Shkupi i ka thënë po propozimit francez, duke i hapur rrugën Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të ulen në tryezën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Europian. Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë moment si fund pengmarrjes absurde të Shqipërisë.
“U deshën plot 3 vite të stërmundueshme nga vendimmarrja e Këshillit Europian për t’i hapur rrugë negociatave, që vargmali i pengesave artificiale të ngritura përpara Shqipërisë të rrafshohet tërësisht. Por të mos e harrojmë, ky nuk është fundi i rrugës sonë, por vetëm fillimi i një pjese të re të rrugës për Shqipërinë që duam”, shkruan Rama.
Rama paralajmëron se delegacioni shqiptar do të niset të hënën drejt Brukselit për Konferencën e Parë Ndërqeveritare.
“Shqipëria do t’ia dali në krye edhe kësaj pjese të re përpjekjesh, duke u lidhur më ngushtë me shqiptarët dhe duke e synuar me forca të reja majën ku do ta ngjisim me se s’bën Shqipërinë.
Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur miratimin e propozimit francez në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, duke thënë se kjo i hap rrugë çeljes së negociatave. Nga krahu tjetër, përgëzon faktorin politik shqiptar për besnikërinë e orientimit europian. Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka thotë se duhet të shohim përpara për integrimin drejt BE-së, ndërsa thotë se duhet kompensuar koha e humbur.
Reagime për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare kanë ardhur edhe nga opozita. Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi qeverinë Rama se ka bllokuar 5 herë hapjen e negociatave, pasi nuk ka plotësuar kushtet e duhura. Sipas tij, ky vendim lidhet vetëm me dëshirën e BE për të bërë pjesë të unionit Ballkanin Perëndimor. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se mbështesin integrimin e Shqipërisë në BE, por thekson se shkaku i bllokimit të negociatave ka ardhur si pasojë e mosplotësimit të kushteve.
Të martën Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të mbajnë konferencën e parë ndërqeveritare. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar sot me 68 vota pro propozimin francez për zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë, që do t’i hapë rrugën procesit të integrimit evropian.