Nga Rigels Seliman
Shqipëria e tridhjetë e pesë viteve të fundit ngjan me një tragjedi të shkruar nga lapsi i korrupsionit dhe i pamoralësisë politike. Kur ra perandoria e kuqe e diktaturës në fillim të viteve 1990, populli shqiptar ushqeu shpresën legjitime për një rilindje të vërtetë kombëtare, për një shtet të së drejtës ku merita, intelekti dhe ndershmëria do të ishin shtyllat e shoqërisë së re. Sot, teksa vështrojmë realitetin e hidhur të përditshmërisë, shohim se ajo ëndërr u grabit. Shqipëria ka rrëshqitur në një tranzicion të pafund, ku pushteti nuk i përket ligjit, por një kaste që funksionon me kode dhe interesa larg nevojave të qytetarit të thjeshtë.
Në këtë realitet të përmbysur, hierarkia e vlerave ka pësuar një mutacion të frikshëm. Intelektuali, profesori, njeriu i ndershëm që kontribuon me djersë dhe moral, është shtyrë në periferi të shoqërisë, i lënë në harresë dhe shpesh i detyruar të zgjedhë rrugën e mërgimit për të ruajtur dinjitetin. Në anën tjetër, maja e piramidës politike, gjyqësore, sociale dhe ekonomike është pushtuar nga një aleancë e errët: figura të lidhura me krimin, trafikantë, oligarkë mafiozë dhe horra që njohin vetëm gjuhën e parasë dhe të forcës. Ky nuk është më thjesht keqmenaxhim; ky është një sistem ku pasuritë kombëtare – nga bregdeti te mineralet – janë ndarë si pre lufte midis një grushti njerëzish, duke lënë popullin në varfëri dhe pasiguri. Ndaj, ngritja ndaj kësaj “republike të horrave” nuk është më thjesht një zgjedhje politike, por një detyrim ekzistencial për të shpëtuar vetë qenien tonë kombëtare. Por tragjedia bëhet edhe më e madhe kur sheh teatrin politik. Ndarja tradicionale mes të majtës dhe të djathtës në Shqipëri është thjesht një iluzion optik, një fasadë për konsum publik.
Në thelb, ato janë dy anë të së njëjtës monedhë. Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e status-kuosë, pasurimin e paligjshëm dhe mbajtjen e peng të fateve të vendit, dallimet ideologjike shkrihen. Ky unitet i padukshëm oligarkiko-politik ka krijuar një ngërç, ku qytetari në Shqipëri ndihet i pashpresë dhe i pafuqishëm për të sjellë ndryshim përmes votës, pasi alternativa duket se mungon. Nëse historia do të kishte sy dhe ndërgjegje, heronjtë tanë kombëtarë do të lëngonin njëlloj si ky popull. Gjergj Kastrioti, që shkriu jetën për lirinë dhe dinjitetin e kësaj toke, dhe Ismail Qemali, që ngriti flamurin e një shteti që duhej të ishte europian dhe sovran, sot me siguri do të rrotulloheshin në varr. Ata nuk e projektuan Shqipërinë si një çiflig të trafikantëve apo si një plaçkë tregu për politikanët lubi që gllabërojnë të ardhmen e gjeneratave të tëra. Dhe kjo është ulëritëse! Ndërkohë, sot, pyetja e madhe që rri pezull mbi qiejt e Shqipërisë është ajo e vjetra: Quo vadis – Ku po shkon, e mjera Shqipëri? Një komb që dëbon rininë e tij dhe që nderon të korruptuarit në vend të të diturve, rrezikon të humbasë vetë thelbin e ekzistencës së tij. Megjithatë, ky konstatim nuk duhet dhe nuk mund të jetë një epitaf i shpresës. Përkundrazi, ai duhet të jetë një dritë shprese dhe një thirrje urgjente për zgjim. Shqipëria nuk u përket politikanëve të korruptuar, bandave kriminale dhe horrave, por popullit të saj. E drejta dhe intelekti duhet të gjejnë forcën për t’u ngritur nga fundi ku i kanë plandosur, sepse vetëm duke kthyer moralin dhe ligjin në krye të vendit, ky komb mund të shpëtojë nga kthetrat e këtij tranzicioni rrënues.
