Kryeministri Edi Rama ka futur bashkitë në “regjim” online, ndërsa iu ka bërë dush kryebashkiakëve. E gjithë qeveria dhe kryebashkiakët socialistë janë mbledhur dje në Pogradec. Arsyeja është fitorja e vendoreve të 2023-it. Për ta arritur këtë, kryebashkiakët kanë shkuar në qytetin liqenor me dy dosje. E para që i është dorëzuar nga secili prej tyre kryesocialistit Edi Rama është ajo e punëve të bëra dhe ato të mbetura. Mbi këto të dhëna edhe Edi Rama bëri kritikat e tij. Për nga pastërtia vendin e parë vazhdon ta mbajë Lezha. Më shembullorja në shërbimet ndaj qytetarëve, veçmas pas tërmetit tragjik të tre viteve më parë, është Shijaku. Madje sipas Edi Ramës, kryebashkiaku i Shijakut është treguar më i zoti se ai i Tiranës dhe Durrësit.“Është bashki kampione. Ndërkohë që dy bashkitë e mëdha, e Tiranës dhe Durrësit, nga pikëpamja e funksionimit në këtë proces, kuptohet që kanë problematika të tjera, nuk diskutohet, por kanë çfarë të mësojnë nga bashkia e Shijakut”, tha ai. Në krye të listës së ankesave ndaj të zgjedhurve të tij Edi Rama kishte mosreagimin e kryebashkiakëve ndaj të korruptuarëve në administratat qendrore.“Nëse një drejtor i një institucioni të qeverisjes qendrore, në qytetin tënd lë kokrrën e namit dhe e mbron partia, deputetët, e mbrojnë ku e di unë se kush, ti duhet të çohesh dhe të thuash, o unë, o ky këtu, sepse i ka dalë boja, sepse flet i gjithë qyteti. Të jesh kryetar bashkie do të thotë t’i dalësh përballë e ti thuash: Ti nuk vazhdon dot më këtu, ti nuk je më drejtor hipoteke, ose drejtor sigurimesh shoqërore, ose poste. Pse nuk e di kryetari i bashkisë kur posta bën zullume me pensionistët. E di që çke me të, sepse kryetari i bashkisë i di të gjitha”, tha ai. Si detyrë të dytë pas pastrimit, kryesocialisti përcaktoi pajisjen e të gjithë hoteleve me sistemin e menaxhimit të ujërave të ndotura deri vitin e ardhshëm.“Si mund të lejojmë ne që kush hap një hotel të mos marrë masa që të jetë kontributor në pastërti, jo të jetë ndotës”, tha ai.
Rama fut bashkitë në “regjim” online dhe iu bën “dush” kryebashkiakëve, thirrje të largojnë të korruptuarit nga zyrat e shtetit dhe të investojnë më shumë për mjedisin
Share
Te tjera