E hënë, 20 Janar, 2025

Rama ‘shkollë riedukimi’ gazetarit/ Açka: Njeriu që dje rrihej për fjalën e lirë, sot është kthyer në harbutin e mediave! ‘Rithemelimi’: Shqipëria në rrezik

Share

Partia Demokratike ka reaguar një ditë pasi kryeministri Edi Rama ka “dënuar” me tre muaj riedukim një prej gazetarëve, pasi nuk ishte dakord me pyetjen që i drejtoi gjatë konferencës për mediat.

Ka qenë deputetja Flutura Açka, e cila është shprehur se e sheh të pavend që një koment i tillë të vijë nga Rama, që dikur është rrahur për fjalën e lirë teksa sot është kthyer në harbutin e mediave.

“E kush e mendonte se njeriu që dikur është rrahur për fjalën e lirë, të kthehej në harbutin e mediave kur të ishte në pushtet. Në solidariteit me gazetarët! Si mund të kalojë nëpër duart e pushtetit të tij për t’u votuar statusi i gazetarit?  Do ta kthejë në “Urdhëri i gazetarit”, ose më keq akoma, në “Spaçi i gazetarit”. Fjala “Riedukim” në demokraci është marrë borxh nga diktatura. Në fakt na duhet të hapim me ligj një shkollë, atë riedukimit të Kryeministrave të Demokraturës”, shkruan Açka.

Reagime ka pasur edhe nga Komisioni i Rithemelimit. Sekretarja për marrëdhëniet me publikun Jola Hysaj theksoi se sjellja e Ramës me gazetarin është akt i paprecedentë.

“Partia Demokratike përshëndet qëndrimin kurajoz të gazetarit. Ne, dënojmë censurën dhe mospërmbajtjen etike e protokollare të kreut të Qeverisë.
Dënimi me riedukim, duke i ndaluar pjesëmarrjen për tre muaj në konferenca shtypi, një gazetari, është një akt paprecedent i marrdhënieve media-qeveri në gjithë Europën. Të ngjashmit e këtij qëndrimi gjenden vetëm në Turqinë e Erdoganit, Rusinë e Putinit, Korenë e Veriut të Kim Yongut.

Partia Demokratike përshëndet reagimin e “Reporterëve pa kufij” pas incidentit në konferencën e djeshme të shtypit. Me këtë rast, u kërkojmë edhe organizatave të tjera të lirisë së shtypit, që të shtojnë presionin mbi një qeveri që nuk lejon gazetarët t’u bëjnë pyetje ministrave. Partia Demokratike u kërkon faktorëve relevantë ndërkombëtarë, të përfaqësuar në Tiranë, t’i bashkohen reagimeve kundër censures mediatike. Raportet e fundvitit nuk mjaftojnë. Kontradikta mes raporteve dhe qëndrimeve këtu në Tiranë, nuk bie në sy për mirë. Në fund, ne i kërkojmë kryeministrit Rama të heqë nga komunikimi publik konferencën për shtyp. Monologu, dhe jo dialogu, është streha e tij. Duket qartë, që në konferencat për shtyp ai nuk mund ta kontrollojë veten, dhe as situatën. Kur një gazetar është në rrezik të mos-ushtrimit të profesionit, Shqipëria është në rrezik”, tha Hysaj.

Këto reagime vijnë pas debatit të Ramës me gazetarin. Ky i fundit e pyeti ministren Olta Xhaçka se a e ka takuar bashkëshortin e saj, investitor strategjik, në prani të dy anëtarëve të administratës, siç e parashikon kodi i ri etik apo e ka thyer kodin e ri i cili parashikon sanksione deri në largim nga puna.

Rama: Tani këtu përgjigjen ta jap unë. Do kalosh në riedukim për 3 muajt e ardhshëm. Nuk je i mirëseardhur në asnjë konferencë shtypi.
Gazetari: Kodi etik a do zbatohet, ju vetë keni thënë që do ketë sanksione deri në largim nga puna.
Rama: Kjo është një tjetër shkelje e kodit etik të gazetarit ndërkohë vazhdon mban fjalime. Për pyetje të përsëritura pa asnjë etikë, ka një proces që quhet riedukim, përgjigjet e radhës do e marrësh pas tre muajsh, në tetor hajde.

Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që kryeministri Edi Rama penalizon nga konferencat gazetarët. Pak kohë më parë ai pezulloi edhe një tjetër gazetare. 

Te tjera

Lajme te tjera