E shtunë, 18 Janar, 2025

Qendra për Popullsi dhe Zhvillim do ofrojë shërbime të ndihmës juridike parësore falas për shtresat në nevojë për vitet 2022-2024, drejtoresha Elona Gjebrea jep detajet dhe kush përfiton

Share

Qendra Shqiptare për Popullsi dhe Zhvillim do të ofrojë shërbime të ndihmës juridike parësore falas për shtresat në nevojë për vitet 2022-2024. Kjo është bërë e ditur nga drejtoresha Ekzekutive e Qendrës (QShPZh), Elona Gjebrea në rrjetet sociale. “Sot, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i dorëzoi zyrtarisht ACPD (Qendrës për Popullsi dhe Zhvillim) certifikatën e autorizimit për ofrimin e shërbimeve ligjore parësore  në ndihmë të grupeve vulnerabel! Një ceremoni e zhvilluar në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë, për organizatat e kualifikuara për të ofruar këtë shërbim kaq të domosdoshëm në bashkëpunim me Drejtorinë e Ndihmës Juridike falas. Një përgjegjësi për punë më të mira në ndihmë të grupeve më të pambrojtura e sidomos për gratë dhe vajzat! Super organizim  nga stafi i MD dhe Drejtorisë së Ndihmës Juridike( DNJ) falas! Faleminderit  Ministrit  z. Ulsi Manja dhe drejtorit të (DNJ), Z. Ergys Cirici”, shkruan Elona Gjebrea, Drejtoreshë e Ekzekutive Qendrës për Popullsi dhe Zhvillim.

Ndërkohë sa i takon këtij lajmi ka reaguar edhe Ministria e Drejtësisë. “Nga sot 15 organizata jofitimprurëse të autorizuara do të ofrojnë shërbime të ndihmës juridike parësore falas për shtresat në nevojë për vitet 2022-2024! Gjatë ceremonisë së shpërndarjes së autorizimeve Ministri Manja shprehu angazhimin për vijimin e bashkëpunimit me këto organizata në kuadër të përmbushjes së misionit madhor “Garantimit të aksesit në drejtësi për të gjithë qytetarët”.  Tashmë organizatat jofitimprurëse të autorizuara ofrojnë shërbime të ndihmës juridike falas në Tiranë, Elbasan, Berat, Shkodër, Durrës dhe Vlorë por synimi ynë është që të shtrihemi në të gjitha bashkitë dhe projektet më të mira të organizatave jofitimprurëse të mbështeten jo vetëm nga donatorët por dhe nga buxheti i shtetit me fondin e vënë në dispozicion të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas. Ndihma juridike falas mbështet: shtresat në nevojë; rrit aksesin e qytetarëve në drejtësi; lehtëson punën e administratës publike dhe gjykatës. Përsosja dhe përdorimi me efikasitet i mekanizmit të ndihmës juridike falas, do jetë në fokusin e punës së Ministrisë së Drejtësisë dhe të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas si pjesë e rëndësishme e reformës në drejtësi, ku roli i Organizatave Jofitimprurëse në këtë proces është i pazëvendësueshëm”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Te tjera

Lajme te tjera