E hënë, 23 Nëntor, 2026

Rama: Fitore me notën 10! Shqiptarët i kthyen zgjedhjet në referendum për bashkimin me BE! Populli s’e ndërron qeverinë pa ndryshuar më parë opozitën

Share

 Nga sheshi Skëndërbej, aty ku nisi fushatën për fitoren historike të 11 majit, kryeministri Edi Rama falënderoi të gjithë shqiptarët për besimin që i dhanë për të udhëhequr Shqipërinë me n=83 mandate .I shoqëruar nga familja e tij, Rama u ngjit në të njëjtin ‘yll’ që simbolizon atë të Bashkimit Europian për të mbajtur fjalimin e fitores, së cilës i vendosi notën 10.

Duke e konsideruar marrjen e mandatit të katërt si sfidën më të madhe ndonjëherë, kryeministri premton që të çojë deri në fund zotimin e tij për të vënë karrigen e Shqipërisë në tryezën e Bashkimit Europian. Kreu i qeverisë tha se “populli i ka transformuar zgjedhjet politike në një referendum për bashkimin sa më parë të Shqipërisë me Evropën.”

Për Ramën, “mes dritës së Europës dhe errësirës së gropës së një kapeleje fake, Shqipëria zgjodhi yjet. Mes ngjitjes në majë dhe rënies në humnerë, Shqipëria zgjodhi ngjitjen”, ndërsa theksoi se “ky popull nuk ka për të ndryshuar qeverinë që ka, pa ndryshuar më parë opozitën që nuk do.”

Falënderimi shkoi edhe për shqiptarët e diasporës, të cilët me votën e tyre për herë të parë, mbështetën masivisht Partinë Socialiste, për të cilën Rama thotë se është e vetmja forcë që mund ta udhëheqë Shqipërinë pa humbur busullën.

“Shumica jashtë kufijve të Shqipërisë mendojnë njësoj si shumë brenda kufijve, për Shqipërinë që ecën në drejtimin e duhur dhe për Shqipërinë 2030 në BE, me ne të gjitha së bashku me mua dhe PS”, theksoi Rama.

Familjen me të cilën u shfaq si asnjëherë më parë që e shoqëruan nga selia në podium, kryeministri zgjodhi që ta falënderojë publikisht për mbështetjen dhe t’u kërkojë ndjesë për të gjithë baltën që kanë marrë nga kundërshtarët e tij.

“Jam sot përsëri shumë krenar, për Rean dhe për Gregun, që vazhdojnë të mos na shkaktojnë asnjë dhimbje koke, e që e jetojnë jetën e tyre larg dritave të skenës, larg zyrave të shtetit, larg çdo marrëdhënieje në konflikt interesi, duke duruar, sidomos Rea, agresione të rënda verbale shpifjesh nga më të neveritshmet.

Falënderimin më të veçantë e kam për të vetmen opozitë që unë vazhdoj të mos arrij ta mund dot – po shyqyr më pranon në qeverinë e unitetit – Linda Ramën, mamanë e paepur të Zahos, nënën kryelartë të Reas dhe shoqen besnike të Gregut. Linda është shtylla që mban katër këndet e tavanit tonë. Shumë faleminderit grua dhe besoj se mund të flas edhe në emrin tënd, duke falenderuar edhe Zahon, të cilin e kemi ngjitur si bateri me energji diellore”, tha Rama.

Rivalin e tij Sali Berisha, Rama zgjodhi të mos e përmendë me emër, por tha se populli zgjodhi dritën e yjeve të BE dhe jo errësirën e greminës, ndërsa një mesazh e kishte për drejtuesit e partive të vogla. “Uroj që të mos ecin më tej në gjurmët e opozitës së vjetër e të falimentuar totalisht, po të gjejnë mënyrat e durimin për t’u rritur si alternativa e jo si volume zanore në mexhelisin tonë politik.”

Krah podiumit ku iu drejtua shqiptarëve pas fitores, është ngritur edhe shtëpia e Europës ku më 16 maj shefi i qeverisë do të presë 47 liderë për samitin e Komunitetit Politik Europian.

“Europa mbarë, do vijë e do zbresë në këtë shesh, me tërë udhëheqësit e saj, ndër të cilët kryeministri i Britanisë së Madhe, vjen i pari për ta nisur qëndrimin e tij në Tiranë me një vizitë bilaterale, e para në histori e një shefi të qeverisë britanike, ndërsa Presidenti i Francës largohet i fundit pasi do të qëndrojë pas Samitit për vizitën e tij të dytë bilaterale në Tiranë”, tha Rama.

Në fund të takimit, festës së fitores iu bashkia edhe këngëtari Noizy, i cili e ka shoqëruar kryesocialistin në takimet elektorale bashkë me këngën dedikuar integrimit në BE.  

Te tjera

Lajme te tjera