E martë, 20 Maj, 2025

Rama: Të krijojmë industrinë tonë të mbrojtjes dhe prodhimit ushtarak

Share

Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi sot një takim në qytetin e Vlorës me fokus ecurinë e projekteve strategjike në fushën e transportit, kryesisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës dhe zhvillimin e Portit të këtij qyteti.

Në fjalën e tij, Rama u ndal te marrëveshja e firmosur me një nga kompanitë më të mëdha të botës në industrinë ushtarake, për ngritjen e Akademisë së Aviacionit në Vlorë.

“Marrëveshja për krijimin e kësaj Akademie është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm në funksion të mbështetje, qoftë të aviacionit civil, qoftë të Forcave tona të Armatosura ajrore me një kapital njerëzor të kualifikuar cilësisht për kohën që jetojmë”.

“Sot bëjmë të mundur një marrëveshje që i hap rrugën pastaj kontratës me një ndër ekselencat botërore në fushën e industrisë së mbrojtjes LB Systems”, tha Rama.

Ndërkohë, kryeministri u shpreh se, “jemi në një moment kthese historike në fushën e mbrojtjes. Kthesë historike që diktohet pa diskutim nga konteksti botëror, por edhe nga konteksti evropian”.

“E mësuam në mënyrën më brutale të mundshme që lufta nuk është një film dokumentar bardhezi, por është një realitet fatkeqësisht në dyert e Evropës. Ndërkohë që po përpjetojmë një proces tërësisht befasues dhe të paimagjinueshëm vetëm pak vite më parë të qasjes ndaj mbrojtjes, të qasjes ndaj idesë së luftës, në një botë ku konfliktet nuk duket se do shkojnë duke u shuar, por po bëhën gjithmonë e më të ndërlikuara për shkak të teknologjisë që përparon në mënyrë marramendëse”, tha Rama.

Patjetër, shtoi Rama, “që edhe për ne ka lindur, jo nevoja, por domosdoshmëria që t’i qasemi këtij procesi transformimi me një strategji të re. Dhe kjo strategji e re ka filluar të jetësohet hap pas hapi. Pjesë e këtij jetësimi është edhe marrëveshja që sapo u firmos me partnerë strategjikë të besuar të Republikës së Shqipërisë. me miq dhe aleatë të padyshimtë të popullit shqiptar, të kombit shqiptar”.

“Jemi në një proces diskutimesh në disa drejtime, por thelbi është që ne duam të rilindim industrinë tonë të mbrojtjes dhe industrinë tonë të prodhimit ushtarak”, tha Rama.

“Jemi shumë optimistë për hir të së vërtetës. Kemi partnerët dhe aleatët e duhur që janë liderë në këtë fushë, jo vetëm Izraelin, por edhe SHBA-në, edhe shtete të tjera të BE-së dhe patjetër edhe Turqinë, që është një aleat strategjik i yni, dhe ne jemi duke punuar në disa drejtime”.

Te tjera

Lajme te tjera