Kryeministri Edi Rama mblodhi në një takim krerët e bashkive të majtë dhe të djathtë dhe u vendosi prioritetet për përshpejtimin e procesit të legalizimeve, ndërsa në fokus ishte edhe sezoni turistik. 61 bashkitë e vendit do të përfshihen në procesin e legalizimit dhe kreu i qeverisë u la porosi që banesat e qytetarëve do duhet të jenë prioritet.
Nga shtatori, Bashkitë dhe Kadastra do të nisin bashkë procesin e legalizimeve, me 237 mijë dosje që janë në pritje të shqyrtimit. Rama tha se procesi për banesat duhet të përmbyllet deri në vitin 2026, ndryshe nga sa e parashikon ligji për në vitin 2028. Sa i takon bizneseve pa leje që kanë aplikuar për legalizim, Rama u shpreh se do duhet të presin, pasi në fillim do pajisin banesat me tapi.
“Bashkitë të përfshihen në proces. Jo vetëm që do të shtojë forcat për të mbështetur dhe zgjidhur problemin e legalizimit, por do shërbejë edhe për të bërë monitorimin e punës në Kadastër, që në sektorin e legalizimeve lë për të dëshiruar. Sa i përket ndërtesave pa leje për biznes dhe që kërkojnë leje, ato mund të presin. Të parët janë banorët”, tha Rama.
Në kulmin e sezonit turistik, kryeministri tha se një sulm i organizuar është ndërmarrë nga të gjitha anët për të goditur imazhin e turizmit. Madje, sipas tij sistemet e Sigurisë Kombëtare kanë identifikuar adresa false në rrjetet sociale që përdoren për fushatën kundër turizmit. Në bisedat që ka bërë me kryebashkiakët e baskive bregdetare, Rama tha se janë shprehur që videot e plazheve bosh janë false.
“Kam folur me krerët e bashkive bregdetare që janë të habitur nga shumë video, lajme e komente të rreme, të manipuluara, të bëra me qëllim që duan të thonë se këtu s’ka ardhur njeri. Sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe, të sigurisë kibernetike. Shumë profile false që përdoren për këtë sulm”, vijoi Rama.
Duke theksuar se qeveria nuk mund të ndërhyjë, Rama parti kritika për rritjen e çmimeve në Vlorë e Sarandë. Kryebashkiakëve u kërkoi bashkëbisedim me operatorët e hoteleve, të cilëve duhet t’u thonë se një rritje e tillë s’ka logjikë.
“Në Vlorë, Ermal, në Sarandë Olt, ku janë edhe dy pikat e një rritjeje absurde të çmimeve është e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve dhe t’iu thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë, mbase në kushtet e kapitalizmit nuk e perceptojnë, por është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë”, vijoi Rama.
Në gropë do bien vetë ata që kanë rritur çmimet, vijoi kryeministri.
“Meqë na thanë vjet që Shqipëria është e lirë ne po ja hedhim në erë tavane te arsyes është ide e çmendur. Natyrisht vlonjatët janë molla e këtij sherri. Meqë është bërë kaq e kërkuar dhe kaq konkurruese, gropa në gjoksin e vlonjatëve është hapur dhe do bien vetë ata që ngrenë çmimet”, u shpreh Rama.
Fokusin e vendosi edhe tek pastërtia, ku Lezhën e veçoi si shembullin më të mirë. Sa i takon ndotjes në Koman, kryeministri tha se do të ndërhyjë ushtria, por historia e ndotjes nuk mund të vazhdojë më.
“Liqeni i Komanit pastrohet çdo dy javë. Do çojmë edhe ushtrinë për ta pastruar. Po kjo histori që banorët hidh dhe ushtria pastro s’mund të vazhdojë”, vijoi Rama.
Nga viti tjetër, pritet ndërhyrje edhe në hapësirat e plazheve publike me qëllim rritjen e tyre.
