin e fëmijëve në çerdhe. Prindërit e fëmijëve mbi 6 muaj duhet të paraqiten pranë çerdhes me dokumentacionin përkatës, përfshirë certifikatat dhe vërtetimet e punës. Aplikimet do të kryhen në prani të komisionit të çerdhes, duke u dhënë prindërve edhe mundësinë të shohin nga afër ambientet ku fëmijët e tyre do të kalojnë pjesën më të madhe të ditës”, shpjegoi ajo.

Te tjera

Lajme te tjera