E shtunë, 31 Tetor, 2026

Protestat e dhunshme, Demo: 347 të lënduar, prej tyre 201 policë! U përdorën të miturit, 269 të shoqëruar! Kemi identifikuar ‘maskat’, së shpejti kamera trupi për efektivët

Share

347 persona është bilanci i të lënduarve nga protestat e dhunshme të dy javëve të fundit. Ministri i Brendshëm Ervin Demo bën me dije se nga këta, 107 janë protestues, ndërsa 39 kalimtarë e mes tyre gazetarë.

Në rastet e tejkalimit të proporcionalitetit të dhunës, ai thekson se Policia e Shtetit ka marrë masat dhe ka vënë nën hetim 7 punonjës.

“Javët e fundit kanë qenë dhumë sfiduese për policinë e shtetit dhe një bilanc negativ për të lënduar. 347 janë të lënduar dhe në fillim unë nuk do të doja të bëja diferencim mes punonjësve të Policisë së Shtetit, protestuesve apo kalimtarëve. 107 protestues të lënduar, 39 kalimtarë të lënduar, përfshirë edhe gazetarë. Këto shifra janë një kambanë alarmi sa i përket nivelit të dhunës dhe trajtimit proporcional që Policia e Shtetit ka bërë. Qëndrimi i Ministrisë së Brendshme është i qartë: ne garantojmë të drejtën kushtetuese, ashtu si dhe ndërhyrjen proporcionale. Policia e Shtetit ka ndërmarrë masat e duhura, 7 punonjës të pezulluar dhe nën hetim, por edhe AMP është duke punuar në dhjetëra raste që janë referuar nga qytetarë apo hetim për raste specifike”, tha Demo.

Demo shprehu shqetësim për përfshirjen e të miturve në protestat e dhunshme. Deri më tani janë shoqëruar 269 të mitur.

“Shqetësuese përfshirja e të miturve në akte dhune, në vijën e parë. 269 të shoqëruar nën moshën 18 vjeç. Kjo tregon më së miri sfidën ndërinstitucionale për të adresuar këtë fenomen shqetësues për të adresuar një plagë. Për të miturit duhet të gjejmë rrugën, mbështetjen e duhur që ky fenomen të jetë një kujtim i hidhur i këtyre javëve të fundit”, tha Demo.

Tashmë, me ndihmën e teknologjisë është mundësuar edhe identifikimi i protestuesve të maskuar.

“Kemi identifikuar identitetin e tyre dhe po ndërmarrim hapat ligjorë. Do t’i bëja thirrje edhe Prokurorisë e Gjykatës që ata që kanë kryer dhunë, të kenë një standard sa i përket përgjegjësisë ligjore që duhet të përballen”, tha Demo.

Për të monitoruar reagimin e policisë ndaj protestuesve, ministri bëri me dije se do të vendosen në funksion kamerat e trupit, fillimisht për Policinë e Tiranës.

“Kamerat e trupit, shumë shpejt do t’i vendosim në funksion duke filluar me punonjësit e Policisë Tiranë. Do të kemi përdorimin e imazheve për të faktuar edhe dhunën. Jemi duke parë mundësinë për të fuqizuar komunikimin brenda strukturave me radiot e reja”, tha Demo.

Te tjera

Lajme te tjera