Ilir Meta shpresonte që vula të mbetej te Basha, pasi për sa kohë që grupi i Berishës ishte pa vulë e logo, PL ishte mënyra e vetme për të hyrë në zgjedhjet e 2025…
Gjykata e Apelit i dha fund dje konfliktit në PD, duke legjitimuar Sali Berishën kryetar të saj. Pas gati 3 vitesh kaos e përplasje, duket se tani Berisha rikthehet kryetar, edhe pse ndodhet nën arrest dhe ka mbi shpinë damkën e “non gratës”.
Ndër të parët që e uroi ishte Ilir Meta, i cili pak pas vendimit të Apelit doli në një konferencë shtypi. Por në urimin e Metës dukej se nuk kishte gëzim. Në fakt vendimi i Apelit duket se godet më shumë Ilir Metën sesa Lulzim Bashën.
Basha dukej madje shumë i lumtur. Ai hoqi një barrë të madhe nga vetja, pasi e dinte se nuk dilte kurrë fitues. Basha mendoi se do ta prisnin si hero kur të rikthehej, por të gjithë i kthyen shpinën dhe vula thjesht i mbeti në dorë, jo se e donte. Ka 3 muaj që thotë se do të nxjerrë kandidatët për zgjedhjet dhe kurrë nuk i nxori. Kjo sepse nuk kishte kë të nxirrte. Pra me pak fjalë, heqja e vulës ishte lehtësim për të. Edhe në fytyrë, Basha dukej shumë i qeshur dhe i lehtësuar.
Por për Metën është telash. Ilir Meta shpresonte që vula të mbetej te Basha, pasi për sa kohë që grupi i Berishës ishte pa vulë e logo, PL ishte mënyra e vetme për të hyrë në zgjedhjet e 2025. Meta shpresonte tek e njëjta skemë si me zgjedhjet vendore, ku në kurriz të PD mori shumicën e këshilltarëve në dhjetëra bashki. Nëse Berisha nuk kishte vulën, atëherë do të duhej të negocionin për të hyrë me një listë të përbashkët dhe për të ndarë më pas numrin e deputetëve. Pra Meta mund të merrte 15 a 20 deputetë në kurriz të Berishës. Tani situata ndryshon.
Ligji e ndalon koalicionin. Kjo do të thotë se PD dhe PL duhet të hyjnë të ndara. Në bazë të sondazheve të publikuara deri më tani, Meta është politikani më pak i pëlqyer dhe kjo do të thotë se PL nëse shkon e vetme, me gjasë shpall falimentin. Edhe vetë Meta nuk e dimë nëse zgjidhet deputet, gjithmonë nëse SPAK nuk vepron deri në prill apo maj kur do të mbahen zgjedhjet.
Nga ana tjetër vetë Berisha ka dhënë sinjale distancimi nga Meta. Ky i fundit i ka shkuar dy herë poshtë dritares dhe doktori nuk e përfilli. Në asnjë rast nuk ja ka përmendur emrin. Kur Berisha kishte nevojë për të, Meta e injoroi. Pasi u vu nën arrest, Berisha mbajti protesta, por Meta e braktisi. Edhe në protestën para Kuvendit javën që shkoi sërish nuk u pa. Pra duket se Meta vepron sipas interesit dhe Berisha e ka nuhatur.
Por marrja e vulës duket se është kambanë alarmi për Bardhin dhe disa të tjerë, pasi Berisha nuk ua ka më nevojën. Ai i përdori për të përfituar benefite në Kuvend duke u shfaqur si grup parlamentar. Tani Nikolla nuk e injoron dot më dhe çdo shkresë e Berishës duhet të merret parasysh. Po ashtu, Berisha ka armën më të fortë në dorë: Listat e kandidatëve. Ka shumë në PD që luftën e bëjnë për të siguruar një vend në ato lista.