E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Pse Berisha duhet të tërhiqet?!

Share

Nga Andi Bushati

Sali Berisha është vendosur sërisht, ashtu siç ka ndodhur shpesh përgjatë karrierës së tij, në paradoksin mes krenarisë personale dhe detyrimit që e kapërcen këtë egoizën vetiak, atij që duhet të ketë një lider politik. Vendimi i gjykatës britanike (ndjesë për ata që këmbëngulin ta etiketojnë si komision), se masa e autoriteteve të Londrës për moshyrjen e tij në këtë shtet është e drejtë, i ka përzier edhe njëerë këto kufij të papërcaktuar mirë.

Nga njëra anë, si person, qyteatri Sali është i legjitimuar të ndjekë të gjitha shkallët, të tëra komisionet dhe gjykatat për të kundërshtuar atë që e konsideron të padrejtë. Ai mund të denoncojë me argumenta të gjitha shkeljet e procesit, qoftë detaje qesharake që e lidhin me një ish emigrant të dyshimtë që ka thyer një derë me shkelma, qoftë dhe vendime politike se “po u hoq sanksioni ndaj tij, bie reputacioni i Britanisë së madhe”.

Por, nga ana tjetër, Berisha, si lideri i opozitës, nuk ka të drejtë që për ruajtjen e dinjitetit të vet legjitim, të mbajë peng gjithë PD-në.

Po të shikosh lajmin e djeshëm të Komisionit të Posaçëm të Apelimit për Migracionin (SIAC), vëren se ai u bë temë qëndrore. Me të u morën gjërësisht të gjitha mediat që i shërbejnë pushtetit, por atë nuk e shmangën dot edhe ato pak pranë opozitës. Pavarësisht temperaturave mbi 35 gradë dhe etheve të europianit ende të pa shuara, titujt për sanksionimin e Berishës u bënë refreni kryesor i kësaj fillim jave. Aq në përmasa të stërmëdha u ekspozua kjo, sa dukej sikur lideri demokrat ishte shpallur “non grata” për herë të parë.

Pikërisht këtu është pika kur ai i bëhet barrë opozitës. Duke këmbëngulur për të vazhduar betejën personale ligjore kundër sekretarit të shtetit në SHBA dhe kundër Home Office në Angli, ai e mban gjallë si temë të aktualitetit një ngjarje që nuk shkon aspak në favor të familjes së vet politike.

Tre vite më parë ishte ndryshe. Duke qenë se ky u bë preteksti që një grupim diplomatësh të lobuar ndërkombëtarë në bashkëpunim me Ramën dhe kukllat e tij në PD, e përdorën non gratën për ta nxjerrë Berishën jashtë saj, këtij të fundit i takonte jo vetëm të lidhte betejën e vet politike me atë morale, por dhe të nxirrte në dritën e diellit të gjitha dyshimet për sanksionimin e tij.

Por tani kohët kanë ndryshuar. Berisha e fitoi besimin e partisë të tij. Ai u ringrit në mënyrë plebishitare në krye të PD-së. Ata që kishin frikë se mos ambasada i trajtonte si dele që hanin barë, u kthyen si djali plangprishës në vathën e tij. Ata që vazhduan ta mbështesin përjashtimin, mbetëm jo vetëm pa vota, por edhe pa vulë.

Po ti shtosh këtyre edhe zbulimin e skandaleve si ai McGonigal, ku dëmtimi i opozitës paguhej nga Tirana, apo deklarata si ato të kontroversit Rik Grenell, që me cilësinë e ish shefit të shërbimeve të Trump, pohonte se nuk kshte parë kurrë një dosje Berisha, duke shtuar dyshimet se ajo qe montuar me shpejtësi pas zgjedhjeve të fundit, e ke më të lehtë të kuptosh se lideri demokrat i’a arriti ta zhbëjë gjëmën që u projektua mbi të.

Sot legjitimiteti, pastërtia dhe drejtësia e sanksonit “non grata” është bërë më e dyshimtë se kurrë, aq më tepër kur partnerë të amerikanëve dhe britanikëve janë politikanë shqiptarë që kanë të vërtetuara, krime, vjedhje dhe lidhje me banditë, shumë më të tmerrshme se ato për të cilat përflitet Berisha në dokumentat perendimore.

Në këto kushte natyrshëm ngrihet pyetja: çfarë vlere ka këtej e tutje vijimi i betejës për diskreditimin e vendimit të “non gratës”? Ku është interesi për të ndjekur betejën ligjore të filluar në qershor 2021, në Paris, kundër firmës së Anthony Blinken dhe asaj të nisur një vit më pas, kundër Home Office?

Natyrisht si qytetar i lirë i këtij vendi Berisha është në të drejtën e tij ta vijojë këtë përpjekje, që ndoshta nuk do ta fitojë dot për sa të jetë gjallë. Por ama si lider i opozitës ai ka një detyrim më të madh sesa krenaria e vet. Ai duhet të tërhiqet nga të dyja proceset kundër administratave amerikane dhe britanike qoftë edhe për faktin e thjeshtë se ato tashmë nuk kanë asnjë tjetër vlerë, veçse të përdoren si municion nga artileria e propogandës së pushtetit. Këtej e tutje Sali Berisha nuk do të gjykohet më në bazë të etiketimeve “grata” apo “non grata”, por për cilësinë e opozitës që ai bën ndaj regjimit në fuqi. Në këtë këndvështrim, çdo çështje, qoftë edhe e manipuluar, që shërben për devijimin nga ky objektiv e dëmton opozitën. Prandaj dhe ka ardhur koha që Berisha të frenojë egon personale në funksion të qëllimit politik. 

Te tjera

Lajme te tjera