E hënë, 20 Janar, 2025

PS nuk tërhiqet para thirrjeve të BE, Balla premton se ligji për Amnistinë Fiskale do të bëhet, opozita akuza qeverisë nga Këshilli Integrimit

Share

Partia Socialiste vijon të bëjë “kryeneçen” me ndërkombëtarët, duke injoruar kështu thirrjet e tyre që mazhoranca qeverisëse të tërhiqet nga nisma e saj për Amnistinë Fiskale. Ka qenëkreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ai i cili teksa ishte i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, këmbënguli se ligji për amnistinë fiskale do të kalojë, pavarësisht se zërat ndërkombëtarë nuk e mbështesin. “Ishte me nota pesimiste, kjo ndodh historikisht nga 2016, që sa herë është prezantuar projekt raporti dhe qytetarët mendojnë se janë 2 progres raportime, një opozitë dhe një mazhorancë, por ajo është detyra jonë e shtëpisë. Sa i përket ligjit për mediat, ai nuk ekziston më është tërhequr dhe nuk është më një çështje, në konferencën e kryetarëve do bëhet edhe njoftimi në aspektin procedurial, për sa i përket ligjit të amnistisë, ai do të bëhet, në vazhdojmë të nxisin konsultime”, deklaroi Balla. Pra pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve, socialistët duken të vendosur për të mos u tërhequr nga Amnistia Fiskale.

Opozita akuza qeverisë

Ndërkohë deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj e ka konsideruar arrogancë këmbënguljen e Taulant Ballës për të kaluar ligjin për amnistinë fiskale, pavarësisht kundërshtimeve të ambasadores së Bashkimit Evropian, Christiane Hohmann. I pranishëm në Këshillin Kombëtar të Integrimit, Alibeaj theksoi dje se ky ligj u thotë shqiptarëve se të merresh me krim nuk është diçka e gabuar sepse në një moment, amnistohen. Ai tha gjithashtu se amnistia fiskale nuk do të sjellë vetëm para në Shqipëri, por dhe aktivitet kriminal. “Janë çështjet tona, duhet t’i zgjidhim vetë, s’mund t’i kërkojmë Evropës të na zgjidhin problemet, këtë gjë tha dhe zonja ambasadorja. Ju ndryshuat kushtetutën dhe vodhët zgjedhjet. Ky është thelbi i çfarëdolloj përplasjeje. I kemi përcaktuar shinat dhe ritmin me të cilin duhet të ecim. E rëndësishme është të fitosh dhe shqiptarët duhet të fitojnë për të ecur në rrugën e integrimit drejt Evropës. Nëse vazhdohet me arrogancën që u deklarua më parë, kur u tha se ligji për amnistinë fiskale do të kalojë, kjo është fytyra e vërtetë. Nuk bëhet fjalë vetëm për disa para ekstra, por për të gjithë aktivitetin kriminal që vjen këtu. Çfarë u themi në shqiptarëve për korrupsionin? Jemi pranë zgjedhjeve dhe çdo duhet shkallmuar çdo filtër. Ky është realiteti, nuk duhet të shohim ambasadoren, por njëri-tjetrin. Jo ta gjejmë Evropën duke shkuar atje, por ta bëjmë këtu”, deklaroi Alibeaj.

Açka: Mazhoranca po na shpërfill

Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike Flutura Açka u shpreh se mazhoranca nuk kërkon që ta përfshijë Opozitën në nismat e ndërmarra, por e do aty për të ‘ndarë tortën. E pranishme në Këshillin Kombëtar të Integrimit, Açka thotë se nga Shqipëria kanë ikur afro 500 mijë shqiptarë gjatë 10 viteve të fundit, ndërsa mazhoranca nuk bën përpjekje për të ndryshuar situatën. “Këtu Opozita nuk përfillet, këtej paguhen para për tu bërë Reforma Territoriale, kur në fakt është thënë që do të punohet me Reformën e vjetër. Atëherë pse po paguhen gjithë këto para? Kthejuani paratë shqiptarëve. Opozita është për të bashkëpunuar me ju, jo për të ndarë tortë. Nuk jemi tek mjalti në lidhje me reformat e BE-së, sepse nëse do të ishte ashtu, shqiptarët nuk do të iknin. Në 10 vitet e fundit, 500 mijë shqiptarë na kanë ikur. Unë kam turp që jetoj në një kohë ku Shqipëria po kalon një proces erozioni demografik. Duket sikur politika është një art kaq serioz saqë nuk u takon më politikanëve”, deklaroi Açka.

Amnistia Fiskale, Sula: Shqipëria do kthehet në çiflig bandash

 “I bën presion ndërkombëtarëve për Amnistinë Fiskale dhe Pasaportat e Arta për të kaluar pa shumë zhurmë nismën e legalizimit të kanabisit. Madje ka zëra se në mënyrë jo të ndershme partia socialiste po tenton të joshë deputetët të ndryshëm që të marri votat në parlament për lejimin e kanabisit. Çfarëdo që të bëj kryeministri dhe kjo qeveri, legalizimi i kanabisit do të shënonte kriminalizimin e ekonomisë së vendit. Do ta kthente Shqipërinë në një çiflig të disa bandave kriminale”, shkroi dje në “Facebook” deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula.

Te tjera

Lajme te tjera