Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, u prezantua sot raporti i pesë anëtareve të PS-së në Këshillin e Mandateve në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i PS-së, u ndal sipas tij tek transformimet e mëdha të kryera nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në drejtimin e Belinda Balluku.
Kreu i qeverisë tha se gjatë 6 viteve “janë ndërtuar dhe rindërtuar me standarde evropiane rreth 1000 kilometra të rrjetit të ri rrugor kombëtar. Nuk llogaris rrjetin dytësor dhe tretësor, sepse nuk është në kompetencën e ministrisë”.
Rama shtoi se “ndërkohë 40 kantiere janë të hapura në të gjithë vendin dhe do të jenë vlerë e shtuar e Shqipërisë 2030 në Bashkimin Evropian”.
“Që nga aksi Elbasan-Rrogozhinë, i cili mbyllet në 2027 me ecuri mbi 60% aktualisht, tek Elbasan-Qafë-Thana, që po ashtu mbyllet në 2027, duke i vënë në dispozicion, jo vetëm Shqipërisë, por edhe BE-së dhe NATO-s, Korridorin e VIII, i cili për 30 vite u bllokua në Komisionin Evropian për të mos u klasifikuar si pjesë e rrjetit evropian i transportit dhe e zhbllokuam ne në samitin e Bashkimit Evropian dhe Ballkanin Perëndimor këtu në Tiranë dhe i cili është shpallur korridor sigurie për mobilitetin e forcave të NATO-s”, tha Rama.
Rama përmendi gjithashtu edhe disa rrugë të tjera të ndërtuara gjatë këtyre 6 viteve, ndërsa ironizoi opozitën se la vetëm gropa borxhesh dhe gropa të hapura në rrugë.
I ndalur tek akuzat e opozitës për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, Rama tha se vetmet miliona “të vjedhura” janë ato që janë përfituar nga rritja e fluksit të turistëve në bregdetin e Jonit.
“Dhe Elbasan-Banjë apo Bypas-i i Fierit dhe Vlorës, rrugë që numëroheshin dikur me daulle, në inventarin imagjinar të mijëra e mijëra kilometra të ditëziut që i ra për hise Shqipërisë dje, dhe i ka rënë për fyti opozitës nga lindja dhe deri në agoninë e saj, të cilat ishin gropa borxhesh dhe plagë të hapura rrugëve, janë vepra të kryera në këto 6 vite.
“Ashtu siç u krye edhe Orikum-Dukat, apo Tuneli i Llogorasë, për të cilin flitet për të cilin flitet në havanë e tymit të tenxhereve dhe oturakët e qimbellinjve, për milionë e meleona, të vjedhur, por të vetmet miliona e meleona të vjedhura deri tani që flasim, janë ato të përfituara më tepër nga rritja e fluksit të turistëve në bregdetin Jon, për ekonominë dhe financat e vendit. Palasë-Dhërmiu, Kardhiq-Delvina e shumëpremtuara dhe ajo në inventararin imagjinar të ditëziut, por e realizuar në të njëjtën periudhë. Korçë-Erseka, tjetër vlerë e madhe e shtuar. Qukës-Qafë-Pllooça, një gropë në formë humnere e derdimenit të lartpërmendur, e cila na mbeti në kurriz bashkë me projektin e hartuar nga analfabetë me dy gishta. E nisëm nga e para si projekt.
“Bypas-i i Tepelenës, Ura e Ali Pashës, rruga Berat-Ballsban, Thumanë Kashar dhe rruga e Arbrit, sot janë realitete me dobi të jashtëzakonshme, apo Unaza e Madhe e Tiranës, u bë realitet vetëm pasi iu qep ministrja e Infrastrukturës, tamam duke qëruar oriz kur i thonë llafit, pasi çdo 100 metra kishte një problem, jo shpronësimi, jo kanalet, jo lumi me klubin, jo përroi me lavazhin. Bulqizë-Martanesh, Maqellarë-Peshkopi, Ura e Madhe Kukësit, të tëra të mbetura në havanë e premtimeve, u mbyllën dhe ato”, tha Rama.
Rama tha se “janë aktualisht në ndërtim rruga e Ksamilit, zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, rruga Ndroq-Plepa, Bypas i Sarandës, Rruga e Komanit, segmentet e Korridorit Blu, janë të tëra në përgatitje kantieresh”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se këto janë vepra të një Shqipërie tjetër.
“Ndër plot të tjera që kemi ndërtuar dhe po ndërtojmë një Shqipëri që nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë e 700 tenxhereve, që bulojnë për ditë dhe për natë, skandal këtu skandal atje”, tha Rama.
