Në një kohë kur qytetarët kanë mbushur sheshin prej 88 ditësh, duke artikuluar gjithnjë e më fort thirrjen “Rama n’burg, Berisha n’burg”, dy protagonistët kryesorë të politikës shqiptare duket se po kërkojnë një rrugë të re për të rifituar besimin e humbur. Jo përmes ndryshimit të figurave, marrjes së përgjegjësive apo reflektimit politik, por përmes teknologjisë.
Pasi Edi Rama prezantoi me bujë platformën “Pasqyrë Albania”, si një instrument që synon të përmirësojë qeverisjen dhe të monitorojë në kohë reale perceptimin e qytetarëve, Sali Berisha u përgjigj me “Agora PD”, një sistem që premton të bashkojë komunikimin, organizimin dhe angazhimin politik në një mjedis të vetëm digjital.
Kështu, përballë një pakënaqësie që prej muajsh shprehet drejtpërdrejt në rrugë, mazhoranca dhe opozita duket se kanë zgjedhur ta kërkojnë përgjigjen te algoritmet. Ndërsa protestuesit kërkojnë largimin e tyre nga skena politike dhe llogaridhënie para drejtësisë, Rama dhe Berisha flasin për aplikacione, servera, monitorim të rrjeteve sociale dhe matje të angazhimit qytetar.
Këtu qëndron edhe paradoksi i kësaj gare të re digjitale. Politika ka përballë një mesazh që nuk kërkon ndonjë teknologji të sofistikuar për t’u deshifruar. Ai po artikulohet prej 88 ditësh në shesh. Megjithatë, në vend që t’i përgjigjen politikisht kësaj pakënaqësie, dy liderët po përpiqen ta përkthejnë atë në të dhëna, statistika dhe ndërveprime virtuale.
Në kampin qeveritar, “Pasqyrë Albania” vjen pas më shumë se një dekade qeverisjeje të shoqëruar nga akuza dhe skandale korrupsioni, ndërsa një numër ish-zyrtarësh të lartë janë përballur me drejtësinë për çështje që lidhen me tenderat dhe aferat publike. Në këtë realitet, ideja se një platformë e re teknologjike mund të shërbejë si instrument për përmirësimin e qeverisjes rrezikon të perceptohet më shumë si përpjekje për të ndryshuar mënyrën e komunikimit sesa vetë mënyrën e qeverisjes.
Nga ana tjetër, “Agora PD” premton të masë kontributin dhe angazhimin e anëtarëve, të centralizojë komunikimin dhe të shpërndajë “mesazhe të qarta dhe piketa diskutimi” nga qendra drejt strukturave. Por edhe këtu problemi mbetet i njëjtë, teknologjia mund të modernizojë mënyrën se si organizohet një parti, por nuk mund të zëvendësojë rinovimin e saj politik. Një aplikacion i ri nuk e ndryshon dot faktin se Partia Demokratike vazhdon të drejtohet po nga i njëjti person dhe mbështetet te figura që kanë dominuar skenën politike shqiptare që prej viteve ’90.
Në thelb, Rama dhe Berisha po provojnë të veshin me gjuhën e teknologjisë dy struktura politike që përballen me të njëjtin problem, konsumimin. Njëri drejton vendin prej më shumë se një dekade dhe përballet me faturën politike të qeverisjes së gjatë, tjetri kërkon të rikthehet si alternativë, pavarësisht se përfaqëson një prej figurave më jetëgjata të tranzicionit shqiptar.
Pikërisht për këtë arsye, gara mes “Pasqyrës” dhe “Agoras” rrezikon të duket si një përpjekje për t’i dhënë paketim të ri një produkti të vjetër. Fjalimet tradicionale zëvendësohen me algoritme, strukturat partiake me sisteme operative dhe sondazhet me monitorim të rrjeteve sociale, por në qendër mbeten të njëjtët drejtues dhe të njëjtat probleme që kanë shoqëruar politikën shqiptare prej dekadash.
Teknologjia mund të ndihmojë një qeveri të kuptojë më mirë qytetarët dhe një parti të organizojë më mirë anëtarësinë e saj. Por ajo nuk mund të prodhojë artificialisht besim politik. Besimi fitohet me rezultate, përgjegjësi, transparencë dhe, kur një model politik konsumohet, edhe me hapjen e rrugës për alternativa të reja.
Prandaj, beteja mes “Pasqyrë Albania” dhe “Agora PD” është shumë më tepër sesa një garë platformash. Ajo nxjerr në pah distancën mes mënyrës se si qytetarët po e artikulojnë pakënaqësinë dhe mënyrës se si politika po përpiqet t’i përgjigjet asaj.
Dhe pikërisht këtu teknologjia ndeshet me kufirin e saj, mund të masë reagimet, klikimet dhe angazhimin, por nuk mund të fshijë konsumimin politik. As “Pasqyra” e Ramës dhe as “Agora” e Berishës nuk mund ta zgjidhin me një klikim atë që qytetarët po kërkojnë prej 88 ditësh në shesh.
