Kryesocialisti Edi Rama, nga Përmeti ku zhvilloi një takim me operatorë dhe biznese të turizmit, deklaroi se deri më tani 600 subjekte kanë aplikuar për iniciativën ‘Paqja Fiskale’. Kjo iniciativë lidhet me uljen nga 15% në 5% të tatimit për çdo fitim shtesë që biznesi deklaron mbi normën e rritjes ekonomike.
“Lajmi i mirë është se deri tani që është shpallur iniciativa janë 600 subjekte që kanë aplikuar dhe janë të gatshëm të nënshkruajnë këtë marrëveshje me qeverinë.”, u shpreh Rama.
Kryesocialisti theksoi gjithashtu nevojën e më shumë investimeve. Ai tha se Përmeti dikur ishte një “xhep” i harruar, ndërsa tani ka më shumë se 150 mijë turistë. Vetëm në Gjirokastër, tha Rama, gjatë vitit të kaluar kishte 600 mijë turistë. Sipas tij, ka qenë agroturizmi e ka ndryshuar lojën në këtë sektor.
“Pa llogaritur se ishte xhep fallco, i harruar e braktisur. Sot të thuash 150 mijë turistë në Përmet të duket normale dhe thua se si do t’i shtojmë. Ndërkohë që në Gjirokastër në 2024 kanë vajtur 600 mijë turistë.”, u shpreh Rama.
Rama u ndal edhe tek grantet. Ai tha se grantet që janë të lidhura me qeverinë janë të aksesueshme online për bizneset që duan që të aplikojnë. Ai theksoi se duhet që të ketë një rritje të informacionit për bizneset lidhur se si dhe ku duhet që të aplikojnë.
‘Dua të ndalem tek ato grante që janë pjesë e strukturës që lidhet me qeverinë se për të tjerat Bashkia Përmet është kampione për thithjen e fondeve nga donatorët. Ato që janë të lidhura me qeverinë ato janë online. Po sikur ju të hapni edhe një zyrë të vogël me dy veta që të merret me këtë punë mund të ketë përfitim për të gjithë, por jam dakord që duhet rritur volumi i informacionit’, tha ai.