Kryeministri Edi Rama iu ka dërguar një tjetër mesazh bashkëpunëtorëve të tij sidomos ministrave, ndërsa ka paralajmëruar arrestime të tjera sa i takon aferës së inceneratorëve. Teksa ishte i ftuar dje në studion e emisionit “Opinion” në TV Klan, kryeministri Rama ka folur mbi arrestimet që janë bërë në radhët e PS. Ai tha se çdo ministri ja ka bërë të qartë se përgjegjësia është personale. Por ai paralajmëroi se mund të shkojnë të tjerë emra në burg, pavarësisht nëse ata janë bashkëpunëtorë të tij të afërt. Madje i pyetur mbi një takim me Lefter Kokën ku pinte verë, Rama tha se nuk kompleksohet që ai rra në burg dhe nuk është çudi që edhe të tjerë të përfundojnë atje. “Unë sot jam dhe me të tjerët e që ndonjëri mund të gjendet në burg. Në rast se ti bën diçka të pakonsultuar me babai tënd, ka përgjegjësi babai juaj?”, deklaroi ai.
Kush ka futur duart në xhepat e qytetarëve, do mbajë përgjegjësi
Më tej kryeministri Edi Rama ka folur edhe për arrestimin e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllako. Ai tha se nëse dikush fut duart në xhepat e të tjerëve do të mbajë përgjegjësi e është SPAK ai që heton. “Alqi Bllako nuk ka asnjë të sharë për sa i përket punës. Këto janë rezultate të një hetimi të thelluar. Këtë çështje do ta hetoje SPAK. Nuk është përgjegjësia ime nëse një ministër lajthit e bën ato gjëra. Kush do të fusë duart në xhepat e të tjerëve të vazhdojë”, deklaroi ai. Më tej Kryeministri Edi Rama ka folur lidhur me legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, teksa theksoi se qeveria ka fituar betejën ndaj kanabisit. Por gazetari Blendi Fevziu deklaroi se pronarët e inceneratorëve kanë marrë milionat e eurove dhe janë zhdukur. Ndërkohë, Kryeministri Rama thotë se arratisja e tyre e rëndon pozitën në raport me drejtësinë. “Këtë e thoni ju këtu, jo qytetarët. Qytetarët thonë këto, bravo për këto punë, haram për këto bëma. Kush ka bërë punën të mbajë bravën, kush ka bërë haramin, të marrë haraçin. Qytetarët duan të kenë drejtësi. Edi Rama nuk e paska kapur këtë reformën në drejtësi. Kjo është historike. Është historike që pas 500 vjetësh po fillon të ketë drejtësi. Nëse ti ke devijuar, bujrum se kemi punë. Unë jam dashnor i gjuhës shqipe, dhe i gruas time. Janë për të keqen e tyre. Unë kam një opinion, unë nuk shoh këtu. Unë shoh pak më larg. Ju mbyteni këtu tek filxhani i kafes. Unë e shoh këtë punë kështu”, u shpreh ai.
Rama komenton burgosjen e Tahirit
Ndërkohë, drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu i ka kujtuar burgosjen e ish-ministrit Saimir Tahiri, pikërisht për shkak të trafikut të drogës. Rama është përgjigjur duke thënë se shumë njerëz ëndërrojnë që në burg të ishte vet ai. “Kjo është një histori që meriton të trajtohet por jam i bindur që do trajtohet me kohë dhe gjakftohtësitë. Ne morëm përsipër atë që nuk e mori përsipër kurrë PD që ti hapim luftë këtij fenomeni që ishte i shtrire në gjithë Shqipërinë. Nuk njihemi si të tillë kur vjen puna tek vlerësimet. Nuk na një si arkitekt i kanabizimi BE dhe SHBA. Po të vijmë tek shqiptarët ka një shumicë shqiptarësh që nuk na njeh kështu, ka edhe një pjesë që na njeh të tillë se funksionin me telefonin e prishur të PD. Nuk ka pasur kanabizim, ka pasur një fenomen që është luftuar dhe për herë të parë ishte një fenomen që ishte vendosur një kapak varri. Është një betejë e fituar nga ne. Në atë luftë me kanabisin ma pasur pjesë të policisë së shtetit që janë përlyer, por është bërë lufta dhe është fituar lufta. Ndërsa ish PD me kryeministrin non grata thoshte që Lazarati është kështjella e demokracisë”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.
Kryeministri: Ka ikur koha kur merrej peng kreu i akuzës
Kryeministri Rama ka deklaruar se ndryshimi mes periudhës kur qeveriste Sali Berisha dhe kohëve që jetojmë është edhe fakti se drejtësia ka marrë sot si të akuzuar apo edhe të dënuar ish-ministra të tij. Rama tha se koha kur prokurorja e përgjithshme merrej ‘peng’ nuk ekziston më por jemi në një moment shumë më të mirë shtetformimi. “Gjithçka ka ndodhur falë reformës në drejtësi që e kemi zgjedhur ne, për të cilën ka qenë kundër partia demokratike dhe ish-ministri i saj ‘non grata’. Ku merreshin peng prokurorja e përgjithshme, merreshin peng prokurorët dhe nuk zbatoheshin vendimet e institucioneve ligjzbatuese. Pra, ishim në kushtet e një bande. Tani jemi në kohën e shtetformimit”, tha Rama në ‘Opinion’. Kryeministri u shpreh se ia bën të qartë çdo ministri që në momentin kur ai merr postin se nëse bëjnë veprime që bien në kundërshti me ligjin do të përgjigjen personalisht përpara drejtësisë. “Unë ia bëj shumë të qartë që kur i jap çdo ministri mandatin për tu ulur në atë karrige. I them që në atë karrige ju kam zgjedhur unë për atë që përfaqësoni. Nga ky moment atë karrigen do ta mbani vetë, dhe për çdo gjë që ju larg qoftë do të bëni pas shpinës timen apo këtij grupi këtu do të përgjigjeni personalisht”, tha Rama.
Shefi i qeverisë: Ja pse e legalizuam kanabisin
Kryeministri Edi Rama ka sqaruar se legalizimi i kanabisit mjekësor nuk do të jetë për përdorim personal. I ftuar në emisionin Opinion, Rama tha se legalizimi i kanabisit do të jetë vetëm për qëllime mjekësore dhe këtu do të ngrihet industri farmaceutike. “Ka dy elementë legalizimi i kanabisit. Ka shumë vende që i kanë përfshirë të dyja ka bende që kanë përfshirë njërin element. Të dyja janë elementi i ligjërimit të përdorimit vetjak, pra nuk përbën krim dhe as shkelje që të përdorësh kanabisin për përdorim vetjak. Dhe elementi tjetër është legalizimi apo ligjërimi i përdorimit të kanabisit për arsye mjekësore. Sot në botë është një industri e tërë farmaceutike e cila bazohet mbi kanabisin dhe që prodhojnë ilaçe, kremra. Në rastin tonë është ky element, nuk është elementi i përdorimit vetjak. Është përdorimi për arsye mjekësore. Ngrihet një industri e re e kultivimit të kanabisit në kushtet komplet të tjera, janë kushte shumë strikte laboratorike survejimi. Sepse përndryshe nuk ta merr njeri dhe produkti shkon për eksport ose mund të përdoret këtu në rast se do ngrihet këtu, dhe ky është synimi, do ngrihet këtu industria e përpunimit. Këtu do kemi investitorë për të përpunuar kanabisin”, nënvizoi Rama.