Kryeministri Edi Rama mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar sot (8 prill) në Portin e Durrësit, pranë përfaqësuesve të bizneseve të transportit, për të dëgjuar shqetësimet dhe për të ndërhyrë aty ku ka vonesa nga fluksi i ngarkesave, për të shtyrë përpara eksportet shqiptare.
I shoqëruar nga ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, kryepolici Ilir Proda dhe drejtori i Doganave, Gent Gazheli, kreu i qeverisë dëgjoi shqetësimet e tyre dhe zgjidhjen e problematikave në port.
“Ndryshimet këtu janë të nevojshme dhe do bëhen, po punohet edhe me Ministrinë për t’ju ndihmuar. Ky është koncesion atipik, më i keqi i mundshmi që e kemi trashëguar, por që do na krijonte kosto të lartë në arbitrazh, por jemi munduar të mënaxhojmë, ta vëmë në shfrytëzim dhe të lehtësojmë për ju, nga 45 euro e ulëm në 22 euro pagesën. Por në fund të fundit mbetet një koncesion i gabuar tërësisht, sepse skanimi i kamionëve shteti i bën për punën e vetë, për sigurinë, krimin, kontrabandën, por jo për ju”, tha kryeministri ndër të tjera.
Rama e cilësoi koncesionin e skanimit të gabuar, por qeveria e tij u gjend para faktit të kryer.
“Paguhet privati për këtë veprimtari, për atë që do menaxhojë shteti dhe kjo situatë do zgjasë deri në 2030. Në e kemi nisur dhe do ta bëjmë, në bashkëpunim edhe me ju, me kontriobutet tuaja edhe si taksapagues, do operojmë në bazë kontrolli në bazë risku. Psh., nga 100 dalje nga porti, do bëhet skanimi për 10 prej tyre, si fillim është e pranueshme dhe më tej do ulet më shumë, me numër më të vogël kontrollesh, të befasishme, mbi bazë risku. Se përtej kostos marramendëse që ka koncesioni edhe për operatorët, ka një rezultat në uljen e kontrabandës. I thashë edhe drejtorit, kjo është një gjë për t’u bërë se s’kemi ça flasim, duhet bërë dhe do bëhet. Do firmoset edhe një marrëveshje për këtë, që të keni këtë lloj regjimi. Për shoferët ky është një problem që është edhe në vendet e Europës, jo vetëm këtu, është problem gjithandej, pagat janë rritur me sa shoh, nuk e them unë sa të jenë, i vendosni ju”.
Kryeministri shtoi edhe se do ngrihet një shkollë profesionale për shoferët, sikurse kërkohet. Gjithashtu edhe lehtësimin e procedurave të kontrollit, bazuar vetëm në faktor risku.
“Sa i përket shkollës mund ta ndërtojmë me ministrinë apo autoritetin portual dhe Ministrinë e Ekonomisë, jo si shkollë tipike, por profesionale, ku merren kurse të caktuara, që do i vlejnë shoferëve tuaj që do jenë speciale, për të njohur të gjitha proceset e nevojshme. Për pjesën e shoferëve ky është një problem shumë më i madh, sepse ka dhe vende të tjera që po e kalojnë këtë hall, sidomos për këtë lloj pune, pasi ka lodhje e stres. Pagat i keni rritur në 1500-2000 euro, mbase duhen rritur akoma. Përsa i përket shkollës, jemi të gatshëm të ndërtojmë një bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës, Autoritetit Portual dhe me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, një shkollë profesionale ku merren kurse të caktuara që ju vlejnë shoferëve tuaj për ato procese që janë speciale.
Na duhet vetëm që të jeni proaktivë, të bëni propozim konkret, për strukturën, njerëzit që duhen, çfarë kërkohet nga shteti, që ta marrim e ta shohim me strukturën e arsimit profesional në Ministrinë e Ekonomisë dhe strukturat përkatëse. Shyqyr që nuk është një mbledhje që nuk merremi vesh, sepse merremi vesh, ta firmosim këtë marrëveshje dhe të vijojmë më tej. Kemi marrë masa lehtësuese dhe dogana nuk është më ajo që ishte, por nëse ka elementë që duken burokratike, që nuk cenojnë ekuilibrin, sepse ju keni detyrë ngarkim-shkërkimi, jona është t’ju ruajmë juve, është pak e ngatërrume jona, edhe të ruajmë shëndetin tuaj, edhe punën, se janë të lidhura bashkë këto”, vijoi ai.
Rama sqaroi gjithashtu se projekti më i madh i qeverisë tani është porti i ri i Durrësit në Porto Romano.
Ne do ndërtojmë portin e ri, që do jetë ultramodern, me standarde ndërkombëtare dhe nivele të larta, në Europë nuk para ka të tillë, ndërtohen kryesisht në vende jashtë saj, është bërë procesi i fazës së parë të selektimit dhe kemi hyrë në të dytën, për të rizgjedhur fituesin. U ribë procesi si pasojë e rregullave strikte dhe tani u dha rezultati, po vijohet me fazën e dytë, shpalljen e fituesit, lidhjen e kontratës dhe fillimin e ndërtimit, ku do jetë niveli më i lartë i teknologjisë, do ketë edhe një kompnent ushtarak që do përdoret nga NATO. Besoj se ditët më të mira janë të gjitha përpara”.
Fjalën hapëse e mbajti ministrja Delina Ibrahimaj, që premtoi zgjidhjen e problematikës kohore, duke e shkurtuar me 2-4 orë.
Përfaqësuesit e transportit ndërkombëtar dhe biznesit renditën disa nga shqetësimet e tyre reale, kryesisht tek problematika e vonesave dhe programet elektronike të punës, që janë në vendet e Europës dhe që duhen në Shqipëri pasi janë të nevojshme.
Gjithashtu u kërkua një shkollë transporti në Durrës.
“Kjo shkollë është e nevojshme që shoferët të jenë më profesionistë, për transport ndërkombëtar tëprofilizuar, njohje të kodit rrugor të vendeve të huaja dhe me përgatitje shtesë”, tha një prej përfaqësuesve, që mori dhe përgjigjen aprovuese nga kryeministri, si më sipër.
Ndërsa u premtoi zgjidhje të problemeve të shtruara nga transportuesit, në një bashkëbisedim me pyetje-përgjigje, ku nuk munguan as batutat, u kalua edhe te firmosja e marrëveshjes për lehtësimin e procedurave të skanimit në port.
Drejtori i Doganave, Gent Gazheli dhe i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, firmosën këtë marrëveshje dypalëshe, që do i shërbejë shmangies së procedurave burokratike.
