E martë, 10 Nëntor, 2026

Pse po e trumbeton me forcë? Fitoi mbi 500 mln dollarë nga rritja e çmimeve, Rama ndan vetëm 80 mln në prag të vitit zgjedhor

Share

Në prag të zgjedhjeve lokale dhe në kohën kur qeveria arkëtoi afro 520 milionë dollarë për shkak të rritjes së çmimeve në këto 10 muaj, kryeministri Edi Rama njofton për një ‘Pako të madhe’ prej 80 milionë dollarësh për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, por edhe për punonjësit e shtetit.

Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Financave, qeveria mesatarisht ka mbledhur 52 milionë dollarë më shumë për çdo muaj që nga Shkurti kur nisi lufta në Ukrainë dhe në fund po ndan vetëm një të katërtën e atyre që mblodhi nga xhepat e shqiptarëve gjykatë kësaj periudhe.

Duke shmangur çdo mundësi për llogaridhënie, kreu i Qeverisë ka zgjedhur rrjetet sociale për të njoftuar “bakshishin” e fundvitit pikërisht për ato shtresa të cilat mund të ndikohen lehtësisht edhe në votime.

Kryeministri Rama ka njoftuar në Facebook se janë 695 mijë pensionistë që do të marrin nga 8 mijë lekë. E njëjta shumë do të jepet edhe për 71 mijë persona me aftësi të kufizuar.

Po ashtu mësohet se përfitues do të jenë edhe të punësuarit në shtet me pagë mbi 60 mijë leke të cilët do të marrin 10 mijë lek mbështetje nga qeveria.

Ndërsa të punësuarit në shtet me pagë nën 60 mijë lek do të marrin 20 mijë lekë. Fondi ndryshe nga çfarë pritej nuk do të ndahet në ditët e mbetura të këtij vitit, por përgjatë muajit Janar.

Për festat pensionistët dhe familjet në nevojë do të duhet të mjaftohen me shpërblimin e tërhequr disa ditë më parë.

Në fillim të muajit qeveria miratoi vendimin për shpërblimin e pensionistëve dhe familjeve në nevojë. Vlera e bonusit edhe për këtë vit pavarësisht rritjes së çmimeve ishte vetëm 5 mijë lek. 

Te tjera

Lajme te tjera